61 të rinj maturantë të shkollave të mesme të vendit përjetuan një përvojë unike duke shoqëruar në një ditë të zakonshme pune drejtues ekzekutivë, personalitete të larta të sektorit publik dhe përfaqësues të mirënjohur të komunitetit të biznesit në Shqipëri.
Për realizimin e aktivitetit “Drejtues për një ditë, drejtues të së ardhmes” , nismë e programit Junior Achievement® (Arritja Rinore) në Shqipëri, u angazhuan 52 institucione pritëse të sektorit publik dhe privat, nga të cilat 36 biznese të fuqishme që veprojnë në Shqipëri. Përgjatë gjithë ditës, nxënësit shoqëruan drejtuesit ekzekutivë të këtyre institucioneve dhe u njohën me rolin, funksionet dhe përgjegjësitë që mbart një drejtues çdo ditë. Duke ndarë përvojën e tyre me nxënësit, drejtuesit e këtyre institucioneve ndihmojnë në formimin dhe kultivimin e një brezi të ri drejtuesish.
Më gjerë, programi Junior Achievement promovon fuqizimin e të rinjve dhe edukimin e të rinjve shqiptarë për sipërmarrjen. Programi është integruar në kurrikulën me zgjedhje të lirë në shkollë të mesme, sipas Memorandumit të Mirëkuptimit me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Këtë vit akademik, në rrjetin e programit Junior Achievement u pëfshinë 3,727 nxënës të klasës së 11 dhe 12 në 53 shkolla të mesme të vendit. Modulet e programit Junior Achievement ndihmojnë në ndërlidhjen e hershme mes shkollës dhe tregut të punës, duke i njohur nxënësit me vlerat sipërmarrjes, duke i kalitur ata me aftësi drejtuese e menaxhuese, si dhe duke i parapërgatitur për tregun e punës, në mënyë që ata të zotërojnë sukses në të ardhmen!