Reminishencat e së kaluarës po përpiqen sot t’i imponohen shoqërise në forma te tilla qe perpos neverisë, jane sinjale që duhet të zgjojnë vetëdijen kombëtare, se ideja e madhështisë së liderit është akoma e gjallë në ata që drejtojnë sot pushtetin. Mbajtja ndezur e kësaj ideje është kërcënim i hapur ndaj emancipimit të kombit tonë.
Ato që po ndodhin me historinë janë një sipërmarrje që synon rrënjosjen e metamorfozës aq te dëmshme se ne shqiptarët mund te bëjme pa çdo gjë, por jo pa lider historik. Kjo bie ndesh me konceptet më themelore të demokracisë në lidhje me rolin e individit në shoqëri.
Futja e një politikani që ka vetë shumë hesape me historinë si Berisha në “sugjerime” për historinë, është në vetvete një ofertë për një histori të sterilizuar, e cila imponon gëlltitjen e deformimeve dhe gjysmë të vërtetave pa u impenjuar aspak për dëmin që u shkaktohet institucioneve demokratike. Ata që marrin përsipër shkrimin e historisë duhet të dine më mire se kushdo tjetër që nëse duam të kemi një histori të vërtetë shqiptare duhet ta shpëtojmë atë ndaj efekteve të tilla.
Aq më tepër që ndërsa nxitohet sot për të skalitur në faqet e librave emrat e mbretërve e kryeministrave, biografitë e bëmat e tyre në periudhën e postkomunizmit “harrohet” të trajtohen problemet e vërteta me të cilat ndeshet sot sistemi i edukimit. Ato lidhen me nivelin e ulet të leksioneve që serviren në mënyrë sipërfaqësore, heqja dorë nga seminaret, kolokiumet e punët laboratorike e mungesën e theksuar të bazës materiale. Opinionet e studentëve flasin për një impenjim të paket të trupit mësimdhënës. Një pjese e saj mjaftohet me dhënien e një leksioni dhe kujtohet vetëm në prag të sezonit të provimeve për t’i ngarkuar ata me detyrimet e kursit, duke krijuar konfuzion, sorollatje e humbje të kohës së tyre. Në anën tjetër, mos-serioziteti i shkollave e drejtuesve të tyre krijon premisa per mungesa të studentëve në seminare apo leksione, duke kultivuar idenë se shkolla edhe kështu mund të bëhet.
A tërheq vëmendjen e këtyre “figurave” të historisë fakti që shkollat sot në Shqiperi janë kthyer në sipermarrje biznesi, ku korrupsioni ndjek shembullin e atij të shtetit? Një fushatë e tërë elektorale pritet të zhvillohet në prag të zgjedhjeve, dhe që tani kemi të dhënat që milionat e taksapaguesve shqiptarë janë perdorur jashtë kritereve për të financuar propagandën e qeverisë nëpër mediat proqeveritare. Në këto fushata, fjalët permanente janë “rrugët”, “urat” “betoni” “tuneli” e çdo gjë tjetër që lidhet me bizneset fitimprurëse, por pak ose aspak fare u shqetësuan “strategët e përjetshëm” të pushtetit se Edukimi dhe Shëndetesia jane dy nga plagët më serioze që vuan shoqëria sot.
Prandaj, hiperbolizimi dhe tendencat për të shkruar historinë e këtyre viteve të pluralizmit sipas stimulimeve të atyre që janë sot në pushtet, nuk i shërben aspak angazhimit për të shkruar një histori qe kanë nevojë shkollat dhe shoqëria. Ne të gjithë jemi aktorët e shoqërise së sotme. Le t’ua lemë brezave që do të vijnë të shkruajnë historinë e këtyre ditëve. Detyra jonë është që ta bëjmë atë dhe ta bëjmë në mënyrë të atillë që pasardhësit tanë të mos ndjehen nesër të turpëruar nga veprimet tona. Dhe të mendosh në mënyre kritike është imperativ në një shoqëri demokratike e të civilizuar. Askush s’ka nevojë për liderë te vetëmagnifikuar.