Pavarësisht vullnetit të mirë të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, verifikimi i pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputetë, për zgjedhjet e 18 qershorit 2017, ka dështuar.
Asnjë parti politike, me përjashtim të Aleancës Popullore për Drejtësi, pavarësisht retorikës kundër ish-Sigurimit të Shtetit, nuk i ka kërkuar autoritetit për hapjen e dosjeve, verifikimin e kandidatëve të saj.
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat APD thekson se kjo forcë politike është ndër të parat që ka dorëzuar gjithë listën e kandidatëve pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
“Dëshirojmë të ndajmë me opinionin publik faktin se: Aleanca Popullore për Drejtësi ka depozituar pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit më datë 11/05/2017 me nr. Prot 27, Listën Shumëemërore Totale dhe të gjithë formularët kërkesa për verifikimin e pastërtisë së figurës për kandidatët e saj”,- thuhet në deklaratën e APD.
