Jovan Bizhyti
(Homazh me rastin e 40-vjetorit të ndarjes nga jeta,12 prill 1981-2021)
Ishte pranvera e vitit 1942, kur në Myzeqenë e Lushnjes, si në shumë krahina të vendit, kish nisur një lëvizje e gjerë patriotike kundër pushtuesve fashistë italianë. Kudo shfaqeshin revolta dhe aksione nga elementë përparimtarë e patriotë, që u angazhuan si në qytet e në fshatra për të zgjuar në masën e rinisë e të popullit ndërgjegjen kombëtare, për t’i dal zot çlirimit të vendit.
Në këtë lëvizje, kërkohej dhe kontributi i ardhetarëve të dëgjuar të Kombit, fjala dhe veprimtaria e të cilëve në momente të veçanta historike, ishte bërë burim frymëzimi për masat popullore. Spiro Moisiu ato kohë, në 8 shtator 1941, katër ditë pas lirimit nga detyra e komandantit të Batalionit “Tomorri”, që dezertoi nga fronti i luftës italo-greke, erdhi në qytetin e Lushnjes, ku më parë ishte vendosur dhe familja e tij. Aty nisi punë, duke u marr me një aktivitet tregtar, si traditë e familjes Moisiu. Familja e tij fillimisht ishte vendosur në lagjen “Stan” të qytetit të Lushnjes, në shtëpinë e patriotit Taq Shtrepi dhe më pas u strehuan me qera në shtëpinë e patriotit Kaso Fuga, godina ku u mbajt Kongresi Historik i Lushnjes në 1920. Në pranverën e vitit 1942, u strehuan në një vilë në hyrje të qytetit të Lushnjes, ku banuan deri kur familja dhe Spiroja lëvizën në bazat ilegale në fshatrat e Myzeqesë dhe shtëpia me plaçkat mbetën mbyllur, ku shumica u vodhën e humbën gjatë luftës, bashkë me kujtimet e familjes.
Gjatë kohës që jetoi në Lushnje, ai ndiqej e survejohej nga agjentët e qeverisë fashiste në çdo hap të veprimeve të tij. Dhe këtë Spiroja e dinte dhe e kuptonte, ndaj sillej e vepronte me shumë kujdes. Në pranverën e vitit 1942, ai ra në kontakt me drejtuesit e celulës së PK të qytetit dhe konkretisht me Xhorxhi Robon, si dhe me drejtuesin e Qarkorit të PK të Durrësit, Spiro Bakallin, bashkëpunimi me të cilët e bëri pjesë të lëvizjes së Frontit Nac.Çl. të Myzeqesë së Lushnjes. Dhe kontributi i tij në Myzeqe u shqua që në hapat e para.
Bashkëluftëtari i ngushtw, Xhorxhi Robo, në kujtimet e tij jep konsiderata të larta për kontributin e Major Spiro Moisiut në Myzeqe në ato fillime të para të lëvizjes Nac.Çl: “Ndjej obligim e nder në vlerësimin e përjetësimin e atij personaliteti të lartë, siç ishte Spiro Moisiu. Ishte shans dhe nder për popullin dhe për partizanët e Myzeqesë, që u ndodh në Lushnje në ato kohë historike, një personalitet i tillë me potencial ushtarak e intelektual si Spiro Moisiu. Roli dhe kontributi i tij, bëri që në Myzeqe u ngritën që herët formacionet e para partizane, siç ishte Çeta e Parë partizane e Myzeqesë, e ngritur pas Çetave të Pezës, Matit dhe ndonjë tjetër, më pas Batalioni i Parë dhe së fundi Grupi partizanë i Myzeqesë, që mblodhi mbi 800 partizanë myzeqarë, më i madhi në Qarkun e Beratit. Spiro Moisiu ishte jo vetëm këshilltar e strateg ushtarak, por dhe ideator e organizator i shumë sulmeve e betejave që përballuan partizanët e Myzeqesë në ato vite”. (Kujtime të Xhorxhi Robos, botim i vitit 2009).
Dhe nga Lushnja e Myzeqeja, Major Spiro Moisiu vazhdoi betejën e madhe të luftës Nac.Çl. në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë partizane Nac.Çl., i zgjedhur nga Këshilli Antifashist Nac.Çl. në Labinot të Elbasanit në korrik 1943.
E gjithë kjo veprimtari revolucionare, në momente kaq të rëndësishme historike për fatet e Kombit, siç ishin vitet 1942-43, e lidhën ngushtë Spiro Moisiun me Lushnjen dhe me Myzeqenë, ku ai krijoi shokë e miq, baza strehimi të luftës, partizanë e patriotë me të cilët luftoi krahë për krahë në llogoret e betejave dhe këtë lidhje ai e mbajti gjatë, si gjatë luftës dhe pas çlirimit të vendit. Pas çlirimit, në çdo përvjetor të ngjarjeve historike, Spiro Moisiu sa qe gjallë, nuk u nda nga shokët e tij myzeqarë të luftës, të cilët e donin, e respektonin dhe kanë vlerësuar kurdoherë kontributin e tij të çmuar për ato vite të luftës në Myzeqe e në mbarë vendin.
Lushnja dhe Myzeqeja i kanë dhënë atij një ndjesi të veçant, duke e ndjerë veten kurdoherë si në shtëpinë e tij. Nuk ka patur ngjarje e përvjetor të luftës në Myzeqe, ku të mos ishte prezent Spiro Moisiu. Veteranët e luftës, sa herë mblidheshin në kujtim të këtyre ngjarjeve, fjala e parë që pyesnin ishte:
-A ka ardhur Gjenerali? Shumë të tjerë më të hershëm i thoshin Major, duke kujtuar ato fillimet e para të luftës, kur u rreshtuan pas Major Spiro Moisiut në rreshtat partizane. Gjenerali vinte në festimet e këtyre ngjarjeve dhe në fshatra të veçanta të Myzeqesë, ku kish lënë pas kujtimet e tij si në fshatin Kolonjë të Lushnjes, ku krijoi Çetën e Parë partizane të Myzeqesë në 26 dhjetor 1942, e shihje në përvjetorin e Batalionit të parë partizan në fshatin Mërtish, në Ngurrëz, ku u krijua Grupi i parë partizan i Myzeqesë me mbi 800 partizanë, po ashtu dhe në qytetin e Lushnjes në festimin e ditës së çlirimit të qytetit dhe të gjithë Myzeqesë, në 18 tetor 1944, e në ngjarje të tjera.
Në këto festa ku mblidheshin veteranët e luftës, Spiro Moisiu ndodhej gjithmonë mes tyre. Sa vinte makina e Gjeneral Spiros, veteranët i mblidheshin rreth e qark, kush mund t’a takonte më parë, kush mund t’a përqafonte, dikush i lidhte dhe shallin e kuq partizan në qafë. Bëhesh një me veteranët dhe kënga partizane gjëmonte nga zërat e luftëtarëve të lirisë:
Në ato maja rripa-rripa, seç gjëmonë,
ndizet lufta me furi dhe derdhet gjak,
janë trimat partizanë që luftojnë,
janë bijtë e Shqipërisë që marrin hak…
Pastaj, Spirua takohej me shokët e luftës, me mikun e vjetër patriotin Llazar Bozon, me djemtë e tij, Alekon, Kolin dhe Irakli Bozon, takonte Xhorxhi Robon, Miti Bozon, Hasan Ginën, Sedat Rulin, Lili Shtrepin, Llaqi Janon, Uan Hilën, Novruz Gjergjovën, komandantin e skuadrës partizane që ka shoqëruar familjen e Spiro Moisiut nga Shijaku e Tirana në Staraveckë të Skraparit, e të tjerë. Takonte veteranët e luftës që kthyen shtëpitë në baza për partizanët, siç ishte, Nëna Vasilika Gogu në lagjen Stan të Lushnjes, që e ktheu shtëpinë në çerdhe të partizanëve dhe hodhi në luftën çlirimtare 4 partizanë nga familja e saj, nipin Uan Gogu, nga partizanët e parë në Lushnje (dëshmor i Atdheut) dhe tre djemtë e saj, Miti, Xhoxhi dhe Llazar Gogu, takonte partizanen veterane Merjeme Çarçani (Kurti) nga fshati Ngurrëz, që familja e saj Kurti, i dha luftës 7 dëshmorë nga një truall e të tjerë.
Takonte gjithashtu dhe fshatarët që e strehuan gjatë luftës atë dhe familjen e tij, si dhe shokët e tjerë ilegalë, takonte fshatarin patriot Laze Liko, një burrë i vjetër trim me veshjen karakteristike të fshatarit me peshqirin rreth qafës e takien e bardhë të myzeqarit në kokë, që priti e përcolli në shtëpinë e tij shumë partizanë ilegalë. Spirua sa herë e takonte Xha Lazen i thoshte duke qeshur, na trego atë historinë me Ali Beun, ishte fjala për Ali Bej Këlcyrën, që midis pronave të tjera, kishte çiflikët e tij dhe në Myzeqe dhe jo një sipërfaqe toke të caktuar, por çifliqe në fshatrat, Rrupaj dhe Zhelizhan. Në fshatin Rrupaj të Myzeqesë, jetonte dhe Xha Lazia, që nisi të tregonte:
-“Më takoi Ali Beu një ditë, ishte e martë që bëhej pazar në Fier, ku kisha shkuar për të blerë farë misri. Ali Beu më ftoi për kafe. S’kishte më shumë hallin e kafes, por donte të dinte se ku strehohej Spiro Moisiu dhe Llazar Bozo, si dhe familjet e tyre.
-Nuk e di,- i thashë,- nuk i njohë as Spiro Moisiun, e as Llazar Bozon.
Ai ngulte këmbë, se kishte të dhëna nga spiunët e tij, se Spirua dhe Llazari ishin strehuar disa herë në shtëpinë time. Aliu donte të më joshte, të më falte një sipërfaqe toke, një arë në breg të lumit Seman me gjithë tapi, veç t’i tregoja se ku strehoheshin këta dy komunistë. Dhe porositi kamarjerin të bënte gati drekën.
-Mos më përzje me komunistët,- i thashë,- unë jam bujk dhe shoh hallet e mia,- dhe u ngrita, mora kalin, ngarkova thasët e misrit dhe ika duke i lënë drekën pa ngrënë Ali Beut.
-Qofsh me shëndet Bej!- i thashë. Ai kërciti dhëmbët dhe përplasi grushtin në tavolinë.
Të pranishmit qeshën, ndërsa Gjenerali e përqafoi Xha Lazen.
-Trima si ty donte lufta,- i tha Spirua,- ti vërtetë nuk dole partizan, se
dhe mosha s’të lejonte, por luftove në një front tjetër, në prapavijë, që na mbrojte krahëmarjen nga armiku.
Pastaj, para fjalimit të rastit, partizanët veteranë parakaluan në rresht dhe Komandant Spiron e vunë në krye. Dikush e mori Gjeneralin për krahu për t’a ngjitur në podium, se do mbahej fjala e rastit nga i deleguari. Spirua s’i kishte shumë qejf presidiumet, por protokolli zyrtar e donte që Komandanti i luftës të ishte aty midis personaliteteve të rrethit. Lushnja ka shumë kujtime me Spiro Moisiun, siç ka patur dhe ai kujtime me shokët e luftës, që hodhën hapat e para në rreshtat partizane që në pranverën e vitit 1942.
Ky ishte Gjeneral Moisiu, Komandanti i Shtabit të Ushtrisë Antifashiste Nac.Çl., i lidhur ngusht me shokët e luftës, me partizanët luftëtarë të lirisë. Nuk harronte të bënte vizita dhe në familjet e dëshmorëve të Myzeqesë, disa prej të cilëve i kishte njohur personalisht, kur në fillimet e luftës i shkuan pas majorit të atyre viteve, duke patur besim tek aftësitë e tij ushtarake, patën besim tek ideali i luftës, por s’i gëzuan frytet e saj, se mbetën atje në shpatet e luginat e maleve si yje të pashuar.
Spiro Moisiu ishte nga ata patriotë e atdhetarë, që spikati kudo e kurdoherë drejtë progresit, drejtë aksioneve atdhedashëse, siç kanë qenë shumë ngjarje historike në dekadat e para të shekullit të XX-të, ku ai ka qenë pjesëmarrës aktiv me armë në dorë. Konkretisht, ai u gjend në Lushnje që në hapat e para të karrierës së tij ushtarake, në përbërje të forcave mbrojtëse të Kongresit Historik të Lushnjes në janarin e vitit 1920. Dhe në 1924, u rreshtua me forcat ushtarake në Revolucionin Demokratik të Qershorit nën drejtimin e demokratit Fan Noli, për përmbysjen e monarkisë. Ndërsa periudha 1939-44, ka qenë për Spiro Moisiun një gur prove i atdhetarisë së tij, ku në të gjitha ngjarjet e rëndësishme që kanë ndodhur, ka qenë jo vetëm protagonist, por ka rënë në sy pozicioni që ka mbajtur, gjithnjë në anën e patriotizmit atdhetar, në anën e progresit, gjithnjë ka sakrifikuar edhe veten për Atdheun e popullin e tij.
Ishin ditët e para të korrikut 1943, kur ai u nisë nga Lushnja drejtë Labinotit historik, i shoqëruar nga një skuadër partizanësh myzeqarë nën drejtimin e Irakli Bozos, për të marr përsipër detyrën kaq të lartë, të vështirë e me përgjegjësi, të Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nac.Çl. Dhe kjo ishte përgjegjësia më sublime përballë një armiku të egër e të organizuar, që kërkonte jo vetëm guxim, trimëri e vendosmëri, por edhe kapacitet drejtues, edhe aftësi profesionale ushtarake, por dhe njohje e zbatim të një strategjie të re e të panjohur tek ne, siç ishte lufta partizane, të cilën Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandanti i tij Gjeneral Spiro Moisiu, e vunë në zbatim me sukses, duke korrur fitore hap pas hapi në betejat luftarake , deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Mbas çlirimit, pavarësisht dritë-hijeve që e ndoqën pas në karrierën e tij, ai mbeti kurdoherë besnik i idealeve të luftës, besnik i popullit e Atdheut të tij. Eshtë pa kuptim, që shpesh në dokumentat e luftës të botuara, emri i Gjeneral Spiro Moisiut në mjaftë raste është censuruar, flitet e shkruhet për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nac.Çl., përmendet Komisari, Enver Hoxha dhe nuk përmendet Komandanti Majori dhe më pas Gjenerali Spiro Moisiu! Sigurisht, këto qëndrime e veprime nihiliste, nuk e errësojnë aspak rrolin dhe figurën e tij si Komandant i Shtabit drejtues të asaj lufte legjendare, siç ishte Lufta Antifashiste Nac.Çl.
Eshtë në nderin e gjithë shoqërisë sonë të nderoj këto figura, që dhanë gjithçka për këtë popull e këtë vend, jo në kushte të qeta paqe, por në situata të vështira lufte, kur kishin përballë pushtuesit nazi-fashistë, kur vërshëllenin mbi kokë plumbat e predhat e artilerisë dhe këta idealistë e patriotë, vunë në shërbim të Atdheut gjithçka, kontributin e paharruar, deri dhe jetën e tyre sublime.
* * *
Kohët e fundit, një Institut shtetror për studimin e krimeve të komunizmit, akuzon midis të tjerëve dhe shumë figura të shquara të Luftës Antifashiste Nac.Çl., që i etiketon, “Kriminelë”, duke përfshirë në të dhe Komandantin e kësaj lufte legjendare, Gjeneral-Leitnant Spiro Moisiun. Eshtë absurde të ngatërrosh Luftën Antifashiste Nac.Çl. që shporri pushtuesit nazi-fashistë, çliroi vendin dhe i solli popullit lirinë e pavarësinë e tij, me sistemin komunist që u instalua pas çlirimit të vendit. Komandantët, dëshmorët e rënë dhe masa e partizanëve që u përfshinë në atë luftë çlirimtare, nuk luftuan dhe nuk e dhanë jetën për komunizmin, bile pjesa dërrmuese e tyre as që kishin dijeni se ç’ishte ideologjia komuniste, por luftuan për idealet e lirisë, pavarësisë dhe të çlirimit nga pushtuesit e huaj nazi-fashistë.
Dihet tashmë nga historia, që në atë luftë çlirimtare u përfshi i gjithë populli shqiptarë, pa dallim feje, krahina dhe ideje, punëtorë, fshatarë e intelektualë, të rinj e të reja, patriotë e nacionalistë, komunistë e demokratë të idealeve të ndryshme, pavarësisht që gjatë periudhës së luftës pati individ e grupime politike, që i devijuan qendrimet e tyre dhe u bashkuan me armikun. Nga bijtë e bijat e popullit shqiptarë, sipas statistikave historike, u përfshinë në formacionet partizane rreth 70 mijë luftëtarë të lirisë dhe vetëm rreth 2000 prej tyre ishin komunistë që kishin pranuar këtë status, pa e ditur se si do të ishte fati i sistemit që do të instalohej pas mbarimit të luftës. Dhe nga ky numër i kufizuar komunistësh, nuk mund të etiketohet e gjithë ajo luftë popullore çlirimtare, si “luftë komuniste”!
Periudha e luftës Nac.Çl. 1941-44, nuk lidhej me komunizmin, ishte situatë lufte, ishte në fuqi diktatura e nazi-fashizmit me krimet e saj ndaj popullit shqiptarë. Krimet e kryera në atë periudhë ishin krime lufte, si nga armiku dhe nga çlirimtarët. Në betejat e luftës objekti ishte armiku, por aty përfshiheshin edhe ata që bashkëpunonin me të. Dhe s’ka si të ishte ndryshe.
Shqipëria në atë luftë çlirimtare mbajti anën e progresit, anën e koalicionit fitimtar botëror kundër nazi-fashizmit, anën e çlirimtarëve. Pra, lufta Antifashiste Nac.Çl. ishte vija e demarkacionit, që e ndau Shqipërinë nga nazi-fashizmi dhe kolaboracionizmi dhe e rreshtoi me bllokun e progresistëve, e fitimtarëve, duke i siguruar popullit lirinë e pavarësinë e plotë.
Spiro Moisiu dhe shumë figura të tjera patriotësh e atdhetarësh si, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Baba Faja, Omer Nishani e shumë e shumë të tjerë, ishin pjellë e kohëve revolucionare që kalonte Shqipëria, ishin pjellë e një epoke të rëndë për fatet e Kombit tonë. Ata i përkisnin atij brezi, që ajo kohë revolucionare i ushqeu me ndjenja të flakta patriotike, duke iu kundërvënë shtypjes e padrejtësive feudo-monarkiste dhe pushtimeve nazi-fashiste, duke zgjuar në atë brez idealist, ide e veprime të një agimi që po rilindte. Sigurisht, rrugët për të parë atë dritë në errësirën e atij tuneli të gjatë e të thellë, ishin të vështira e me plotë sakrifica.
Të lëshosh akuza të tilla të pabazuara, të pagjykuara e pa vendime gjyqësore për figura të larta patriotësh e atdhetarësh, siç ishte dhe Spiro Moisiu, që tërë jetën ia kushtoi idealeve të Atdheut dhe të mbrojtjes së vendit, duke vënë shpesh herë edhe jetën në rrezik, është një shtrëmbërim dashakeqës dhe një mohim i qëllimshëm për këta heronjë të pakontestueshëm të luftës çlirimtare. Jo vetëm kaq, por është një shtrëmbërim i qëllimshëm edhe ndaj luftës së lavdishme Antifashiste Nac.Çl, që përbën medalionin e artë në faqet e lavdishme të historisë së popullit tonë.
Vlerat e mëdha të asaj lufte Antifashiste Nac.Çl, nuk i takojnë vetëm historisë dhe atij brezi që sakrifikoi gjithçka, por dhe shoqërisë së sotme, për të cilat janë të shtrenjta pavarësia dhe çlirimi i Atdheut, dinjiteti i njeriut, liria e mendimit dhe progresi i pandalshëm social-demokratik. Ndaj çdo orvajtje për të deformuar e akuzuar figurat dhe heronjtë e luftës Nac.Çl., është një atentat që i bëhet historisë moderne shqiptare dhe kujtimit të pavdekshëm të komandantëve, partizanëve dhe heronjëve që dhanë jetën e rininë e tyre për lirinë e pavarësinë e vendit. Gjeniu i letrave, Balzak shkruan: “Kush humbet respektin për historinë e të parëve të tij, ndihmon në shkatërrimin e atdheut të vet”.

E keni gabim. Ceta e pare eshte Ceta e Pezes,
Ceta e dyte eshte Ceta e Skraparit me Mestan Ujaniku qe u denua fatkeqesisht dhe Gjinishi Marku Komisar.
Pastaj vine cetat e tjera.
Jepni hakun e mos I ekzagjeroni gjerat.
https://sq.wikipedia.org/wiki/Spiro_Moisiu
Spiro Moisiu ndryshe Spiro Koxhobashi[1] (Kavajë, 5 maj 1900 – 12 prill 1981) ka qenë ushtarak i lartë shqiptar, gjeneral-major i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Spiro Moisiu ka qenë i ati i ish-presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu. Mojsiu përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”
Ok Paul,shko perqafohu(pirdhu) me Dashnor Kalocin!
Te fala sateme Paul dhe gjithe filo fashisteve
Shoku Jovan ;keto vite te pleqerise te eshte mbushur mendja qe te behesh dhe historin dhe biografer gje qe per mendimin tim jane te veshtira per ju duke par nivelin tuaj te ulet intelektual (ke qene nje mesues I zakonshem ne Lushnje qe me ndihmen e Bozallareve dhe Xhorxh Robos perfundove ne komitetin qendror) . Ju filloni te shkruani per Spiro Moisiun qe ka qene nje figure e rendesishme e luftes N-C dhe duhet studiuar nga historian dhe duke vazhduar filloni dhe mereni me synimin tuaj qe te besh Xhorxh Robon te rendesishme duke ja futur shokeve te luftes e hengri rahat ter jeten nen kuroren e frontit demokratik , po ashtu Pip Bakalli i derguari nga komiteti qarkor qe rrinte “illegal” hante dhe pinte neper baza te lufes dhe nuk shkrehu asnje pushke. Po ashtu ngele duke bere te rendesishem Irakli (kiu) Bozon qe ka qene nje nga kriminelet me te keq qe ka pasur diktatura dhe emri i tij si nen kryetar i gjykates se larte eshte nje emer qe shkakton neveri te shumica e shqiptareve .