Ligjet demokratike dhe e ashtuquajtura “demokraci hibride”

Ornela

Av.Eduard Mullaraj

Sipas raportit më të fundit të organizatës “Freedom House”, “Shqipëria vazhdon të përcaktohet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion.

Në raport thuhet, se në Shqipëri qeverisja në nivel kombëtar është demokratike, por e dominuar nga politika partiake klienteliste. Zgjedhjet janë përgjithësisht konkurruese, por ato shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera”.

Shteti demokratik përcaktohet nga objektivat që i vë vetes dhe mjetet nëpërmjet të cilave do t’i arrijë ato. Ai duhet të jetë në mirëkuptim me shtetasit, të qeverisë demokratikisht çështjet e tyre, të kuptojë sa duhet nevojat dhe aspiratat e zhvillimit njerëzor e të pasurimit kulturor. Është fakt se pushteti në Shqipëri shpesh herë ka rënë në duar të disa njerëzve pa kurrfarë aftësimi, që vuajnë nga komplekse patologjike të mbledhura përgjatë kohërave, duke u gjendur përballë ngasjeve të agresivitetit dhe padrejtësisë. Pikërisht kjo ka prodhuar demokracinë hibride. Demokracia e vërtetë ka për motor dashurinë për njerëzit, përkujdesjen për ta. Ndryshe demokracia nuk është gjë tjetër veçse një karikaturë, sado etikë mashtruese të përdorë. Shteti bën padrejtësi dhe dëmton veten nëse nuk ushtron autoritetin e vet moral në ushtrimin dhe shëndoshjen e virtuteve njerëzore e qytetare.

Sigurisht këto janë mëkatet e njohura të politikës shqiptare gjatë gjithë tranzicionit të stërgjatur 30 e ca vjeçar, të dominuara nga politika partiake klienteliste, apo manipulimi i votave, përderisa në shumë raste paraja drejton politikën dhe korrupsionin. Nuk mund të mohohet se niveli i sjelljes së qyetëruar politike ka rënë edhe më shumë gjatë viteve të fundit dhe partitë kanë shfaqur mosmarrëveshje të forta, jo parimore,  për çështje të vijës së përgjithshme politike.

Politikanë e zyrtarë të lartë e kanë përdorur paranë  e shtetit si të ishte llogari personale. Po ashtu janë pranuar honorare të majme të lëshuara nga ata që kërkojnë më tepër influencë dhe që legjislacioni të marrë formë sipas interesave të tyre. Forma korrupsioni të kasaj kategorie i shohim gjithandej. Ata propozojnë dispozita të errëta në Kodin Penal apo atë Fiskal për klientët e tyre. Hidhen në diskutim ligje që janë dukshëm të njëanshëm, ose të keqpërpiluar, saqë të bëjnë të mendosh se si është e mundur që ato paraqiten.

Politikanët i përdorin paratë, të përfituara me tendera e koncensione nga të paligjshme dhe absurd, për të mbajtur statusin dhe pushtetin. Shuma  e parave të shpenzuara në fushata elektorale të lë pa frymë, sidomos kur është fjala për garat elektorale të bashkive. Prandaj duhet rishikuar legjislacioni për financimin e fushatave elektorale. Ndikimi i grupeve  të interesit mbi kandidatët është i madh. Rol negativ kanë luajtur  edhe mediat, të cilat janë filtri përmes të cilit gjykohet vota, analizohen deklaratat, ekzaminohen bindjet dhe perspektivat. Zhurmat  e amplifikuara nga televizionet dhe interneti e kanë egërsuar kulturën politike, kanë ndihmuar në kulturën e mosbesimit dhe braktisjes nga elektorati. Në hartimin dhe miartimin e ligjeve nuk ka psur asnjë minimum mirëbesimi.

Bërja  e ligjit është një proces i ngjeshur,  produkt i disa kompromiseve të vegjël e të mëdhenj, i udhëhequr nga qëllime politikisht legjitime, rregulloresh e trukesh , për të pasur aprovimin e zgjedhësve dhe për t’u shërbyer atyre.

Hidhet për diskutim ndonjë ligj që është dukshëm i njëanshëm, ose i keqpërpiluar, si për shembull ligji për kultivimin e kanabist mjekësor, në vend që të përfshihen në diskutim dispozita për shtimin e prodhimit të energjisë alternative, që përmirëson gjendjen aktuale dhe pakëson varësinë nga të huajt, apo të diskutohen dispozita ligjore për pastërtinë e ajrit, duke krijuar një sistem bashkëpunimi me koorporatat, futjen e një teknologjie të re në industrinë  e naftës, në industrinë nxjerrëse e përpunuese të qymirgurit e metaleve, me të cilat Shqipëria është sa e bekuar, aq dhe e keqpërdoruar.

Në pamje të parë duket se çdo gjë kalon lehtë në parlament, duke përdorur kartonat e maxhorancës. Por në të vërtetë çdo ligjvënës, pavarësisht nga pozicionimi partiak, nuk është i imunizuar nga çastet e vështira, pavarësisht mënyrës si voton dhe ku e hedh votën, pasi një ditë do i duhet patjetër të ballafaqohet me zgjedhësit se, në fund të fundit, ata janë mbështetsit e tyre që garantojnë pushtetin. Në këtë proces edhe minoranca duhet të ketë njëlloj mbrojtjeje, të japë mendimin e saj për çdo ligj që paraqitet, pasi produkti legjislativ duhet të jetë rezulatat i një kompromisi të arsyeshëm dhe të paanshëm. Loja mazhorancë – opozitë duhet të bëhet brenda kufijve të ligjshmërisë. Bipartizanizmi i mirëfilltë presupozon atë proces të ndershëm shkëmbimesh dhe atë cilësi të kompromisit, që matet me sa mirë i shërben ai disa qëllimeve të paravendosura. Pra maxhorancës i bie barra të negociojë ndershmërisht, si në politikat fiskale ashtu edhe ato administrative e penale.

Një gjykim objektiv, i pjekur mirë, i mbështetur në realitetin e fakteve dhe të interesit sipëror të njerëzve, na çon drejt nismash të reja, pse jo revolucionare, edhe pse përplasen me antagonizmat e rutinat. Të gjithë kemi nevojë për njëri – tjetrin pavarësisht nga rangu apo fuqia që zotërojmë. Politika integruese evropiane nuk duhet të jetë në kundërshti me idealin patriotik të secilit prej nesh, përderisa jemi një komb me strukturë, me unitet të brendshëm dhe kemi përreth shumë fqinj që sillen si kundërshtarë dhe, hera – herës edhe si keqdashës. Demokracia jonë , megjithëse zhgënjyese, prapëseprapë jep mundësi teknike për të lehtësuar peshën që rëndon mbi politikanët, me ndryshimet në strukturë, që lehtësojnë lidhjet midis zgjedhësve dhe përfaqësuesve të tyre.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *