Histori për Kapjen e Shtetit nga organizata mafioze dhe vënien e tij në shërbim të qëllimeve të tyre kriminale, ka pafund. Këto organizata financojë direkt a indirekt që njerëz të tyre të katapultohen në rangje sa më të larta shtetërore (qendrore a vendore) me qëllim që t’u japin sa më shumë liri veprimi në punët e tyre. Dhe, për këtë, marrin pjesën e tyre të shpërblimit në vlerë monetare ose në aksione, qoftë edhe në emër të të tretëve.
Edhe në Shqipëri është folur për këtë fenomen, por asnjëherë nuk ka pasur një rast të dokumentuar për një kapje mirëfilli të shtetit. Me rastin Asnar ditët e fundit ka dalë në skenë një skemë e Kapjes së Shtetit. Por, në ndryshim nga mënyrat e paraqitura më lart, kjo lloj Kapje e Shtetit zhvillohet në një qark të mbyllur brenda në hierarkinë më të lartë ekzekutive të shtetit. Nuk kemi pra një organizatë kriminale që fut njerëzit e saj në shtet, por kemi vetë shtetin që vetëkthehet në një organizatë kriminale brenda vetë shtetit.
Situata, dikur në tym, tashmë është qartësuar. Vetë protagonistët kanë folur. Sipas rastit, me audio, video apo me deklarata publike. Kanë pranuar ato që kanë thënë kur janë takuar apo kur i kanë shkruar sho-shoqit me postë elektronike. Për të shkuar te Kapja e Shtetit janë dashur vetëm 4 etapa:
Etapa e parë: Gjendet një biznesmen i cili tregohet i gatshëm të investojë paratë e tij në Shqipëri. Etapa e dytë: I krijohet mundësia investitorit (në rastin konkret, i huaj) që të takohet me kryedrejtuesin e ekzekutivit (njëkohësisht edhe Babai i Vajzës) për t’i shpalosur plan- projektin e tij të investimit. Etapa e tretë: Plan- projekti miratohet në parim si ide dhe i sugjerohet investitorit që të plotësojë të gjithë dokumentacionin sipas legjislacionit pranë studios ligjore e cila drejtohet nga Vajza e Babit. Etapa e katërt: I kërkohet investitorit që t’i paguajë Vajzës së Babit 3 për qind të vlerës së investimit si pjesë e suksesit të miratimit të plan- projektit nga Babi i Vajzës.
Etapa e pestë: Investitori heq dorë nga zbatimi i plan- projektit pasi 3 përqindëshi i investimit të tij është i barabartë me një humbje prej 3 milionë eurosh. Në këtë humbje nuk po përfshij çmimin e lartë të tokës të ofruar për shitje nga Vajza e Babit.
Duke parë këtë rrjedhë, Kapja e Shtetit është mëse e qartë. Gjithashtu, shfaqja e konfliktit të interesit është në kulmin më të lartë të saj. Fatmirësisht, konflikti i interesit është kryer 2 vjet pasi është miratuar edhe ligji me të njëjtin emër. Pra, zyrtari ka qenë i njohur për shkeljen që ka bërë dhe i ndërgjegjshëm për pasojat që pasrrjedhin. Rasti duket se ka mbetur në tentativë, por në asnjë nen të Kodit Penal nuk gjen një nen që ta përjashtojë ndjekjen penale kur ajo mbetet në tentativë.
Duke iu referuar Ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, ka disa nene tipike që e shprehin qartë këtë konflikt midis Babit dhe Vajzës. Për ata që duan ta lexojnë të gjithë ligjin, mund ta gjejnë te linku: http://www.hidaa.gov.al/ligji-nr-9367/.
Opinion i nënshkruar: Altin Ketro