Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka diskutuar dje rreth ndryshimeve në Kodin Doganor lidhur me kërkesën për hapjen e “Duty Free Shop” në të gjitha pikat doganore. Në këtë seancë, e pranishme ishte kreu i Doganave, Irena Beqiraj, e cila ka theksuar gjatë prezantimit të saj se këto ndryshime kanë si synim të zgjerojnë llojet e dyqaneve të tilla në të gjitha pikat doganore, të cilat do të kenë një kontribut të ndjeshëm edhe në turizmin shqiptar. “Vërtet më parë ka pasur problematika me dyqanet pa taksa nëpër pikat doganore, por administrata doganore ka evoluar tani dhe kontrolli do të jetë më i lartë”, u shpreh Beqiraj, duke shtuar se autorizimet për të tilla dyqane do të jepen nga Ministria e Ekonomisë. Në mbledhjen e komisionit ka pasur kundërshtime nga deputetët opozitarë, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me këto ndryshime, ku sipas tyre, ligji për Doganat tani është miratuar dhe për këtë projekt nuk janë kryer studimet e duhura.
