Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë” .
Ky projektligj synon të përcaktojë detyrimet dhe të drejtat e të gjithë aktorëve, si dhe mënyrën se si do të mbështetet financiarisht kjo skemë. Implementimi i saj do të bëhet për çdo rrymë mbetjeje në kohë të caktuara, referuar përgatitjes së tregut dhe konsumatorit me këtë lloj procedure. Projektligji i ri vendos rregullat e përgjithshme të funksionimit dhe zbatimit të sistemit të depozitës për menaxhimin e mbetjeve në të gjithë territorin e vendit tonë.
Funksionimi i sistemimit është parashikuar të realizohet me anë të futjes së nocionit të depozitës në formën e një vlere monetare të vendosur mbi vlerën e produkteve përpara hedhjes së tyre në treg. Miratimi i projektligjit nuk ka efekte në buxhetin vjetor të shtetit për vitin 2015. Ndërkohë, që klasifikimi i mbetjeve dhe përdorja e tyre për riciklim nuk ka funksionuar, madje është bërë shpesh pjesë e debatit të pushtetit vendor dhe atij qendror. Projektligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës.
Qeveria propozon një mekanizëm të ri për të mbledhur mbetjet e riciklueshme që nga plastika deri tek vajrat e makinave apo pajisjet elektrike e elektronike. “Vendoset një çmim pak më i lartë dhe këtë vlerë konsumatori e rimerr me kthimin e ambalazhit në pikën e grumbullimit”, shpjegon deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare për TCh.
Vendosja e një vlere shtesë mbi çmimin e produktit për t’ju rikthyer sërish konsumatorit kur dorëzon ambalazhin e tij te riciklueshëm, është një praktikë e ndjekur në shumë vende të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Ndonëse diskutimi është ende në parim dhe nuk dihet sa do të jetë kjo shumë apo mënyra se si do të vihet në zbatim, në shumë vende ka funksionuar përmes një koncensionari që duhet të investojë në të gjitha pikat e grumbullimit apo pajisjeve automate të cilat u bashkangjiten qendrave tregtare apo supermarketeve.
