Ligji i procedurave tatimore, lehtësohet e-taxation

anazapta

Ministria e Financave ka hartuar projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, me propozimet e paraqitura në projektligj është reflektuar nevoja e ndryshimeve me qëllim që t’i hapet rrugë ligjore implementimit të sistemit të ri informatik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në përshtatje me praktikat më të mira të njohura gjerësisht. Në kuadrin e realizimit të projektit për implementimin e sistemit të ri informatik të tatimeve, janë të nevojshme disa ndryshime procedurale dhe teknike, me qëllim lehtësimin e procedurave për tatimpaguesit, në kuadër të sistemit të ri e-taxation dhe lehtësive që ky sistem parashikon të ofrojë. Aktualisht, vlerësimet, njoftimet, vendimet dhe komunikimet zyrtare të administratës tatimore, drejtuar tatimpaguesit, i dërgohen atij në adresën e deklaruar nga vetë ai nëpërmjet shërbimit postar rekomande. Në këtë nen shtohet edhe mesazhi elektronik si mënyrë e komunikimit zyrtar. Data e dërgimit të mesazhit elektronik konsiderohet si datë e marrjes së njoftimit. Ky ndryshim synon, gjithashtu, të thjeshtojë procedurat e komunikimit, gjë që ndikon në uljen e kostove administrative, si për tatimpaguesit duke u krijuar atyre më shumë lehtësi, ashtu dhe për vetë administratën tatimore. Po kështu propozohet riformulimi i pikës 4, të nenit 40, “Regjistrimi i personave që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe jotregtare”, për të ndarë dhe saktësuar dy momente të regjistrimit të dy kategorive të tatimpaguesve. Për tatimpaguesit që kanë detyrimin të regjistrohen paraprakisht në QKR, ky regjistrim shërben njëkohësisht edhe si regjistrim në administratën tatimore, si dhe në skemat e sigurimit shoqëror e shëndetësor, të Inspektoratit të Punës dhe organeve doganore. Në kategorinë e tatimpaguesve të tjerë që kanë detyrimin të regjistrohen direkt në administratën tatimore përfshihen organizatat jofitimprurëse, përfaqësuesit tatimor, të vetëpunësuarit si ambulantë etj. dhe kryefamiljari që punëson individë si punëtorë shtëpie, kujdestarë etj. të kësaj natyre.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *