Ligji i ri: Kush do jenë anëtarët e prokurorisë dhe ‘FBI’-së

Elton Tafaruci

Zbardhet projektligji për Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë e Hetimit. Kreu i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga prokurorët e posaçëm. Drejtori i Byrosë së Hetimit do zgjidhet nga Këshilli i Prokurorisë, por do japë llogari para Prokurorisë së Posaçme. Familjarët e prokurorisë dhe byrosë duhet të heqin dorë nga privatësia

Krahas diskutimeve për paketën e ndryshimeve kushtetuese, në kuadër të Reformës në Drejtësi, ka përfunduar së hartuari edhe paketa e ndryshimeve ligjore që do të miratohen për ta bërë këtë reformë të zbatueshme në praktikë.

Një prej projektligjeve që ka përfunduar së hartuari dhe që pritet t’i nënshtrohet diskutimit nga komisioni i posaçëm i reformës, është edhe ai “për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” ose thënë ndryshe drafti i Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Drafti që është diskutuar paraprakisht në tryezat me grupet e interesit, parashikon mënyrën e ngritjes së strukturave përkatëse të Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë së Hetimit, kompetencat dhe fushën e veprimit të tyre, si dhe vartësinë dhe mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve të tyre.

Kështu, sa i përket Prokurorisë së Posaçme, sipas këtij projektligji ajo parashikohet të ketë të paktën 10 prokurorë të posaçëm, të cilët do emërohen nga Këshilli i Prokurorisë dhe do të hetojnë dhe ndjekin të gjitha veprat penale ndaj zyrtarëve të lartë, duke filluar që nga Presidenti i Republikës, ish-presidentët, kryeministrat, ish-kryeministrat, ministrat dhe ish-ministrat, deputetët dhe të zgjedhurit vendorë dhe për të përfunduar me gjyqtarët dhe prokurorët, përfshi edhe ata të vet Prokurorisë së Posaçme.

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme do të jenë të pavarur nga çdo prokuror tjetër, përfshirë drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme nuk mund t’i udhëzojë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për thelbin e hetimit apo themelin e asnjë çështje. Prokuroria e Posaçme do jetë e pavarur dhe do përfaqësojë akuzën në të gjitha çështjet ku përfshihen zyrtarët e lartë.

Ndërkohë që kreu i kësaj prokurorie do zgjidhet nga vet trupa e prokurorëve të posaçëm për një mandat trevjeçar pa të drejtë rizgjedhje. Ndërkohë që Byroja Kombëtare e Hetimit përcaktohet si një seksion i specializuar i policisë gjyqësore, e cila mbikëqyret dhe vepron vetëm nën drejtimin e prokurorëve specialë të Prokurorisë së Posaçme.

Byroja Kombëtare e Hetimit përbëhet nga drejtori, hetuesit dhe punonjësit. Drejtori është përgjegjës për funksionimin administrativ të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ai zgjidhet pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, ku një komision prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, përfshirë drejtuesin e saj, rekomandojnë një kandidat për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Drejtori ka mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë. Kandidatët për anëtarë të Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit, përfshirë drejtorin, hetuesit dhe punonjësit e tyre, duhet të përmbushin kushtet e sigurisë të përcaktuar në këtë ligj, përfshirë verifikimin e personalitetit dhe heqjen dorë nga e drejta për privatësi në telekomunikime dhe llogari financiare, të firmosur nga kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *