Kalohet dhe një tjetër ligj vetëm me votat e mazhorancës parlamentare. Ishte ligji për disa ndryshime në Statistikat Zyrtare ai i cili ndau sërish dje opozitën dhe pozitën në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Pavarësisht kundërshtive të deputetëve socialistë, demokratët në komision i miratuan pa votat e tyre ndryshimet në ligjin për statistikat zyrtare. Sipas ndryshimeve, drejtuesi i INSTAT zgjidhet nga Kryeministri por do të ketë një mandat të kufizuar 5 vjeçar. Të gjendur përballë këtyre propozimeve, ligjvënësit e opozitës kundërshtuan ndryshimet duke argumentuar se ky institucion duhet të jetë në varësi të Kuvendit dhe jo të kryeministrit. “Mos ka ardhur koha të varet nga Kuvendi dhe jo nga çdo qeveri?! Kjo është pyetja ime në thelb dhe është konceptuale, nuk është pyetje për të thënë që nuk varet nga Kryeministri apo këshilli i statistikave, varet nga qeveria e kështu me radhë. Kam lexuar progres raportin e 2012-ës ku ju kritikon për vonesën e programit 5-vjeçar që duhet t’a votonit në janar të 2012-ës dhe e keni votuar në nëntor. Është e mjaftueshme vetëm kaq gjë, që, anëtarët e këshillit të statistikave jo vetëm të shkarkohen tani në 2013 po të mos jenë pjesë e këshillit të statistikave së re mbasi të miratohet ky ligj bashkë me drejtoreshën e përgjithshme”, argumentoi deputeti i PS-së, Bashkim Fino, gjatë diskutimit të tij në komision. Deputetët e opozitës në komision akuzuan INSTAT për falsifikime të të dhënave zyrtare dhe si një institucion, që sipas tyre, është direkt në vartësi të kryeministrit. Përfaqësuesit e INSTAT argumentuan se propozimet për ndryshimin e ligjit janë kryer në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar. “Ka patur një interes nga partnerët dhe Eurostat-i për sigurimin e pavarësisë profesionale të institucionit. Për këtë është kërkuar që në ligj të parashikohen të gjitha parimet që parashikon Kodi i Praktikës Statistikore Europiane, janë 15 parime. Një pjesë e tyre ishte në ligjin bazë por janë shtuar dhe parimet që sigurojnë cilësinë statistikore”, nënvizoi përfaqësuesi i INSTAT, Mal Demi. Kështu, pas votës së PD-së, ligji aktual “Për statistikat zyrtare”, i miratuar në vitin 2004, tashmë do të pësojë disa shtesa dhe ndryshime. Në një draft me 16 nene propozohen një sërë ndryshimesh, duke filluar që nga emërtesa e kreut të INSTAT, që nuk do të jetë më “Drejtor i Përgjithshëm”, por “Titullar i INSTAT-it”. Ligji i ri parashikon që për të siguruar besueshmërinë e publikut në statistikat zyrtare, INSTAT-i dhe agjencitë statistikore duhet të udhëhiqen nga parimet e Kodit të Praktikës së Statistikave Europiane. Organizimi dhe zbatimi i programit duhet të udhëhiqet nga disa parime si cilësia statistikore, rëndësia, saktësia, koha, përpikmëria, krahasueshmëria e të dhënave, etj. Në ligjin e ri INSTAT-i përkufizohet si “prodhuesi kryesor i statistikave zyrtare në Republikën e Shqipërisë dhe institucioni përgjegjës për koordinimin e funksionimin e Sistemit Kombëtar Statistikor”. Një pikë e rëndësishme e ligjit është struktura organizative e INSTAT-it, e cila miratohet me urdhër të Kryeministrit, pas propozimit të Këshillit të Statistikave. Siç dhe u miratua sot, titullari i INSTAT-it emërohet nga Kryeministri, pas kryerjes së një procedure publike rekrutimi nga Këshilli i Statistikave. Mënyra e kryerjes së kësaj procedure, afatet e njoftimit dhe kriteret për vlerësimin e kandidatëve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, sanksionohet në projektligjin e paraqitur për miratim në Kuvend nga qeveria.