Dy dështime në një ditë për kryeministrin britanik

Edona Llukacaj

Ligjvënësit britanikë kanë rrëzuar kryeministrin  Boris Johnson dy herë në një ditë.

Pak kohë pasi përfaqësuesit e dhmës së komunëve miratuan projektligjin që e parandalon largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje, ata votuan kundër mocionit të paraqitur prej tij për të mbajtur zgjedhje të parakohshme me 15 tetor.

Mocioni mori vetëm 298 vota, kur për miratimin e tij duheshin së paku  434.

Kryeministri Johnson tha se udhëheqësi laburist Jeremy Corbyn “është udhëheqësi i parë opozitar në historinë tonë që refuzon zgjedhjet”.

Shumica e deputetëve, përfshi edhe një numër konservatorësh, kishin miratuar vetëm pak më parë me 329 vota pro dhe 300 kundër, projektligjin për mosdaljen e Britanisë nga BE pa marrëveshje.

Sipas projektligjit të miratuar, kryeministrit britanik i duhet të kërkojë shtyrje të Brexitit përtej datës 31 tetor, nëse nuk arrihet një marrëveshje me BE-në.

Më parë, Johnson ishte shprehur se do ta implementonte Brexit, ndarjen e Britanisë nga blloku europian , më 31 tetor të këtij viti, edhe nëse nuk do të kishte një marrëveshje për largim.

Marrëveshja aktuale që është refuzuar nga ligjvënësit britanikë tre herë dhe ka sjellë edhe dorëheqjen e paraardhëses së Johnson, Theresa May, është e papranueshme për Britaninë, kryesisht për çështjen e kufirit me Irlandën.

Nga ana e saj, liderët e BE janë shprehur se nuk do të ofrojnë një marrëveshje të re, ndërsa sipas ekspertëve, largimi i Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje mund të ketë pasoja tepër negative, sidomos ekonomike, për shtetin në kërkim të ndarjes, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *