Mbrojtësi kuqezi ka studiuar kundërshtarin dhe beson se Shqipëria mund të marrë edhe fitoren në Oslo
Dritan Ikonomi
Andi Lila është optimist i përjetshëm. Mbrojtësi kuqezi është shprehur dje se ka besim për një rezultat pozitiv në takimin e së premtes, madje duke shtuar se Shqipëria ka mundësi të marrë më tepër se vetëm një barazim. Për më tepër, Lila nuk do ta quante surprizë nëse Shqipëria do të dilte me duart plot nga stadiumi “Ullevaal” i Oslos. “Unë jam tip optimist dhe futem në lojë për të fituar në çdo ndeshje”, tha Lila dje në kompleksin “Tropikal”, ku po stërvitet kombëtarja. “Nuk i dihet asnjëherë, futbolli kështu e ka. Humbëm ndeshjen e parë me Islandën dhe më pas fituam ndeshjen e dytë me Slloveninë, rezultatet që ndoshta nuk priteshin. Kështu që në bazë të kësaj logjike, nuk do të ishte çudi nëse e mundim Norvegjinë në fushën e saj. Mendoj se edhe skuadra jonë ka në përbërje lojtarë që kanë një farë moshe dhe kanë arritur një nivel pjekurie. Besoj se është në formë shumë të mirë dhe shpresoj në një rezultat pozitiv”. Duke ndjekur të njëjtën linjë si trajneri Xhani De Biazi, edhe Lila shton se në varësi të lojës mund të kënaqej me barazimin në fund, por në fushë do të hyjë me synimin për fitore. “Në varësi të lojës, barazimi mund të jetë një rezultat i mirë, por unë futem për fitore”. Për sa i përket grupit kuqezi, kavajasi shprehet pa mëdyshje se aty janë lojtarët më të mirë për momentin. “Besoj se të gjithë lojtarët që grumbullohen në kombëtaren shqiptare janë më të mirët dhe më në formë të momentit. Kjo nuk vihet në diskutim”, tha Lila.
Kundërshtari
Lila tregon se bashkë me ftesën për t’u bashkuar me kombëtaren, ai ka marrë nga trajneri edhe një dvd me ndeshje të Norvegjisë, për ta studiuar sa më mirë. “Para dy javësh, trajneri na ka nisur një dvd me ndeshje të Norvegjisë. Unë i kam parë me kujdes dhe kam vënë re se norvegjezët janë lojtarë shumë të fortë fizikisht dhe në lojën në ajër. Në goditjet standard janë gjithashtu shumë të fortë dhe kanë në përbërje lojtarë shumë të mirë e me eksperiencë të madhe”. Më tej, Lila nuk futet në detaje se si mund të luajë skuadra, duke ia lënë gjithçka trajnerit. “Se si do të jetë strategjia jonë dhe ku se ku do të bazohet loja, atë do ta vendosë trajneri. Ne kemi për detyrë të zbatojmë udhëzimet dhe unë besoj te rezultati pozitiv”. Të njëjtën gjë thotë lojtari edhe për rolin e tij, i cili ka ndryshuar shpesh në fushë.
Gjyqtari, “armiku” i vjetër
Nuk do të jenë vetëm sulmuesit norvegjezë ata nga të cilët duhet të ruhet Lila në ndeshjen kundër Norvegjisë. Ai duhet të bëjë kujdes edhe një nga “armik” i vjetër, Kevin Blom. Është gjyqtari i ndeshjes, ai që ka gjykuar edhe ndeshjen “famshme” të Josip Kuzhes, 0-2 në Bosnjë. Në atë takim, Lila, përveçse luajti mesfushor i majtë, u ndëshkua edhe me karton të kuq nga holandezi. “Unë kam marrë kartonë jo vetëm me gjyqtarin holandez, por edhe me të tjerë, pasi të gjithë e dinë që unë luaj fort në fushë. Por, në Bosnjë kartoni i kuq për mua ishte i ekzagjeruar. Tani më mbetet të shpresoj se ai nuk do të bëjë të njëjtin gabim, jo thjesht me mua, por për secilin nga ne”, tha Lila, për gjyqtarin holandez që ka pasur gjykime problematike edhe në ndeshje të tjera, përveç Shqipërisë.