Bashkëkryesuesi i Ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj thotë se heqja e taksës si kusht i vendosur nga Serbia për të vazhduar dialogun, do të duhej të vihet në shqyrtim për t’u pezulluar në momentin kur Beogradi zyrtar të pushojë arsyet përse është vendosur si e tillë.
Në një intervistë për KosovaPress, Limaj thotë se e kanë për obligim që çështja e të pagjeturve dhe të dhunuarve gjatë luftës, të jenë tema kryesore në bisedime, duke u zotuar se nuk do të ketë marrëveshje finale, pa u zbardhur fati i të pagjeturve dhe pa u hetuar rastet e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ai thotë se Kosova është gati të vazhdojë dialogun, por kjo varet edhe nga palët tjera.
“Tani për tani ne mendojmë që i kemi dërguar mesazhin tonë komunitetit ndërkombëtar që ne jemi gati. Ata duhet të punojnë me Serbinë që Serbia me qenë e gatshme për t’u ulur në tavolinë. Kurdo që Serbia është e gatshme me u ul në tavolinë, ne jemi të gatshëm për t’u ulur. Nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga palët tjera ”, ka thënë Limaj.
v.l/ Dita
