Lindja e dhimbshme e demokracisë shqiptare

redaktor

 

Këto shënime janë shkruar në tri kohë të ndryshme-24, 23 dhe 22 vite më parë-kur Shqipëria sapo kishte dalë nga sistemi i socializmit shtetëror dhe kishte nisur tranzicionin e saj të gjatë, të vështirë e të dyfishtë drejt një sistemi të demokracisë liberale e të ekonomisë së tregut. Ato u botuan për herë të parë në gazetën Koha jonë, më 17 dhe 18 shkurt 1994, nën titullin “Refleksione mbi demokracinë shqiptare”. Autori i riboton ato, të pandryshuara nga origjinali, për brezin e studentëve të sotëm, të lindur pas vitit 1994.

 

Nga Fatos Tarifa

 

Tiranë, 7 maj 1991

Pluralizmi politik, aq i domosdoshëm e i shumëpritur për ne, duket se është bërë tashmë një realitet i jetës shqiptare. Në politikë, në ekonomi, në filozofi, në art, në kulturë, në fushën e fesë, idetë dhe praktikat pluraliste i kanë zgjeruar dukshëm hapësirat krijuese të individit dhe dimensionet e demokracisë në vendin tonë, demokraci e cila, sidoqoftë, mbetet të sendërtohet çdo ditë e më mirë në një legjislacion modern që t’i hapë rrugë krijimit e konsolidimit të shtetit ligjor dhe të institucioneve e të praktikave demokratike.

Mjaft procese e zhvillime të vrullshme politike e sociale kanë ndodhur në Shqipëri që nga ngjarjet e dhjetorit të vitit të kaluar.Në një periudhë kohe kaq të shkurtër vendi ka përjetuar ndoshta më shumë ndryshime se ç’janë bërë për dekada të tëra gjatë këtij gjysmë shekulli të fundit. Nga njera anë, është shkatërruar shumë, është rrënuar edhe ajo ekonomi jo shumë e zhvilluar që ekzistonte. Kjo ishte absolutisht e panevojshme. Madje, në gjendjen në të cilën ndodhet vendi sot, me një ekonomi të rrënuar dhe me një shkallë papunësie të lartë, rrezikohen si restaurimi i rendit dhe i qetësisë publike, ashtu dhe rehabilitimi e shfrytëzimi efektiv i potencialeve ekonomike, çka do të pengojnë konsolidimin e shpejtë të një regjimi demokratik dhe realizimin e reformës ekonomike. Nga ana tjetër, në Shqipëri kanë filluar të hidhen bazat ligjore të një sistemi të ri dhe duket se përgjithësisht është arritur një marrëveshje popullore-ndonëse akoma jo edhe një marrëveshje politike-mes forcave politike të vendit.

Vendosja e pluralizmit politik i ka akseleruar së tepërmi ato procese reformuese të tipit Gllasnost që nisën të kryhen në fund të viteve 1980.Ndërkohë, dëgjohet shpesh të flitet për një përshpejtim të mëtejshëm të reformave politike dhe ekonomike. Sado që një ecje më e shpejtë në këtë drejtim është e domosdoshme, këtu duhet bërë kujdes i madh. Ajo çka cilësohet sot si “terapi shoku” (shock therapy), mund të sjellë nesër një gjëndje shoku, së cilës nuk mund t’i ndihmojë asnjë terapi. Polonia është vendi ku një terapi e tillë po aplikohet sot më gjerë se kudo, por është pikërisht një profesor i shquar polak, Viktor Osyantyski, ai që sugjeron se “përshpejtimi më i mirë i reformave është vazhdimi i politikave të nisura” (“Revolutions in Eastern Europe”, The University of Chicago Law Review, 1991, 58: 823-858). Sidoqoftë, Shqipëria nuk është Poloni, as Hungari, as Çekosllovaki. Në krahasim me Shqipërinë, këto vende të Europës Qendrore kanë qënë dhe janë shumë më të industrializuara e me një ekonomi shumë më të zhvilluar e më të diversifikuar, së cilës, kohët e fundit i janë injektuar disa miliardë dollarë ndihma e investime të huaja. Një “shok” në ekonominë shqiptare, së cilës i mungon edhe oksigjeni më i nevojshëm për të marrë frymë, për ta shndërruar atë brënda një nate nga një ekonomi tërësisht e centralizuar dhe e komanduar në një ekonomi të lirë tregu, mund të na zërë frymën të gjithëve e të çojë në krijimin e një tregu pa ekonomi. Buletini Ekonomik për Europën, botim i Sekretariatit të ECE-së, vinte në dukje pak kohë më parë se: “Një sistem ekonomik nuk është një mekanizëm i thjeshtë teknik që mund të ndërrohet si motori i një automobili kur ky nuk punon më siç duhet. Përkundrazi, ai është një strukturë tepër komplekse dhe e ndërvarur institucionesh, rregullash formale dhe joformale, vlerash dhe modelesh sjelljeje, të cilat janë zhvilluar me kohë në përputhje me një mjedis ekonomik dhe shoqëror të caktuar”.

Nga ana tjetër, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Europës Qendrore e Lindore, çështja e strategjisë së reformave ekonomike (nëse duhet një “big bang” apo një reformim gradual), duket se nuk është shoqëruar njëkohësisht me analiza politike të gjëndjes aktuale dhe të zhvillimeve perspektive të afërta në vende të veçanta.

Proceset dhe dukuritë sociale që shoqëruan lindjen e partive të reja politike dhe garën e tyre në fushatën elektorale e pas saj, për fat të keq, nuk ndikuan pozitivisht në stabilizimin e gjëndjes ekonomike të vendit. Ato, përkundrazi, duke e nxehur në maksimum temperaturën politike të vendit, jo vetëm rritën tensionet sociale, por krijuan, gjithashtu, një amulli të përgjithshme, paralizuan ecurinë normale të jetës, i thelluan konsekuencat negative të krizës ekonomike, e cila tani është bërë më e rëndë se kurrë.

Natyrisht, shkaku i krizës së sotme ekonomike nuk është krijimi i partive politike të opozitës. Rrënjët e krizës janë të thella dhe ato, me gjithë analizat e bëra, duhen zbuluar e denoncuar më mirë. Afirmimi i pluralizmit politik, përkundrazi, ka krijuar një klimë të re shoqërore, potencialisht të shëndetshme, jo vetëm për zhvillimin e mendimit të lirë dhe zgjerimin e dimensioneve humane, por edhe për ndërtimin e një arkitekture të re politike e të një baze të re ekonomike në shoqërinë shqiptare. Pa vendosjen e pluralizmit politik, fati i vendit, sot e në të ardhmen, nuk mund të dihet se cili do të ishte.

 

Tiranë, 3 prill l992

Në historinë e vjetër dhe të re, rrallë herë mund të ketë ndodhur që forca ose organizata politike opozitare ndaj një regjimi në fuqi të kenë ardhur në pushtet brenda një periudhe kaq të shkurtër nga krijimi i tyre, sa ç’është rasti i Partisë Demokratike në vendin tonë. Është tjetër gjë-dhe nuk ka pse të çuditemi-se sa shpejt, brenda disa ditëve ose javëve, në Shqipëri, si kudo në Lindje, u bënë më shumë ish-komunistë sesa komunistë. Fatkeqësisht, siç thotë një autor çek, askush nuk ka zbuluar dot një instrument i cili të mund të provonte dallimin midis komunistëve dhe ish-komunistëve në rrethana të tilla të veçanta. Pavarësisht nga kjo, me fitoren e thellë në zgjedhjet e lira të 22 marsit 1992, PD jo vetëm u provua se është një forcë politike kryesore në shoqërinë e sotme shqiptare, por edhe u bë forcë drejtuese e shtetit dhe e shoqërisë. Ajo tashmë është një parti në pushtet.

Gjatë gjithë këtyre ditëve është folur shumë për rezultatin e zgjedhjeve të 22 marsit.Të shumtë janë ata që mburren se këtë rezultat e kishin parashikuar me kohë. Është e vërtetë se fitorja e opozitës pritej, por asnjeri prej analistëve politikë—vendas ose të huaj—nuk kishte mundur të parashikonte një fitore kaq të thellë të Partisë Demokratike dhe një humbje kaq të rëndë të Partisë Socialiste. Nuk dua të arsyetoj mbi shkaqet pse humbi njëra dhe pse fitoi tjetra.Këtë le ta bëjnë udhëheqjet e këtyre partive. Fakti është se, deri në prag të zgjedhjeve të fundit, këto dy parti ndodheshin përpara verdiktit: ta mbanin pushtetin (PS), ose ta merrnin atë (PD).

Rezultati i zgjedhjeve të 22 marsit tregoi se ndërsa PS, për shkaqe dhe arsye nga më të ndryshmet, nuk ishte në gjëndje ta mbante pushtetin dhe nuk i ndihmoi këtij qëllimi as me fushatën elektorale që ajo zhvilloi, PD u tregua e aftë ta merrte atë.

Fitorja e opozitës, në mënyrë te veçante fitorja e PD-së, është një realitet që duhet pranuar dhe që, në të vërtetë, është pranuar nga të gjithë. Në fund të fundit, rezultati i zgjedhjeve, sado i papritur të duket, shprehu vullnetin e shumicës së popullit shqiptar.

Me ardhjen e opozitës antikomuniste në pushtet, sidoqoftë, nuk do të thotë se përfundoi periudha e tranziconit politik dhe ekonomik në Shqipëri. Fitorja e opozitës në këto zgjedhje përbën një premisë të re dhe krijon një shans të ri për thellimin dhe akselerimin e procesit të kalimit drejt një rendi të demokracisë liberale dhe një ekonomie tregu të konsoliduar. Se sa do të zgjasë kjo periudhë tranzicioni historik, këtë askush nuk është në gjëndje ta thotë. Dëshirojmë që ajo të jetë sa më e shkurtër dhe që çmimi që do të paguajmë për të të jetë sa më i vogël.

Askush nuk duhet të ketë as dyshimin më të vogël se me fitoren e opozitës gjëndja e vendit do të ndryshojë shpejt. Momenti aktual në të cilin ndodhet vendi ynë fill pas zgjedhjeve, përbën një gur prove për fatet e demokracisë se brishtë në Shqipëri. Ndryshimi i partive politike ne krye të administratës shtetërore përbën vetëm një episod politik në procesin e gjatë dhe të vështirë të tranzicionit postkomunist, por jo vetë thelbin e këtij procesi, e aq më pak rezultatin final të tij.

E ardhmja e këtij procesi mbetet e hapur.A do të ketë stabilitet apo rrëmujë? Paqe sociale apo konfrontim? Vizione optimiste për të ardhmen apo prognoza pesimiste? Mobilizim për të punuar apo eksode të reja? Rend apo anarki? Larje hesapesh apo pajtim? Zhvillim apo kthim prapa? Dalje nga kriza apo thellim të krizës? Progres apo regres? Një klasë politike demokratike apo një elitë të korruptuar? Në fund të fundit, një demokraci apo një diktaturë?

Të gjitha këto mundësi janë reale. Teksa shkruaj këto radhë, më vijnë ndër mend fjalët që kam lexuar këto ditë nga Adam Michnik: “A do të jetë e ardhmja ajo e një shoqërie tolerante, të lirë dhe liberale? Apo bota përsëri do të ngrihet mbi gënjeshtra dhe do të prodhojë një diktaturë të një orthodoksie të re?”.

Fitorja në zgjedhjet parlametare të 22 Marsit u jep forcave politike, deri dje opozitare -PD-së në radhë të parë-një shans historik. Nga votat që i dha kësaj partie populli pret shumë. Një mal me shpresa duhet justifikuar. Sigurisht, parlamenti dhe qeveria e re do të kenë një barrë shumë të rëndë mbi vete. Nuk gaboj nëse shprehem se, për ne, shqiptarët, ka ardhur dita kur mund të themi: o sot, o kurrë.

Partitë le të luftojnë mes njera tjetrës, veç lufta mes tyre të mos jetë shterpë. Lufta politike mes partive të ndryshme duhet zhvilluar mbi bazën e respektimit të rregullave të lojës në një shoqëri demokratike pluraliste. Ajo duhet t’i shërbejë jo përçarjes së shqiptarëve, por vëllazërimit të tyre; jo anarkisë, por rregullit; jo shkatërrimit, por ndërtimit e përparimit të vendit.

Në radhët e përfaqësuesve të zgjedhur prej popullit, nga çdo parti, ka mjaft intelektualë të shquar. Ata me siguri do të dinë që të ndërtojnë ligjet e demokracisë së re shqiptare, mbi bazën e të cilave të ripërtërijnë besimin, moralin dhe energjitë e njerëzve për të punuar e ndërtuar një Shqipëri demokratike.

Urojmë që shpresat e mëdha t’i shohim të realizuara në jetë. Është koha kur me fatet e vendit nuk mund të luhet më. Është koha kur me besimin, zemërgjerësinë dhe durimin e popullit nuk mund të luhet më. Është koha kur demokracinë nuk duhet ta tradhëtojmë më.

 

Hagë, 4 shkurt 1994

Kanë kaluar afro dy vite nga koha kur zgjedhjet e 22 marsit 1992 sollën në pushtet të parën qeveri antikomuniste në Shqipërinë e pasluftës. Duke marrë parasysh entuziazmin dhe premtimet e shumta të PD-së gjatë fushatës elektorale, kjo parti do të duhej të kishte arritur tashmë një bilanc pozitiv. Për fatin e saj të keq, por më shumë për fatin e keq të të gjitha atyre shtresave të popullsisë së shumëvuajtur që u besuan premtimeve të saj dhe votuan për të, PD ka treguar se nuk është në gjëndje të zgjidhë asnjë nga problemet kryesore me të cilat ndeshet vendi sot: të ndërtojë një kushtetutë e një legjislacion tërësisht demokratik, të projektojë e të zbatojë reformën ekonomike-me një fjalë, të qeverisë vendin efektivisht. Studiues të ndryshëm në vendet e Europës Lindore dhe jashtë saj, duke shprehur skepticizëm për ecurinë e reformave ekonomike e të proceseve demokratike në këtë rajon, kanë venë në dukje se ajo çka pritet të ndodhë në Europën Lindore do të habisë shumë njerëz, por akoma më shumë do të deziluzionojë.

Nuk ka asnjë dyshim se institucionalizimi i zgjedhjeve të lira është një fitore e rëndësishme e demokracisë në Shqipëri. Demokracia nuk mund të kuptohet pa zgjedhje të lira. Ato janë kushti i parë i demokracisë, por jo i vetmi. Përkufizimi i demokracisë si një formë qeverisje që buron nga zgjedhjet e lira s’është veçse një përkufizim minimalist i saj. Një qeveri e zgjedhur demokratikisht nuk do të thotë se është patjetër demokratike. Madje, ajo shpejt mund të humbasë legjimitetin e saj.

Është një e vërtetë e padiskutueshme se kusht i legjitimitetit të një qeverie është që ajo të ketë votbesimin e zgjedhësve të lirë, por vetëm zgjedhjet nuk mjaftojnë për të justifikuar legjimitetin e saj. Një qeveri, edhe kur ajo është krijuar si rezultat i zgjedhjeve demokratike, mund ta humbasë legjimitetin e vet kur provon se nuk është në gjëndje të qeverisë efektivisht, sidomos kur në politikën e saj të brendshme e të jashtme vepron në kundërshtim me programin elektoral, i cili i mundësoi asaj ardhjen në krye të shtetit.

Samuel Huntington ka shprehur pikëpamjen se demokracia mund të konsiderohet e vendosur kur një vend ka kaluar “provën e dy zgjedhjeve”, pra kur pushteti ka kaluar nga njëra parti në tjetrën të paktën në dy raste, nëpërmjet një gare elektorale paqësore. Huntington i referohet rastit të Gjermanisë për të nënvizuar faktin se, për të kaluar provën e demokracisë, një vend ka nevojë për një kohë të caktuar, shprehimisht dy dekada apo më shumë. Demokracia, sipas tij, nuk mund të arrihet as shpejt, as lehtë.

Zgjedhjet e lira në Shqipëri janë pa dyshim një hap përpara drejt vendosjes së një rendi demokratik, por jo vetë ky rend demokratik. Aq më tepër kur dy zgjedhjet elektorale te ne janë bërë brenda harkut kohor të një viti. Natyrisht, nuk mund të mohohet se edhe në Shqipëri, si kudo gjetkë në Europën Qendrore e Lindore, janë hedhur disa hapa përpara në drejtim të krijimit e të konsolidimit të një shoqërie demokratike: Është përmbysur sistemi i vjetër, i cili sido që të ndodhë, nuk mund të restaurohet më. Janë formuar disa parti politike, të cilat janë në garë për pushtet.Ekziston, ndonëse akoma në letër, një legjislacion që mbron të drejtat dhe liritë e individit, legjislacion, i cili, më parë, as në letër nuk ekzistonte.U është hapur rrugë—ndonëse me shumë pengesa nëpër këmbë—zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike të tregut, etj.

Por ndërsa jemi larguar nga socializmi, ende nuk kemi shkuar në kapitalizëm. Jemi në rrugë e sipër, madje në fillim të rrugës. Sistemi socialist është përmbysur në mënyrë të pakthyeshme, por një sistem i demokracisë liberale ende nuk është vendosur. Jemi larguar nga Azia, por ende nuk kemi shkuar në Europë. Madje me politikën pa bosht që ndjekim rrezikojmë të kthehemi në Azi e të bëhemi një vend aziatik, ndërkohë që me fjalë kërkojmë të anëtarësohemi në Këshillin e Europës.

Ekonomikisht vendi duket se ka rënë në një krizë edhe më të thellë. Ndonëse qeveritarët tanë propagandojnë se Shqipëria dallohet ndër vendet e Europës Lindore për ecurinë e reformës ekonomike, kjo mbetet një deklaratë e zbrazët përballë fakteve të shumta që provojnë krejt të kundërtën. Ndërsa ekonomitë e disa vendeve të Europës Qendrore e Lindore, si Hungaria, Polonia, Republika Çeke, apo Sllovenia po stabilizohen shpejt-madje gjatë vitit l993, Polonia arriti të kishte ritmin më të lartë (4 për qind) të zhvillimit ekonomik në të gjithë Europën-Shqipëria vazhdon të mbetet atje ku e la regjimi i vjetër, madje pothuaj në të gjithë treguesit ka bërë prapa.

Parashikimet euforike të bëra nga shumë politikanë dhe ekonomistë të Perëndimit, si dhe nga një numër i madh shkollarësh pas Dështimit të madh të Brzezinskit (The Grand Failure: The Birth and Death of Communism in the Twentieth Century, New York: Macmillan, 1989), dhe pas shembjes së komunizmit në Europën Lindore më 1989 dhe 1990 se institucionet demokratike dhe ato të tregut të lirë do të mund të vendoseshin lehtë dhe shpejt (brenda 5 vitesh), duke u eksportuar dhe transplatuar në vendet ish-socialiste, është provuar tashmë se nuk kanë qënë realiste sa duhet. Një ndër arsyet qëndron në faktin se transformimet ekonomike dhe politike në Europën Lindore u projektuan en block, pa marrë parasysh situatën specifike të çdo vendi, pa bërë dallim, të themi, mes Hungarisë dhe Rusisë, mes Polonisë dhe Shqipërisë, ose mes Çekosllovakisë dhe Taxhikistanit. Ky është një gabim nga i cili shumë politikanë dhe organizata ndërkombëtare-përfshirë edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore-duket se akoma nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura.

Probleme edhe më të vështira se ato të ekonomisë ndeshen sot në sferën e politikës. Shumëkush bën pyetjen: “Ç’ka ndryshuar?” Sepse vërtet, shpesh herë, të duket sikur ende është i njëjti sistem i mëparshëm, veçse tashmë me një emër tjetër. Regjimi i ri nuk mundi ta evitojë dot riprodhimin e imazhit të regjimit të vjetër, sepse, ndonëse e zëvendësoi nomenklaturën e vjetër me një nomenklaturë të re, ka trashëguar dhe aplikon të njëjtat zakone e metoda.

Sot, tre vite pas përmbysjes së rendit të socializmit shtetëror, Shqipëria i ngjan një shtrati, të cilit, edhe pse i janë ndërruar mbulesat, ka mbetur po ai: shtrati i vjetër. Nuk mund të bëhet fjalë për të ndërtuar një rend të vërtetë demokratik në Shqipëri sa kohë që shoqëria civile është ende e dobët, sa kohë që shteti është i gjithëfuqishëm, sa kohë që jashtë vullnetit të shtetit nuk lejohet të zhvillohet asnjë alternativë tjetër, sa kohë që shtypi i lirë kërcënohet nga makina shtetërore dhe gazetarët burgosen, sa kohë që njerëzve, të cilët kërcënohen nga pasiguria e jetesës, nuk u është zhdukur ende frika nga shteti dhe nga partia, sa kohë që njerëzit ndahen në “Ne” dhe “Ata”, sa kohë që liria e mendimit, e besimit, e fjalës dhe e aderimit në parti politike, ndonëse të sanksionuara në ligj, mbeten thjeshtë retorikë, ndërsa në praktikë njerëzve u privohen shumë të dreja për shkak të bindjeve të tyre politike. Adam Michnik e ka denoncuar ashpër këtë politikë të dekomunizimit të njerëzve duke u mohuar atyre të drejtat themelore nëpërmjet përdorimit të të njëjtave metoda bolshevike (“An Embarrasing Anniversary”, The New York Review of Books, 10 June, 1993).

Demokracitë e reja që po krijohen në vendet ish-socialiste kanë nevojë për më shumë se ligje dhe institucione të reja. Ato duhet të kenë koncepte të reja mbi shtetin kushtetues, mbi qytetarin, mbi ndarjen e pushteteve dhe pluralizmin. Në fakt, ajo për çka ka nevojë demokracia në vendin tonë nuk është thjesht një gamë e gjerë ligjesh e institucionesh të reja, por të gjithë ata elementë të shumta e kompleksë që përmblidhen në idenë e shoqërisë civile.

Një demokraci e dalë rishtaz nga një diktaturë e gjatë nuk është aspak e garantuar nga rënia në një diktaturë tjetër. Duke iu referuar eksperiencave të tjera historike, veçanërisht proceseve të tranzicionit në vende të ndryshme të Amerikës Latine, studiues nga më shquarit në kohën tonë kanë vënë në dukje se rrethana të caktuara mund të shpien në rënien e demokracisë (Seymour Martin Lipset), se përmbysja e një sistemi diktatorial nuk garanton me domosdo lindjen e një sistemi demokratik dhe se ka më shumë të ngjarë që regjimet jodemokratike të zëvëndësohen me regjime të tjera jodemokratike se sa me regjime demokratike (Samuel Huntington), se një pushtet despotik, kur përmbyset, mund të çojë në lindjen e një despotizmi të ri (Jon Elster). Është për këtë arsye që Karl Popper, duke vënë në dukje vështirësitë që ekzistojnë për të ndërtuar një demokraci të kulluar, kriter themelor për të përcaktuar formën më të mirë të demokracisë konsideronte shkallën e imunitetit të saj për të mos rënë në diktaturë.

Share This Article
3 Comments
  • E ardhmja e procesit te pafund te tranzicionit postkomunist ne fillimin e viteve ’90 mbetej asokohe fare e hapur, per shkak te mosnjohjes sa duhet dhe mosrespektimit te rregullave kryesore te domosdoshme, te cilat kushtezonin suksesin. Aplikimi me i hershem i “terapise se shokut” dhe privatizimi ne ’96 sipas zbatimit te teorise se “equal-access voucher privatization” kane vertetuar, se strategjia per zhvillim ekonomiko-shoqeror dhe shkuarja me hapa sa me te shpejta drejt kapitalizmit eficient varet nga harmonizimi dhe nderthurrja sa me efikase e tre hallkave kryesore qe jane:

    1.) rritja e qendrueshme ekonomike,
    2.) politika e ekujlibrit social, dhe…
    3.) shperndarja sa me racionale e pasurise dhe kapitalit.

    Praktika e ketij tranzicioni pa fund ka vertetuar, se keto tre elemente baze nuk mund te funksionojne normalisht, kur nje vend qeveriset nga rrozga pa moral. Mungesa e angazhimit serioz dhe dakordesia mes aktoreve te politikes eshte shkaku kryesor i perkeqesimit te koeficientit te zhvillimit ekonomik. Pervec kesaj, ankesat e shpeshtuara te qytetareve per perkeqesim te mireqenies sociale dhe eksodi 2015, lidhen drejtperdrejt me paaftesine dhe mungesen e vullnetit te politikaneve per te zbatuar reformat e rekomanduara nga ekspertet e huaj.

    Situata aktuale ekonomike ne vend, po te besh krahasimin me hapat e ndermarra nga qeverite e vendeve te tjera te lindjes, sic jane Armenia, Kazakistani, Moldavia, Ukraina dhe Lituania le shume per te deshiruar. Faj per kete gjendje nuk eshte vetem politika, por edhe emancipimi i dobet i shoqerise, dhe paaftesia e saj per te mbrojtur te pakten ato pak vlera pozitive qe kishte rrenjosur sistemi i dikurshem socialist. Kur flasim per vlera pozitive te atij sistemi, kemi parasysh barazine sociale, sherbimin shendetsor falas, arsimin falas, zbatueshmerine e ligjit, sigurine absolute per jeten, punesimi qe kapte vlerat maksimale, dhe jo politiken e mbrapshte te ndalimit te tregtise se lire, dhe gjuhen e kercenimit, dajakut, diskriminimit, dhe dhunimit te lirive njerezore.

    Pyetjeve qe parashtrohen ne artikull, se c’fare do te arrihet ne te ardhmen pas politiken e rrafshimit total, sot pas nje cerekshekulli “demokrature” ala saleh baba, mund t’i pergjigjemi me germa te trasha…

    – Stabilitet, apo rremuje?
    – Paqe sociale, apo konfrontim?
    – Vizione optimiste per te ardhmen, apo prognoza pesimiste?
    – Mobilizim per te punuar, apo
    eksode te reja?
    – Rend dhe siguri, apo anarki?
    – Pajtim, apo larje hesapesh?
    – Dalje nga kriza, apo thellim te krizes?
    – Nje klase politike demokratike, apo nje elite te korruptuar?
    – Demokraci, apo demokrature?

  • Meriton vleresim maximal per paraqitjen grafike te mendimit te nje niveli te larte!Kur e lexon sot duket sikur eshte shkrujt po sot.Analize e kualifikuar qe vlen per te gjitha kahet e politikes Shqiptare.Mendoj se per keto njerez ka sh.nevoje vendi dhe politikeberja.Eshte per te qare e per te qesh kur sjell ne mendje dhe ben krahasime mes ketij shkrimi dhe niveleve intelektuale te S.Berishes,L.Bashes apo…F.Nokes si dhe E.Rames,I.Metes etj….Kuptohet qarte sa kosto paguan vendi per mungese truri.Y.Begolli Itali

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *