Këshilltari dhe dhëndrri i presidentit amerikan Donald Trump udhëtoi drejt Lindjes së Mesme në fillim të javës për takime me liderët e shteteve në rajon para se të bëjë publik planin e administratës Trump për zgjidhjen e konfliktit të disa dekadave mes Izraelit dhe Palestinës.
Në këtë kuadër, Kushner u takua me mbretin Abdullah të Jordanisë, një prej vendeve më të stabilizuara të rajonit dhe me një qëndrim pro-SHBA. Në takim mbreti Abdullah tha se paqja afatgjatë në Lindjen e Mesme mund të arrihet vetëm nepërmes krijimit të shtetit palestinez në territoret e pushtuara nga Izraeli në vitin 1967.
Ndërkohë, megjithëse jo në mënyrë krejt direkte, edhe Irani ka shprehur skepticizmin e vet në lidhje me planin e shumëpritur të Uashingtonit. Një grupim ushtarak me ndikim të lartë në Iran, Rojet e Revolucionit thanë se plani për paqen do të dështonte dhe se rezistenca palestineze do t’i përgjigjej ashpërsisht atyre që propozojnë marrëveshje të tilla.
E ashtuquajtura “marrëveshja e shekullit”, plani i paqes që është përgatitur nga administrata e Trump nën kujdesin e vetë Kushner, pritet të bëhët publik pas mbarimit të muajit të Ramazanit.
Duhet theksuar se pala palestineze është skeptike për këtë marrëveshje dhe mendon se ajo do ta favorizojë edhe më Izraelin.
Vizita e Kushner në Lindjen e Mesme vjen në një kohë kur kryeministri i rizgjedhur Netanyahu ka edhe pak orë kohë për të krijuar një koalicion maxhoritar dhe rrjedhimisht qeverinë, ose Izraeli do të detyrohet të ripërsërisë zgjedhjet elektorale brenda pak muajsh, e cila duket të jetë edhe dëshira e ekstremistëve nacionalistë, gjithashtu, skeptikë ndaj marrëveshjes që do të propozohet nga SHBA, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
