Tenderi për ndërtimin e linjës së interkoneksionit 400 kv, Shqipëri-Kosovë pritet të zhvillohet sot në Frankfurt të Gjermanisë. Burime zyrtare nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) bëjnë të ditur se do të dorëzohen ofertat zyrtare nga kompanitë që kanë shfaqur interes për ndërtimin e kësaj linje. Po kështu mësohet se, janë 14 kompani të huaja që do të marrin pjesë në tender dhe pas shqyrtimit të ofertave nga komisioni vlerësues, pas rreth 35 ditësh do të shpallet fituesi. Ky do të jetë tenderi i dytë që zhvillohet për ndërtimin e kësaj linje, e cila pritet të ulë ndjeshëm varësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës nga linjat serbe të transmetimit. Të dyja vendet do të mund të shkëmbejnë sasi energjie më të mëdha, me çmime më të ulëta, gjë që do të pasqyrohej edhe te konsumatori final në mënyrë indirekte, pasi çmimet e larta të transmetimit që paguhen në periudha krize përballohen nga buxheti i shtetit. Për më tepër, kur prodhimi vendas i energjisë është në vlera maksimale, Shqipëria arrin të depozitojë në Kosovë vetëm 3 milionë kwh në ditë, duke shfrytëzuar kapacitetet e transmetimit në maksimum dhe pjesën tjetër, KESH detyrohet ta shesë në treg me çmim të lirë. Tenderi i parë për ndërtimin e kësaj linje u zhvillua gjatë muajit Mars të vitit 2011 dhe ishte kompania kroate “Dalekovod” që u shpall fituese me 75 milionë euro të ofertuara. Megjithatë, qeveria nuk njohu procedurat e këtij tenderi duke e anuluar atë me pretendimin se, kompania fituese kishte prezantuar një çmim 24 për qind më të lartë se kompania që ishte renditur e dyta, apo rreth 8 milionë euro më shumë. Këtu filloi dhe ngërçi mes qeverisë shqiptare dhe bankës gjermane “KFW” që njihte si të drejta procedurat e tenderit. Palët zvarritën procesin e tenderimit për rreth 2 vjet, pasi deri para një viti,pala gjermane nuk pranonte anulimin e tenderit. Banka “KFW” pranoi anulimin e këtyre procedurave vetëm me plotësimin e disa kushteve, ku më kryesori ishte pranimi i rezultatit të tenderit të dytë nga ana e qeverisë shqiptare. Kjo duket se është edhe arsyeja se, përse kjo bankë ka përzgjedhur mbajtjen e këtij procesi jashtë Shqipërisë dhe ku komisioni i vlerësimit të ofertave është i përbërë nga ekspertë të huaj dhe vendas. Linja e transmetimit 400 kv do të jetë e ndarë në dy pjesë dhe ofertat do të jenë për dy lote, fillimisht pjesa nga Tirana në Vaun e Dejës dhe më pas, Vau i Dejës Morinë. Sipas studimit të fizibilitetit, punimet për ndërtimin e kësaj linje do të zgjasin 24 muaj me një vlerë totale prej rreth 70 milionë euro.
