Linjat me qira, AKEP do të ulë tarifat

redaktor

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të ulë tarifat e dhënies së linjave me qira dhe të aksesit në tubacionet e linjave të komunikimeve elektronike.

Mbështetur në analizën e tregut të aksesit në broadband dhe linjave me qira, AKEP do të ulë tarifat për të nxitur më shumë konkurrencën mes operatorëve.

Që nga fillimi i vitit të ardhshëm, operatori me fuqi të ndjeshme, Albtelecom, do të detyrohet të japë aksesin e plotë në linjat e veta lokale me fundore kundrejt një tarife fikse prej 486 lekësh, ndërsa për të pasur akses të përbashkët një operator tjetër duhet të paguajë 292 lekë.

Kjo do të mundësojë që operatorët alternativë të mund të ofrojnë shërbim te përdoruesit edhe duke përdorur linjat ekzistuese të Albtelecom. Ndërkohë, AKEP do të vendosë në rregullim edhe aksesin në tubacionet e linjave broadband që zotërojnë operatorët Albtelecom dhe ATU.

Duke filluar nga viti 2017, çdo operator që do të dojë të shtrojë fibër optike në tubacionet e këtyre operatorëve, duhet të paguajë fillimisht një tarifë prej 10 euro për kilometër, ndërsa çdo muaj duhet të paguajë një tarifë që fillon nga 50 euro për kilometër, në varësi të trashësisë së kabllit.

Nga të dhënat e AKEP, rezulton se Albtelecom zotëron 1645 kilometra tubacione urbane dhe ndërurbane, ndërsa ATU zotëron 6 tubacione paralele në akset kombëtare, me gjatësi 755 kilometra secili.

Sipas kontratës së vitit 2010 me Ministrinë e Transporteve, ATU kishte të drejtë të përdorte dy prej tubacioneve për rrjetin e vet të fibrës optike, ndërsa katër tubat e tjerë do të ishin në dispozicion të operatorëve të tjerë.

Fakti është se deri më sot ATU nuk ka dhënë akses te asnjë operator, ndërsa “Albtelecom” ka dhënë në përdorim vetëm 36 km nga infrastruktura e vet pasive te operatorët e tjerë.

Në total, i gjithë përdorimi i përbashkët i tubacioneve nga operatorët, në nivel urban dhe ndërurban, nuk është më shumë se 61 km.

Share This Article
1 Comment
  • Asnje gje nuk kuptova!!!!!!!
    Ka mundesi qe te shkruhet pak me holle ky lajm qe edhe njerezit e thjeshte te dine se per cfare behet fjale?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *