Liria e shtypit në Shqipëri ka rënë ndjeshëm. Në raportin e “Reporterëve pa Kufij”, Shqipëria renditet në vendin e 102-të, 6 pikë më poshtë se një vit më parë. Ndërsa Kosova renditet e 85-ta, duke u ngritur një pikë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia janë vendet e fundit në Ballkan për lirinë e shtypit. Rënia më e madhe e lirisë së shtypit është shënuar në Maqedoni, e cila renditet 22 vende më poshtë se vitin e kaluar. Në raportin e
“Reporterëve pa kufij” flitet për vazhdimin e dukurive si procese gjyqësore ndaj gazetarëve, të bazuara në ligje shpesh të papërshtatshme, dhunë fizike dhe psikologjike ndaj njerëzve të medias dhe kontrolli i ekonomisë gri mbi disa pjesë të rëndësishme të medias.
Gjithashtu, rënie e madhe e lirisë së shtypit është shënuar në Hungari dhe Greqi, respektivisht me 16 dhe 14 vene më poshtë se një vit më parë. “Reporterët pa kufij” ngrenë me shqetësim rastin e Greqisë, ku gazetarët përballen shpesh me dhunë nga ekstremistët si neonazistët e Agimit të Artë apo edhe policia.