Lirika dashurie

J L

Lule në dritare…

 

Sa herë kaloj tek një dritare,

që me saksi është mbushur plot,

me gaz shikoj se si “padashur”,

një lule çel-një perde lot.

 

Gjithnjë aty kur i hedh sytë,

i ndjej dy sy që më ngacmojnë,

e një nga një-e ditë për ditë,

të gjitha lulet lulëzojnë.

 

E prapë e prapë e ndjej vështrimin,

që hedh ngacmime pa pushim,

një zë pas perdes sikur thotë:

“Djalosh-u dashka pak guxim!”

 

Mos më ngacmo ti me vështrime,

se unë jam djalë e s’duroj dot,

dhe sytë nga dritarja jote,

jo-asnjëherë s’i hodha kot.

 

I dua lulet në dritare,

se jam i ri e m’i do zemra,

po shumë më fort se ato lule,

dua çapkënen që rri brenda…

 

Gjirokastër,1984

 

Rridhnin krojet…

 

Rridhnin krojet e argjenda,

në buzët e tua,

buzë e bukur-buzë e njomë,

ç’u trëndafilua.

 

Kaloj vapës nëpër kroje,

etjen për të shuar,

që ditën që pive ti,

ç’qenkan ëmbëlsuar!

 

Kaloj vapës nëpër kroje,

maleve të lartë,

që ditën që pive ti,

s’rrjedh më ujë-po mjaltë..

 

Fier,1988

 

Bëhuni dy shoqe…

 

Ecën Hëna nëpër qiell,

ecën lozonjarja,

dhe ca rreze të florinjta,

më hedh tek dritarja.

 

Ndrin bardhoshja kësaj nate,

si një lule borë,

më afrohet si një çupëz,

që ta prek me dorë.

 

Më afrohet-më afrohet,

nis e loz me të,

i puth ëmbël kaçurrelat,

nis e loz me të.

 

Tani-që puthem me Hënën,

ëndërroj për ty,

ledhatar-qerpikët gjumi,

t’i përkul mbi sy.

 

Pa kuptuar vjen agimi,

me zërat e zogje,

i them Hënës:”Ik- e zgjoje,

bëhuni dy shoqe!.”

 

Gjirokastër 1981

 

Botuar në Dita, 2 Gusht 2016

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *