1. Xhind i armatosur
Ti lakuriq erdhe drejt meje,
në dhomë u ndezën zjarre,
shtanga në vend si prej rrufeje,
dhe zemra më la fare.
Nga këto pamje flakëruse,
sa janë sakatosur,
se lakuriq çdo vajzë-a nuse,
është xhind i armatosur.
2. Pse luan me zjarrin?
Dy buzët e tua,
ndezur si thëngjilli,
nga prushi i tyre,
se ç’u dogj bandilli.
Se ç’u dogj bandilli,
kur thithi nektarin,
eh-mor-bandill vëllai,
pse luan me zjarrin?!
Tiranë, 1980
3. Mos e prish magjinë…
Gjinj të bukur si të tutë,
s’i ka kush në botë,
zjarr’ i tyre mund të shkrijë,
akullin e ftohtë.
Ndofta një shekull të tërë,
edhe mund të pres,
po pa puthur ata gjinj,
nuk besoj të vdes.
Më thotë vasha e menduar,
si princeshë në përrallë,
ai zjarr i përvëluar,
ty të mban të gjallë.
As një vit e as një shekull,
ti s’ke pse të presësh,
po të puthësh gjirin tim,
shumë i ri do vdesësh.
Lere shpirtin të të ndizet,
gjatë nga fantazia,
se vetëm një natë të flemë,
prishet gjithë magjia.
Athinë, 1993
4. Minifund i bardhë
Nga dy këmbë të bardha,
poshtë një minifundi,
ç’u plagosën djemtë,
më keq se nga plumbi.
Dy këmbët nazike,
prerë prej një komete,
o ç’tallaze ngrenë,
sikur çajnë dete.
Djegin si dy zjarre,
ndezin s’di sa gjaqe,
në të gjithë qytetin,
tani s’ka më paqe.
Ç’ëndrra Don Zhu Anësh,
si vesa u tretën,
minifund i bardhë,
që na nxive jetën!
08.01.1995
A. Duka
