Dy gazetarët e agjencisë Reuters, të burgosur në Myanmar lidhur me raportimet e tyre për komunitetin mysliman Rohingya janë liruar pas 500 ditësh burg.
Wa Lone, 33 vjeç dhe Kyaw Soe Oo, 29, të dënuar me shtatë vjet burgim shtatorin e kaluar, u liruan në bazë të një amnistie presidenciale.
Ata kaluan më shumë se 500 ditë burg në periferi të Yangon.
Arrestimi dhe dënimi i tyre shihej si sulm ndaj lirisë së shtypit dhe ngriti pyetje rreth shkallës së demokracisë në Myanmar.
Në raportimet e tyre ata zbuluan se forcat e sigurisë së shtetit ekzekutuan dhjetë myslimanë Rohingya, gjatë një operacioni ushtarak në vitin 2017.
Dy gazetarët u liruan për shkak të amnistisë së presidentit Win Myint ndaj 6,530 të burgosurve. Ambienti jashtë gjykatës ishte mbushur me gazetarë dhe fjalët e para të Wa Lone ishin: “Jam shumë i lumtur teksa shoh familjen dhe kolegët. Mezi po pres të shkoj në redaksi. Jam gazetar dhe do të vazhdoj të jem i tillë.”
Vajza e Wa Lone e përqafoi për herë të parë të atin, pasi kishte lindur gjatë kohës që ai ishte pas hekurave.


j.l./ dita
