Lirohet Edmonda: Kthehem vetëm po s’më rrahu Trimi

redaktor

Gjykata e Lushnjës ka liruar ditën e djeshme Edmonda Trimin me kusht që të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të kujdeset për tre fëmijët e saj të mitur, duke dhënë masën “detyrim paraqitjeje”.

Masa e sigurisë u zhvillua dje me dyer të mbyllura, ku vetëm nisja e gjyqit ka qenë me praninë e medieve të interesuara.

Në sallë ka qenë i pranishëm edhe bashkëshorti i dhunuar, Niko Trimi, i cili ka depozituar denoncimin për dhunë në familje dhe braktisje të fëmijëve nga 26-vjeçarja dhe më pas ka tërhequr kallëzimin duke e falur, me kusht që të mos e tradhtonte më, të mos e dhunonte as atë dhe as fëmijët, të mos përdorte as telefon dhe as rrjetin social Facebook.

Prokuroria ka kërkuar të njëjtën masë lehtësuese në dosjen e dërguar me aktet përkatëse.

Edmonda Trimi, e cila u arrestua në fundjavë për ushtrim dhune ndaj të shoqit, gjatë marrjes në pyetje ka pranuar konfliktin e ndodhur në familje, por është mbrojtur duke thënë se shkak ishte bërë dhuna që ushtronte bashkëshorti i saj.

Ajo i ka thënë gjyqtarit se nuk kthehej në familje nëse burri do vijonte ta dhunonte dhe kërkoi urdhër-mbrojtjeje. Gruaja mohoi të ishte e dhunshme apo që ta tradhtonte bashkëshortin e saj, duke thënë se ai ishte xheloz pse ajo fliste në telefon apo kishte rrjet social, mjete që i përdorin pothuajse të gjithë.

Pasi dëgjoi prokurorin, të dyshuarën dhe avokatin e caktuar, gjyqtari liroi në sallën e gjyqit 26-vjeçaren, duke dhënë vetëm masën “detyrim paraqitjeje” dhe që të mos largohet jashtë vendit. Para se Edmonda të dërgohej në Komisariat për procedurat e lirimit dhe dorëzimin e sendeve personale, ajo është takuar edhe me bashkëshortin në sallën e gjyqit.

Prokuroria shpjegoi se ngjarja ka ndodhur më 9 gusht, pas disa përplasjeve të mëparshme mes bashkëshortëve, kur mbesa i tregoi Niko Trimit se Edmonda po fliste gjatë në telefon me persona të panjohur. Ky ka mbyllur dyqanin dhe ka shkuar në banesë, që e ka gjetur mbyllur.

Pasi ka hyrë brenda është përpjekur t’i marrë telefonin gruas, por kjo e ka thyer. Më tej janë përleshur dhe 26-vjeçarja e ka goditur me grusht në fytyrë dhe çjerrë me thonj. Të nesërmen është larguar nga banesa dhe më 16 gusht burri ka denoncuar arratisjen dhe dhunën në familje. Prokuroria pranoi se nga hetimet e kryera shkak i konflikteve ishte rrjeti social Facebook.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *