Mediat italiane shkruajnë sot se këngëtarja shqiptare, Liliana Kondakçi, ka rifituar lirinë. Kondakçi është liruar dy vjet pas vendimit të drejtësisë italiane të dhënë ndaj këngëtares për përfshirjen në një rrjet të trafikimit të drogës.
Sipas mediave italiane, Kondakçi është liruara pas përfundimit të dënimit.
Liliana Kondakçi, 57 vjeçe, u dënua në mars të vitit 2011 me 4.5 vjet burg nga Gjykata e Katanzaros, në Itali.
Gjykata e gjeti këngëtaren e njohur shqiptare fajtore për akuzën e bashkëpunimit në grup kriminal, të finalizuar në trafik lëndësh narkotike.
Këngëtarja Liliana Kondakçi është arrestuar nga policia e Selanikut në Greqi, në fillim të prillit të vitit 2010. Kondakçi u arrestua në një banesë, e cila ishte marrë me qira prej disa të afërmve të saj. Policia deklaroi se në ngarkim të 59-vjeçares kishte dalë një urdhër arresti i prerë pas vendimit të Gjykatës së Selanikut që e shpallte person në kërkim për qëllime ekstradimi.
Kondakçi u kap në vitin 2006 me 3 kg heroinë gjatë operacionit të quajtur “Shkodër” dhe më pas u ndalua po në 2008 në këtë shtet, në bazë të urdhrit të prokurorisë. Sipas dosjes hetimore të prokurorisë italiane theksohet se Kondakçi thirrej me pseudonimin “Mamaja”, ose “Këngëtarja”.
Nga operacionet në Itali u kapën 500 kg heroinë dhe kokainë, pjesa më e madhe e së cilës vinte nga Shqipëria.