LISI DHE QIPARISI

Ornela

Bedri Islami

Një kujtim për atdhetarin e madh Qamil Çela

Qamil Çela ishte një elbasanas i mençur, i ndershëm deri në skajimin e ndershmërisë njerëzore, dhe e gjithë jeta e tij kishte kaluar nëpër stuhinë e viteve, si pak kush. Mik i afërt i Fan Nolit, Avni Rustemit, Sejfulla Malishovës, Bedri Pejës, Ymer Pukës, Ali Kelmendit, Gjergj Fishtës dhe Gurakuqit, botues i gazetës “Liria” në Francë, shok e drejtues i vëllezërve Kozma dhe Gogo Nushi, me të cilët kishte jetuar e punuar në Lion; drejtuesi kryesor i emigrantëve politikë antizogistë dalë nga shoqëria famëmadhe “Bashkimi”, mik i Halim Xhelos dhe Bahri Omarit, njeriu të cilin Enver Hoxha e thërriste ” Daja Qamil”, kundërshtar deri në fund i lëvizjes haxhiqamilshe, për vlerësimin ndaj të cilit u prish me Enverin, kryetari i Kryqit të Kuq Shqiptar pas luftës, në fund drejtues i Muzeut të Luftës në Elbasan koha kur u njoh dhe u bë mik i afërt me babain tim.

Më vonë do të më thoshte se ajo miqësi kishte qenë pranvera e fundit e jetës së tij.

E kishte njohur Enverin në Bari, kur si shumë antizogistë të tjerë, funksionarë të lartë në qeverinë Noli, kishin marrë arratinë  dhe nuk e dinin se kur do të mund të ktheheshin. E kishte njohur fillimisht si kunati i Bahri Omarit dhe nipi i Hysen Hoxhës, por nuk e pranonte kurrë se kishte qenë i organizuar në lëvizjen komuniste.

Do të ishte nga të paktët emigrantë politikë që nuk do të pranonte të kthehej pas pushtimit të Shqipërisë, si vrapuan shumë nga shokët e tij  pasi për të, edhe pse nuk e kishte dashur kurrë Ahmet Zogun, përsëri ai ishte shqiptar, një ditë do e rrëzonin nga pushteti,  por jo të vinin pas bajonetave italiane dhe të bëheshin anëtarë të Këshillit të Lartë të Shtetit.

Ishte kthyer në Shqipëri pas Konferencës së Paqes në Paris. Ndoshta ishte nga herët e pakta kur kishte rrokur në krahët e tij Enver Hoxhën, menjëherë pas fjalimit të tij të njohur në të konferencë. Ndoshta edhe kishte besuar se ishte kthyer nga e mbara.

Gjithë natën me Sokrat Plakën, më pas diplomati më i njohur shqiptar, do të rrinin në një shtypshkronjë në periferi të Parisit për të shtypur në gjuhën frënge fjalimin e Enverit dhe në mëngjes ta shpërndanin në atë sallë shkëndijuese, ku sapo ishte dëgjuar një fjalë për së mbari. Ishte kthyer me shpresë, gjithnjë me ndjenjën e së mirës, por miqtë e tij të vjetër gjithnjë e më shumë po rralloheshin.

I pari Sejfulla Malishova. Kishte shkuar ta takonte në atë humbëtirë ku e kishin dërguar dhe miku i vjetër poet, pasi i kishte treguar të vërtetën, i kishte thënë të mos shkonte më tek ai. Po vinte një kohë tjetër, por dajë Qamili kishte gjithnjë kohën e tij.

Prishja me Enverin kishte kohë që kishte marrë plasaritjet e saj, por konferenca për Haxhi Qamilin dhe lëvizjen fshatare i kishte dhënë goditjen e fundit.

Dajë Qamili e dinte më mirë se shumë të tjerë se kush kishte qenë ai tjetri, e dinte se njeriu që digjte shkollat e gjuhës shqipe nuk mund të ishte hero. Atij nuk i duhej një Pugaçov shqiptar, si kishte qenë dikur në Rusinë e Madhe, atij i mjaftonte Shqipëria e tij. Kur foli në Konferencë salla heshti. Ishte një fjalë krejt ndryshe, sidomos krejt ndryshe nga referati i Enver Hoxhës.

–           Çfarë na bëre dajë Qamili,- i tha Enveri. Duhet ta shikosh fjalën tënde, nuk bën kështu.

–           Ja, e ndryshova, por historia është e pandryshueshme. Turkoshaku nuk është shqiptar, o djalë.

Dhe, një ditë nuk ishte më komunist, nuk ishte më as në Tiranë. U kthye në banesën e tij të vogël, në qendër të Elbasanit.

Shkoja dhe e takoja shpesh, por jo aq sa do të kisha dëshiruar. Na shkruante, gjithnjë ishte aq i dashur, dhe në letrën e fundit shënonte se të mos harrojmë se “dajë Qamili do të vdesë i ndershëm”. Ishte koha kur i kishin kërkuar nga Instituti i studimeve ML kujtimet për Enver Hoxhën dhe nuk i shkruante.

-Përse nuk i shkruan, e pyeta?

-Sepse nuk gënjej dot.

Një ditë fund nëntori, vjeshta e fundit e jetës së tij, ndërsa isha rrugës për në Korçë u ndala edhe tek dajë Qamili. Kishte një shtëpi të vogël, nga ata që në Shqipëri quhen “shtëpi elbasani” një katëshe, oborri i mbushur me portokalle e limonë, disa nga të cilët i kishte mbjellë babai im vitin para se të ndahej nga njerëzit që i donte; aty jetonte dajë Qamili me motrën e tij dhe nipin Hysniun, që punonte si marangoz në teatrin “Skampa”.

U ulëm në verandën e oborrit, megjithëse ishte nëntor, më kishte marrë duart në duart e tij dhe fliste  në atë dialektin e tij krejt elbasanas që kishe qejf ta dëgjoje. Sapo ishte botuar një libër i Enver Hoxhës dhe e kishte përmendur si një njeri të ndershëm, komunist dhe që kishte shkrirë gjithë jetën për Shqipërinë.

Ia tregova dhe ai qeshi lehtë, pastaj, duke më shikuar drejt në sy më tha se Enveri e di se plakut i pëlqejnë peshqit dhe më hodhi disa cironka.

Pastaj, krejt befas pasi më tregoi se kishin qenë në shtëpi ata të institutit për kujtimet e tij në Francë, shtoi se Enveri nuk ishte i ndershëm, sepse një njeri i ndershëm nuk gënjen. Më tha edhe shumë gjëra të tjera për jetën e tij por kjo nuk është cak i këtij shënimi.

Kur po ndaheshim, unë do të shkoja për të shkruar për diçka në Korçë, tani nuk e di se për çfarë, ai më ndaloi edhe një herë e më tha se kjo është edhe shtëpia e familjes suaj, sidomos e Nënës Dritë, që është bija ime.

Më tregoi historinë e emrit tim nga Bedri Peja dhe takimin e babait tonë, që ishte nipi i Ymer Pukës, me Bedri Pejën, fill pas mbarimit të luftës.

Kishte ardhur koha të shkoja. Më ndali dhe tha se nuk e dinte nëse do të takoheshim më, ishte gjithnjë e më i plakur.

-Kur të vdes, shtoi, mos më vendosni tek koka një qiparis, vendosi një çinar ose një lis. Nuk dua të më përkulet trupi as pas vdekjes, si përkulet një qiparis.

Kam menduar gjatë për këtë dëshirë të një njeriu që aq drejt i qëndroi kohës.

Sot vendosa ta ndaj me miqtë e mi, për të kujtuar edhe një herë njeriun e mrekullueshëm, një bir të madh Elbasani, që si thoshte Aleks Buda “ishte një bibliotekë ndershmërie që lëviz mes nesh”.

Pusho i qetë daja Qamil, tek koka degëzon një lis, që tashmë është rritur…në fund të fundit ai është lisi i ndershmërisë tënde të pashoqe.

Share This Article
6 Comments
  • Zoti Bedri

    i cmojme keto tregimet tuaja por me lejoni tju bej vetem nje verejtje:
    .
    Cdo njeri eshte i perbere le te shprehemi ne menyre figurative si “anatomia e nje shtepie”
    .
    Pra jeta e nje njeriu ka dhomen e pritjes dhomat e flejtjes-guzhinen-sallonin…e deri halene.
    .
    Qofsha gabim por ju tregoni gjithmone “nevojteren’ e enverit (cdo njeri ka nevojtoren e jetes tij)…kurse per dajen Qamil tregoni dhomen e pritjes.
    .
    Dhe Enveri dhe daje Qamili tashme i takojne jetes pertejme…..cfare do beje brezi juaj tani qe ky vend eshte kthyer ne WC dipllomatesh dhe 28 mije km katrore plantacjon hashishi…

    .
    Kujt i duhen keto qeparise apo lisa qe jane tashme te prere ..te shtrire perdhe …

  • Enver Hoxha i punoi qindin Qamil Celirames,e demaskoi ne lagje,po te mos ishte 80 vjec do ta kishte burgosur,jo vetem per Haxhi Qamilin,.. Bravo i qofte te nipit,qe e mbajti 20 vjet edhe pasi i hoqen pensionin(.Qamil Celirama rroi 98 vjec) dhe as ja pa deren ndonjehere shoqates se horrave te Uran Kostrecit,ca hajdute ca bandite nga fshatrat e Korces,Ersekes,qe komandonin shoqaten e te perndjekurve politike te Elbasanit me ne krye kllounin e Sali Berishes Uran Kostreci.Keta vodhen ndihmat,apartamentet,bursat per te perndjekurit,prandaj bravo i qofte Hysniut qe nuk jau pa surratin,se Qamil Celirama ishte vertet politik,keta hajdutet e Saliut ishin ordinere.

  • Une e kam njohur me mire se Bedri Islami Qamil Celiramen.Qamil Celirama ishte deshmitar okular i vrasjes se sheh Hysen Sulovarit nga dora Haxhi Qamilit dhe rrahjes publike te patrioteve elbasanas nga bashibosuket e tij..Ato vite u arrestua dhe shefi i Gestapos te Lionit,Claus Barbie,i mbiquajtur Boia di Lionne.Qamil Celirama me tregoi nje episod kur spiunet francese e kishin arrestuar,kurse Claus Barbie e kishte liruar,vetem pse ishte shqiptar.E verteta mbetet e vertete.

  • Lisi mbetet LIS e s’behet cerdhe dhelperash !

    I nderuar Bedri Islami,qe e nderoj penen tuaj,po si e keni trajtuar kete shkrim,vetem te flisni keq per Enver Hoxhen,ne lidhie me te mirin patriot atdhetar, si thoni ju ne emr te Atdhetarin Sami Cela,them se nuk eshte vendi per te evidentuar mangesite e Enver Hoxhes.Kjo miqesisht ne respekt te penes suaj.
    Me bemat e te mirit e te ndierit atdhetar Qamil Cela,do te na kishe kenaqur,9edhe duke kritikuar E.H),se vertet i takonin atij njeriu,qe ka lene mbresa me veprimtarine e tij atdhetare. Bamat sa atdhaetare dhe mangesite e Enver Hoxhes i njohim e mbi ate baze e vleresojme.
    Leria historise E.Hoxhen, o i miri Bedri Islami.
    Me konsiderate per ate figure te shquar atdhetare, si Qamil Cela,qe une kam patur fatin te kem te tille nga gjaku i gjyshit- Jano P.Xhoga-kapedani rene si ben trimat me 1913t,ne lufte me grabitqaret e trojeve amtare pas shpallies se Pv.,apo- Dajo Vaso Dama,”Luftetar i shekullit”, si daja juaj, patrioti Qamil Cela,do te thosha. Po shkrimi,do paraqiste vlerat e verteta te atij PATRIOTI si Qamil Cela,te flitej per bemat e tij qe si mungojne.
    Me kondiderate per Vepren e tij sa penen tuaj, pavarsisht sa ju sygjeroj si dashamires atdhetar.

    Guri Naimit D.

  • LEXONI SHKRIMIN DHE ANALIZONI SE CFARE KA PERCJELLE AUTORI ME KETE PER NE DHE LEXUESIT E TJERE.
    NJE THENIE PER TU VLERESUAR KUR KRAHASOHET
    ” LISI ME QIPARISIN”.
    I PARI PERKULET POR NUK PARA MBILLET NE VARREZA.
    I DYTI MBILLET.
    DHE PROTAGONISTI DUKE DASHUR TE MBETET DHE ATE BOTE SIMBOL I LUFTES KUNDER SERVILIZMAVE DHE PERULJEVE A DEFORMIMEVE TE KARAKTERIT QE NJEREZIT E VEGJEL BEJNE NE JETE KERKON TE TREGOJE SE DHE PAS VDEKJES AI DO TE QEMDROJE SI NJE LIS E JO I PERULUR SI NJE QIPARIS.
    NE KETO RRETHANA SJELLE NE KUJTESE EPISODE SE KUSH KA QENE LISI E KUSH QIPARISI.
    NESE NGA EPISODE TE TILLA DIKUSH MERR SHKAK PER TE RREZUAR TE TEREN PER NJE PERSON APO PERSONALITET KJO NUK KA VEND TE MENDOHET.
    KY MENDOJ EDHTE NJE SHKRIM RETRISPEKTIV KARAKTERIAL QE MESON BREZAT SI DUHET TE JENE NE JETE…!

  • thua o bedri se enverin zotëria e paska takuar vetëm një herë dhe për herë të dytë e paska përqafzuar pas fjalimit në paris!”Ishte kthyer në Shqipëri pas Konferencës së Paqes në Paris. Ndoshta ishte nga herët e pakta kur kishte rrokur në krahët e tij Enver Hoxhën, menjëherë pas fjalimit të tij të njohur në të konferencë.”
    por si mund të ma shpjegosh këtë fjali??” Ndoshta edhe kishte besuar se ishte kthyer nga e mbara.”??
    sipas teje ai e paska njohur që në herë e parë se enveri ka qënë “nga e prapmja”??
    apo thjeshtë shkruaj të shkruajmë?punë lëshoje shkrimin pa kapistall??
    çna mbytën të papërgjegjëshmit që nuk ka kush tu kontrollojë shkrimet!!bile i quajnë sot dhe analistë a gazekarucë!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *