Pranvera Kola
Testimet për lejet e reja të ushtrimit të profesionit si fizioterapist do të zhvillohen ditën e hënë, me 13 janar.
Përgjatë këtij sezoni në garë për lejet profesionale në këtë profil marrin pjesë 116 kandidatë të diplomuar në institucione të ndryshme të arsimit të lartë në vend.
Pas vlerësimit të dosjeve të paraqitura, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka përcaktuar për secilin prej këtyre kandidatëve orën se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar provimin e shtetit. Vetëm kandidatët që do të marrin vlerësime pozitive do mund të pajisen me lejen për ushtrimin e profesionit.
Ndërsa të tjerët duhet që të presin sezonin e radhës, për të dhënë serish testimin e licencës profesionale. Për të mos rrezikuar përjashtimin, ditën e testimit duhet të paraqiteni në ambientet e kësaj qendre 30 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Ndërkohë që duhet të keni detyrimisht me vete këto dokumente: “Kartë Identiteti për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal si dhe kopje të tyre), faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë”.
Duhet të bëni kujdes, pasi mungesa e një prej këtyre dokumenteve ju penalizon duke ju lënë jashtë testimit, çka do të thotë se duhet të prisni sezonet e vitit të ardhshëm për të hyrë sërish në testin e licencës, duke humbur kështu shanset për të aplikuar përgjatë kësaj periudhe për vendet e lira të punës në spitalet dhe qendrat mjekësore të tjera.
Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara”, bëjnë me dije ekspertët e QSHA-së.
Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Me ndryshimet e bëra në ligjin përkatës të profesioneve të rregulluara, asnjë profesionist nuk do të humbasë të drejtën për të ushtruar profesionin në specialitetin përkatës, pavarësisht faktit se sa herë do të hyjë në testin e licencës.
Kliko KETU per te pare listen
