Pranvera Kola
Nis sot zyrtarisht konkurrimi për studimet në degët e Universitetit të Arteve. Pas verifikimit të aplikimeve të bëra në formularin e aplikimit për universitetin, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka zbardhur ditën e djeshme listën zyrtare të 1168 kandidatëve që duhet të vijojnë procedurat e regjistrimit dhe dhënies së testimeve individuale për të fituar studimet e larta në një nga degët e tre fakulteteve që janë pjesë e Universitetit të Arteve.
Kandidatët që janë pjesë e kësaj liste, duke nisur nga dita e sotme duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore të secilit fakultet për të bërë regjistrimin që i lejon të hyjnë në konkurset që do të zhvillohen sipas datave të përcaktuara për secilën degë. Regjistrimet do të vijojnë deri në mbyllje të datës 17 gusht. Nëse regjistrimi nuk bëhet deri në këtë datë, edhe pse jeni pjesë e kësaj liste, ju nuk keni të drejtë që të konkurroni për të fituar studimet në programet e këtij universiteti. “Regjistrimi i kandidatëve për konkurset e pranimit bëhet pranë sekretarive të fakulteteve, nga ora 08:00 e datës 9 gusht, deri në orën 16:00 të datës 17 gusht.
Konkurrentët, pasi të kenë verifikuar emrin në listat e shpallura, duhet të pajisen me mandat arkëtimin nga drejtoria ekonomike pranë Rektoratit, për të bërë pagesën përkatëse. Tarifa e regjistrimit e kandidatëve për të konkurruar në një nga programet e studimit të tre fakulteteve është 5,000 dhe duhet të derdhet në një nga bankat e nivelit të dytë, ose zyrave të postës”, bëjnë me dije drejtuesit e Universitetit të arteve. Po sipas këtyre burimeve, kandidatët që përfitojnë nga kuotat e MAS të akorduara për shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, për romët dhe ballkano-egjiptianet, për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, për jetimët, të verbrit, që do të marrin pjesë në konkurset e pranimit, për programet e studimit të ofruara nga Universiteti i Arteve duhet të aplikojnë drejtpërdrejtë pranë sekretarive të secilit fakultet duke dorëzuar dosjen përkatëse të dokumenteve të kërkuara.
Regjistrimi i kandidatëve për të hyrë në konkurs bëhet duke dorëzuar këto dokumente: “Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti, ose pasaportë, fotokopje), fotokopje e diplomës së Maturës Shtetërore, ose dëftesës së pjekurisë për kandidatët e viteve të mëparshme, e cila duhet të jetë së bashku me certifikatën e notave, mandatin e pagesës së tarifës së regjistrimit për konkurrim”. Gara për studimet në këto degë pritet të jetë e ashpër, për shkak të numrit të madh të aplikuesve, prej të cilëve do mund të fitojnë një të drejtë studimi rreth 240 kandidatë. Për kandidatët, të cilët konkurrojnë për një nga programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, me kohë të plotë në Universitetin e Arteve, shpallja e fituesve do të bëhet duke u mbështetur në rezultatet e fituara gjatë konkurseve të pranimit që do të zhvillohen ndërmjet datave 18-22 gusht, si dhe pikëve të siguruara nga rezultatet e shkollës së mesme (mesatarja).
Konkretisht, pikët e konkursit që mund të fitojë një kandidat përbehen nga: “Rezultatet e Maturës Shtetërore vlerësohen me 30 për qind të totalit të pikëve (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe të gjithë provimet e Maturës Shtetërore), ndërsa rezultatet e konkurseve të pranimit me 70 për qind e totalit të pikëve”. Sipas udhëzimit të konkurrimit, pikët maksimale që mund të fitojë një kandidat në konkurim në një program studimi janë 200. Ndërsa kandidati, që nuk arrin të fitojë pikët minimale prej 90 pikësh nuk fiton të drejtën e studimit.
