Me mijëra profesionistë të rinj të shkencave mjekësore teknike vijojnë të qëndrojnë në pritje për të siguruar vendet e lira të punës në spitalet dhe qendrat shëndetësore publike në vend.
Sipas listave paraprake të zbardhura nga dikasteri i Shëndetësisë, janë rreth 2000 kandidatët që kanë kaluar fazën e parë të konkurimit për punësimet e reja në profilet: infermieri, mami, logopedi, teknik laboratori dhe imazherie, si dhe fizioterapi. Listën e plotë të kandidatëve të kualifikuar për vijimin e konkurimit e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Të gjithë këta kandidatë të klasifikuar sipas katër rajoneve në të cilat kanë aplikuar, përgjatë muajit shtator do t’i nënshtrohen fazës së dytë të konkurimit që do të jetë testimi i informatizuar, i cili do të zhvillohet online në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Gjatë ditëve në vijim autoritetet e kësaj qendre do të shpallin kalendarin e testimit, duke saktësuar për çdo kandidat që është pjesë e listës së shpallur, datën dhe orën e saktë se kur duhet të paraqitet për zhvillimin e testimit të informatizuar. Kandidatët kanë të drejtë të ankimohen brenda tre ditëve kalendarike, për vlerësimin ose moskualifikimin. Ankesën mund ta bëjnë nëpërmjet adresës së emailit, ose në rubriken “Ankesa Ime”, në faqen online të portalit “Infermier për Shqipërinë” ku dhe kanë bërë aplikimin.
Po nëpërmjet kësaj adrese do të njoftohen edhe në lidhje me pikët e fituara nga konkurimi me anë të dosjes. Në ditën e testimit secili kandidat duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal si dhe kopje të tyre.
Me vete duhet të keni edhe faturën me pagesën e tarifës për QSHA-në. Ndryshe nga sa ka ndodhur në fazat e mëparshme të konkurimit, profesionistët e shkencave mjekësore teknike nuk do të paguajnë tarifën e plotë, por tarifën e reduktuar sipas marrëveshjes së lidhur një ditë më parë ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore “Për ofrimin e shërbimit të digjitalizuar të kandidatëve për tu punësuar si infermier në institucionet shëndetësore publike”.
Kjo do të thotë se kandidatët e kualifikuar për kualifikimin e fazës së dytë duhet të paguajnë 3 mijë lekë, nga 5 mijë lekë që është tarifa e plotë. Testi përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërisë dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri.
Pjesa e dytë përmban pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitete. Në lidhje me skemën e vlerësimit me pikë, bëhet e ditur se vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 70 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e pjesës së parë të testit (20 pikë) dhe nga pikët e pjesës së dytë të testit (50 pikë). Ndërsa nga konkurimi me dosje kandidati mund të grumbulloje maksimalisht 30 pikë.
p.k/dita
