Nis sot sezoni i testimeve për licencimin e mësuesve të rinj. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka shpallur gjatë pasdites së djeshme listën zyrtare të 360 kandidatëve të parë që do të hyjnë në këtë sezon në provimin e shtetit për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit.
Konkretisht bëhet fjalë për mësuesit e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Si shkak i fluksit të lartë të kandidatëve që garojnë për licencën në këtë profil, testimet do të zhvillohen deri në datën 25 shtator, për të vijuar më pas me mësuesit e profilit të gjuhës angleze, si dhe të profileve të tjera. Rreth 360 është numri i mësuesve të rinj që kalojnë në test për licencën në profilin e gjuhës shqipe dhe letërsisë.
Datat dhe oraret e testimit për secilin kandidat i gjeni të detajuara në listën bashkangjitur shkrimit. Në nisje të javës së ardhshme do të shpallet edhe lista e kandidatëve që do të garojnë për licencat e profileve të tjera.
Sipas kalendarit të zbardhur nga QSHA, pas mësuesve të letërsisë, provimet do të vazhdojnë me mësuesit e gjuhës angleze, më tej me ata të gjuhës italiane, arsimit fillor, gjuhës frënge, biologji kimisë, edukimit fizik, historisë, gjeografisë, matematikës, etj, sipas kalendarit të detajuar në vijim të shkrimit.
Të fundit që do i nënshtrohen testit të licencave janë mësuesit e gjuhës gjermane dhe asaj greke, përkatësisht në datën 26 tetor.
Kujdes në ditën e provimit!
Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe çdo kandidat që është pjesë e listës së zbardhur duhet që të paraqitet në ambientet e kësaj qendre 30 minuta para fillimit të provimit, në orarin dhe ditën e përcaktuar për të.
Për të mos rrezikuar hyrjen në testim, autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit bëjnë me dije se: “Ditën e provimit kandidati duhet të jetë detyrimisht i pajisur me letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit, dokument origjinal, si dhe kopje të tyre, faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit sipas herës së pjesëmarrjes në provim”.
Duhet të bëni kujdes lidhur me faturën e cila duhet të ketë vulën e bankës përkatëse. Gjithashtu, me vete duhet të merrni edhe kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MASR, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit.
Për kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me Diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga Universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Penalizimet
Po sipas ekspertëve të QSHA-së, në mungesë të ndonjërit prej këtyre dokumenteve, kandidati penalizohet me përjashtim nga provimi. Çka do të thotë se duhet të presë sezonin e vitit që vjen për të garuar sërish për licencën, duke humbur kështu të drejtën e aplikimit për vendet e lira të punës që raportojnë shkollat e arsimit parauniversitar në vend.
Më tej, edhe kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish ne sezonet e ardhshme duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit.
Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar. Po sipas rregullores së provimeve, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer.
Por, në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar, çka do të thotë se kur të regjistrohet për të hyrë në sezonin e radhës duhet të shlyejë sërish tarifën e përcaktuar për herën e parë të hyrjes në provimin e shtetit. Tërheqja nga provimi i shtetit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit.
