Zgjerohet edhe më tej numri i përfituesve të pensioneve dhe shtesave suplementare për punët e kryera në miniera, industrinë e naftës dhe gazit, si dhe në metalurgji. Autoritetet e Sigurimeve Shoqërore kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme listën me 659 përfituesit e rinj që do të trajtohen nga ligji nr. 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.
Për secilin prej tyre është përcaktuar edhe qendra përkatëse se ku do të tërheqin pensionin apo shtesën që ju takon për shkak të profesionit. Listën e plotë të përfituesve për secilin rreth të vendit e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Ekspertët e sigurimeve shtojnë se puna për llogaritjen e përfitimeve të tjera do të vijojë edhe përgjatë ditëve në vijim. Kjo pasi janë ende me mijëra kërkesa në pritje të verifikimit të kushteve për të përfituar nga ky ligj.
“Nga specialistët e sigurimeve shoqërore po punohet me kapacitet të plotë për mbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi dhe gjithkush të marrë atë që i takon. Përfitimi, sipas përcaktimeve në ligjin Nr. 29/2019, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij, ose pranë sporteleve të shërbimit në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve të ISSH-së”, bëjnë me dije ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore”.
Pension për shkak të profesionit kanë të drejtë që ta përfitojnë ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë; trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Të drejtën e marrjes së këtij lloj përfitimi e gëzojnë edhe të gjithë ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”. Po ashtu kanë të drejtë që të marrin pension për shkak të profesionit edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kategoria tjetër që trajtohet me pensione të kësaj kategorie janë edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.
Ndërsa shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe mbi pensionin e invaliditetit,mund të përfitojnë: ish-punonjësit, sipas përcaktimeve në ligjin për trajtimet suplementare, të cilët kanë përfituar pension pleqërie ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Shtesën mbi pension e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj; Gjithashtu shtesën mbi pension e përfitojnë edhe personat që marrin pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, kur data e lindjes së të drejtës për pension është deri më 31.12.2014.

