Poliklinikat dhe stafet mjekësore të tyre po marrin tashmë udhëzimet konkrete mbi zbatimin e Programit Bazë të Kontrollit Shëndetësor që do të kryhet tek moshat 40 deri në 60 vjeç. Kjo pavarësisht faktit nëse bëjnë pjesë ose jo në skemën e sigurimeve shëndetësore. Në aktivitetin e zhvilluar gjatë ditës së djeshme, janë detajuar edhe 7 shërbimet bazë për të cilat kjo kategori i popullatës do të kryejë kontrollet dhe analizat falas pranë mjekut të familjes në çdo rreth të vendit. Gjatë prezantimit të kësaj pakete autoritetet shëndetësore kanë detajuar edhe hapat konkrete që do të ndiqen për mbajtjen nën vëzhgim të shëndetit të kësaj grupmoshe përgjatë viteve të ardhshme. Zëvendësministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj ka deklaruar se për herë të parë popullata e grupmoshës 40 deri 65 vjeç do të kryejnë falas kontrollet baze shëndetësore, e për këtë, një herë në vit ata do të thirren nga qendra shëndetësore me ndihmën e postës, për të bërë një sërë analizash dhe ekzaminimesh të mirëpërcaktuara për sëmundjet që janë më problematiket në vendin tonë. Ofrimi i këtyre kontrolleve dhe konsultave falas, synon parandalimi i një sërë sëmundjesh që po shfaqen në rritje me ritme të shpejta, ndërhyrja dhe trajtimi i të cilave shfaqet efikas vetëm nëse zbulohen në stadet e para të shfaqjes së tyre. Ndërkohë që në këtë formë pacienti shmang edhe ndërlikimet e rënduara që shfaqen me rritjen e moshës. Konkretisht bëhet fjalë për parandalimin e sëmundjeve të tilla që kanë të bëjnë me hipertensionin, obezitetin, varësinë ndaj alkoolit, duhanit, apo edhe disa patologjive të tjera kronike. Kontrolli mjekësor bazë do të ofrohet në 250 qendra shëndetësore, nga 421 që funksionojnë në vend. Përzgjedhja e tyre, sipas Rjepajt, do të bëhet në bazë të karakteristikave demografike, kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore në dispozicion, por edhe të shpërndarjes së popullatës dhe infrastrukturës rrugore. ”Paketa e ekzaminimeve parashikohet të përfshijë konsultë të hollësishme me fokus tek konsumi i duhanit dhe i alkoolit, ushqyerja, si dhe aktiviteti fizik. Në paketë përfshihen ekzaminime fizike, si matja e presionit të gjakut dhe BMI (diametri i barkut), si dhe ekzaminime laboratorike si glicemia, kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, triglyceride, formulë e gjakut, si dhe Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC, albuminuria, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urinë, feçe për gjak. Po kështu, paketa përfshin ekzaminime për shëndetin riprodhues, kancerin e qafës se mitrës, si dhe mamografi për kancerin e gjirit, por edhe për shëndetin mendor”, deklaroi zëvendësministri Rjepaj, njëherësh edhe një ndër hartuesit e kësaj pakete. Por, nga llogaritjet e bëra, rezulton se 15 për qind e kësaj grupmoshe mbulohen nga qendra shëndetësore që nuk plotësojnë kushtet për të ofruar të gjithë paktën e kontrolleve. Sipas specialisteve të shëndetësisë kjo do të realizohet me ndihmën e mjekëve të lëvizshëm dhe laboratorëve të qendrave më të afërta shëndetësore. Ky program do të nisë zbatimin në fillim të vitit të ardhshëm. Në këto kushte sipas muajit të lindjes, nga janari i 2015 personat do të thirren nëpërmjet postës të kryejnë kontrollet kryesore shëndetësore dhe po me postë, do të marrin përgjigjet e analizave. Depistimi i kësaj grupmoshe do të shërbeje edhe për hartimin e të dhënave të reja për nivelin e semundshmërisë tek 40 deri 65-vjeçarët, teksa është udhëzuar edhe krijimi i regjistrit konkret mbi të gjitha llojet e sëmundshmërive. Autoritetet e shëndetit kanë deklaruar se buxheti për mbulimin financiar të kësaj paketë bazë të kontrollit shëndetësor për popullatën e përcaktuar do jetë me një vlerë vjetore prej 17-18 milion dollarë për 900 mijë përfitues.. Ky është një nga premtimet e mbajtura, për të shkuar drejt mbulimit falas për të gjithë popullatën për shërbimet bazë.
900 mijë përfitues
Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Astrit Beci, ka bërë të ditur se Fondi ka marrë të gjitha masat për mbulimin financiar të kësaj paketë bazë të kontrollit shëndetësor për popullatën 40-65 vjeç. Kryerja e përvitshme e këtyre analizave bazë, do të mbulohet nga Fondi me një vlerë vjetore prej 17-18 milion dollarë për 900 mijë përfitues. Përfitues të kësaj pakete, do të jenë të gjithë personat e grupmoshës 40-65 vjeç, pavarësisht nëse janë ose jo të siguruar. “Ky është një nga premtimet e mbajtura, për të shkuar drejt mbulimit falas për të gjithë popullatën për shërbimet bazë. Përveç pozicionit financiar, Fondi do të marrë përsipër dhe kontrollin e cilësisë së kësaj pakete bazë. Do të kryejmë auditimin e paketës, përmes një kontrolli supervizues mbështetës dhe edukues. Në kontratat e reja me shërbimin parësor, Fondi do të parashikojë përfshirjen e indikatorëve të rinj të cilësisë për ekzaminimet e kontrollit bazik”, sqaron Beci.
Pas 3 ditësh hiqet edhe TVSH e barnave
”Ne i ftojmë shqiptarët e shëndetshëm të zhvillojnë përgjegjësitë individuale kundrejt shoqërisë që po bëhet gati të marrë përsipër kostot e kujdesit shëndetësor të gjithsecilit, i ftoj që njëherë në vit pa pagesë të paraqiten në qendrën shëndetësore pranë banimit dhe të bëjnë kontrollin bazë. Jemi në rrugën e përmbushjes së angazhimeve tona, programore dhe qeverisëse, u zotuam për heqjen e TVSH-së për barnat dhe shërbimet shëndetësore, dhe ja ku jemi pas tre ditësh do bëhet efektive, lista e re e barnave të rimbursueshme e cila hy në fuqi pas tre ditësh, ka 56 barna të reja. Ndërkohë që edhe lista e re e barnave esenciale spitalore vetëm në QSUT shoqërohet me rritje të buxhetit 29 për qind më shumë”, u shpreh ministri Beqaj.
Zbulimi i sëmundjeve të reja
Zbatimi i kësaj pakete sipas zëvendësministrit Rjepaj është një vlerësim, komunikim dhe menaxhim i riskut shëndetësor, të individëve 40 deri 65 vjeç në popullsinë shqiptare, të cilët nuk kanë probleme të njohura apo diagnostikuara më parë, në lidhje me ato që ofrohen nga kjo paketë, dhe që nuk trajtohen për probleme shëndetësore që mbulohen nga kjo paketë. Ky vlerësim i riskut shëndetësor ka synim parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve, parandalimin e handikapit për shkak të sëmundjes, shtyrjen në kohë të ndërlikimeve duke synuar modifikimin e stilit te jetesës. “ Ky program do të adresojë në mënyrë sistematike shtatë shkaqet madhore të vdekshmërisë që shfaqen në moshat e rritura siç është HTA, duhanpirja, kolesteroli, dyslipidemia, obeziteti, dieta e varfër, inaktiviteti fizik dhe konsumi i alkoolit”, shton Klodjan Rjepaj.
Ja cilat janë kontrollet dhe ekzaminimet që do kryhen falas
•Matja e presionit arterial
•BMI, peshë/gjatësi (protokolli i matjes, trajnimi, këshillimi dhe ndjekja)
•ECG
•Formulë e gjakut
•Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC
•Kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, trigliceride (përcaktimi, këshillimi, referimi, ndjekja e rasteve)
•Glicemia
- Ekzaminime për shëndetin riprodhues
- Ekzaminime për kancerin e qafës se mitrës
- Mamografi për kancerin e gjirit
- Ekzaminime dhe analiza për shëndetin mendor
•Përzgjedhja e qendrave që do të kenë setin e pajisjeve të laboratorit, mjekët e laboratorit dhe laborantë (brenda numrit optimal për të lejuar standarde, cilësi, akreditim).
•Qendrat që nuk do të kenë laborator do të kenë një set minimal të nevojshëm për marrjen e mostrave, përpunimin dhe ruajtjen.
•Sistemi i kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë në laboratorë: duhet konsideruar niveli i saktësisë të matjeve laboratorike sipas standardeve të unifikuara evropiane ISO 15189 (QKCSA).
bravo per keto nisma, jeni te papar!
BRAVOOOO
me ne fund njerezit do shkojne ne spital pa frike dhe stres … sherbimi shendetesor falas eshte shembull per mirqenien sociale… bravo 🙂
uroj realizim te suksesshem te programit.