Zbardhet lista e teksteve shkollore që do të merren në përdorim falas nga nxënësit e klasave I-IV të arsimit bazë, por me kushtin që këto tekste duhet t’i kthehen shkollës së mbyllje të vitit mësimor.
Ditën e djeshme është zbardhur në Fletoren Zyrtare të Qeverisë udhëzimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave mbi procedurat se si do të veprohet për shpërndarjen e teksteve tek nxënësit e këtyre klasave. Tekstet shkollore për këto klasa, të cilat janë pronë e njësive arsimore vendore, do të përdoren për një periudhë kohore deri në tri vite shkollore.
Drejtori i shkollës publike ngre Komisionin e Administrimit të Teksteve Shkollore në përdorim falas, si strukturë që kryen të gjithë veprimtarinë e marrjes në dorëzim të teksteve shkollore, sipas porosisë së dhënë, kthimit dhe rishpërndarjes te nxënësit.
Porosia te botuesi/distributori bëhet zyrtarisht nga drejtori i shkollës, pas procedurës zyrtare të përzgjedhjes nga titujt e katalogut dhe konfirmohet nga drejtuesi i njësisë arsimore vendore. Botuesit duhet të bëjnë furnizimin drejtpërdrejt në shkollë sipas porosisë zyrtare të marrë detyrimisht deri në 10 ditë kalendarike para datës së fillimit të vitit të ri shkollor.
Sipas udhëzimit, drejtori i shkollës nënshkruan faturat tatimore të çdo furnizimi të bërë nga botuesit sipas sasisë së porositur. Origjinali i faturës tatimore, i nënshkruar nga drejtori i shkollës, dorëzohet në njësinë arsimore vendore për likuidimin financiar të subjektit furnizues, jo më vonë se 5 ditë kalendarike nga data e lëshimit të faturës.
Po ashtu në vendim saktësohet se drejtori i shkollës është përgjegjës për pajisjen në kohë me tekste shkollore të të gjithë nxënësve përfitues të regjistruar në atë shkollë.
Komisioni i Administrimit të Teksteve Shkollore në përdorim falas i dorëzon me procesverbal çdo mësuesi kujdestar për klasat I–IV tekstet shkollore për çdo nxënës.
Mësuesi kujdestar e pajis çdo nxënës me të gjitha tekstet shkollore njëherësh, sipas regjistrimit në klasën përkatëse, jo më vonë se 7 ditë kalendarike përpara ditës së fillimit të vitit shkollor.
Çdo mësues ngarkohet të porositë nxënësit dhe t’i kontrollojë ata në vazhdimësi, që në tekstet shkollore ku shkruhet, të bëjnë shënime vetëm me laps, që mund të fshihet dhe nuk e bëjnë tekstin të papërdorshëm.
Klasa I:
Abetare (libri i nxënësit).
Matematika 1 (libri i nxënësit).
Dituri natyre 1 (libri i nxënësit).
Edukim për shoqërinë 1 (libri i nxënësit).
Klasa II:
Gjuha shqipe 2 (libri i nxënësit).
Matematika 2 (libri i nxënësit).
Dituri natyre 2 (libri i nxënësit).
Edukim për shoqërinë 2 (libri i nxënësit).
Klasa III:
Gjuha shqipe 3 (libri i nxënësit).
Matematika 3 (libri i nxënësit).
Dituri natyre 3 (libri i nxënësit).
Qytetaria 3 (libri i nxënësit).
Gjuha angleze 3 (libri i nxënësit).
Gjuha frënge 3 (libri i nxënësit).
Gjuha italiane 3 (libri i nxënësit).
Gjuha gjermane 3 (libri i nxënësit).
Klasa IV:
Gjuha shqipe 4 (libri i nxënësit).
Matematika 4 (libri i nxënësit).
Dituri natyre 4 (libri i nxënësit).
Qytetaria 4 (libri i nxënësit).
Historia 4 (libri i nxënësit).
TIK 4 (libri i nxënësit).
Gjuha angleze 4 (libri i nxënësit).
Gjuha frënge 4 (libri i nxënësit).
Gjuha italiane 4 (libri i nxënësit).
Gjuha gjermane 4 (libri i nxënësit).
Pranvera Kola /DITA
