“Lista e zezë” e amerikanëve me 14 emra gjyqtarësh e prokurorësh

redaktor

Në listën e zezë të gjyqtarëve që iu është anuluar viza amerikane janë edhe emrat e 14 gjyqtarëve të kallëzuar nga ILDKPKI-ja, kallëzime këto që janë hetuar ose janë në hetim nga organi i akuzës.

Pavarësisht që prokuroria mund të ketë pushuar çështjen ndaj këtyre gjyqtarëve, emrat e tyre nuk janë përjashtuar nga lista e zezë e refuzimit dhe anulimit të vizave amerikane.

Përveç këtyre emrave të kallëzuar nga ILDKPKI, burimet thonë se janë edhe emra të tjerë të gjyqtarëve, që ambasada ka krijuar bindjen se janë të korruptuar, raporton Abc.

Emrat

Nga një hulumtim i DITA-s, rezulton se ILDKP ka kallëzuar në prokurori 12 gjyqtarë dhe dy prokurorë për akuzat e pastrimit të parave, fshehje të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve. Kallëzimet e para në nivele të tilla në fakt kanë ndodhur pas vitit 2013, me fillimin e detyrës nga Inspektori i ri Shkëlqim Ganaj.

I pari që është çuar për kallëzim penal është dhe një nga emrat më të përfolur për pasurinë e vendosur, gjyqtari Gjin Gjoni. Në 23 prill 2014, përmes një komunikate për mediat, ILDKP do të njoftonte dhe depozitimin në organin e akuzës të kallëzimit penal ndaj Gjin Gjonit, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Bazuar në nenin 281 të K.Pr.Penale, ILDKPKI ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kërkuar fillimin e procedimit penal ndaj subjektit Gjin Gjoni, me funksion gjyqtar, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bashkëshortes së tij Elona Çaushi, noteres Margena Çela, noteres Gentiana Shkodra për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë në bashkëpunim,falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim, dhe korrupsionit parashikuar nga nenet 257/a e 25, neni 186 e 25, neni 287 e 25, neni 319/ç të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e ILDKPKI-së. Në 26 shtator 2014, një tjetër gjyqtar do të kishte probleme me drejtësinë.

ILDKPKI do të kallëzonte Ardian Kalian, me funksion gjyqtar, Gjykata e shkallës së parë Tiranë, me akuzën deklarim të rremë të interesave private dhe mungesë burimesh financiare të ligjshme për të ardhurat në shumën rreth 40.000.000 lekë, deklarim të rremë për kontratat e apartamenteve me vlerë 73.000 euro dhe 44.000 lekë.

Tre ditë më pas, Osman Aliu me funksion, gjyqtar pranë Gjykatës së shkallës së parë, Kavajë, do të kallëzohej duke u akuzuar për fshehje të pasurisë, deklarim të rremë të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare për pasuritë e krijuara, transaksione të padeklaruara, të dyshimta, dhe pa burime të ligjshme, 2009 – 2013, jashtë Shqipërisë, deklarime të rreme për huamarrje, huadhënie dhe dhurata me qëllim justifikimin e pasurive të vëna në kundërshtim me ligjin, etj. Në 12 nëntor 2014, një tjetër kallëzim i bujshëm do të depozitohej në organin e akuzës.

Nga kontrolli i plotë i deklaratave të pasurisë të subjekteve Qani Hasa, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Petref Asllani, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Elbasan, ILDKPKI konstatoi se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë hartuar kontrata fiktive e të falsifikuara me qëllim përfitimin e një kredie me kushte lehtësuese nga Enti Kombëtar i Banesave dhe kanë bërë fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive në deklaratat e tyre të interesave private.

Madje sipas, ILDKPKI-së, gjyqtari Qani Hasa, pas proces-verbalit të pyetjes i ka ofruar para Inspektorëve të çështjes me qëllim mbylljen e problemeve të konstatuara gjatë kontrollit të plotë.

Edhe në vitin 2015, disa gjyqtarë do të duhet të përballeshin me akuzat në Prokurori. Më 28 prill 2015, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, paraqiti pranë organit të akuzës kallëzim për ndjekje penale ndaj Tomorr Kullollit, me funksionin gjyqtar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Besnik Qira, gjyqtar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a/2 dhe neni 287 i Kodit Penal.

Në 8 qershor të vitit që lamë pas, radhën do e kishin tre gjyqtarë të tjerë. Në përfundim të kontrollit të plotë të deklaratave të interesave private, pasi konstatoi fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, falsifikime dokumentesh, transferta të dyshimta dhe pa burime të ligjshme financiare jashtë vendit, ILDKP depozitoi kallëzime penale për: Petrit Aliaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Apelit, Vlorë; Rasim Doda, me funksion gjyqtar në Gjykatën e rrethit gjyqësor, Sarandë; Enkeleda Doda (Kashuri), me funksion gjyqtare në Gjykatën e rrethit gjyqësor, Sarandë. Një muaj më pas, më 9 korrik të 2015-s, Adelina Zarka, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe Petraq Çuri, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës u kallëzuan në Prokurori.

Midis të akuzuarve, në njoftimin e fundit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave që daton më datë 2 nëntor 2015, thuhet se është kallëzuar në prokurori Shpëtime Pitaku, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Share This Article
2 Comments
  • Shkoni pak ne Gjykaten e Permetit e verifikoni se si nje mega mashtrus qe futi ne dor mbi 300 milion lek te vjetra prona e lek te thata duke mashtruar nje teze te verber me premtimin qe do e pleqerojn dhe sapo futen ne dor ter pasurin e saj e plasen ne vetmin e eresires te vetme pa mbrojtje ,pa mbeshtetje e tashme te varferuar ! Gjykata e Permetit ,pa perfillur mendimin e prokurorit dhe te gjith opinionit shoqeror te ktij qyteti te vogel ,kte mashtrus kriminel e nxjer te pafajshem !!!!!!! Kjo fatkeqe sot nuk ka para as avokat te paguaj e nuk ka para as te drejten te blej sepse ate e blen mashtrusi me leket e saj ! Tragjedia dhe zhgenjimi i kesaj viktime nuk pershkruhet dot ne kto pak rjeshta ,por fytyra e vertet e Drejtesis dhe e atyre qe e perfaqesojn ate ,flet shum per cdo viktim qe bie ne dor te tyre , flet shum perse jan kaq te pasur kjo klas e re

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *