Listat e kandidatëve për deputetë… Manjet, jo tërmet

anazapta
Ka ditë që çështja e listave të kandidatëve për deputet për legjislaturën e radhës ka pushtuar gjithë bisedat e shoqërisë e, në jo pak raste, takimet apo bisedat mes njerëzve  hapen dhe mbyllen me to.
Duket se listat e borxheve nëpër dyqane a subjekte të ndryshme shërbimi edhe pse shtohen nga dita në ditë janë lënë mënjanë.
Mënjanë duket se janë lënë edhe vet listat zgjedhore që , të paktën nisur nga kërkesat e ligjit zgjedhor, tani duhet të flitej më shumë për to.
Kur flasim për punën  e listave për deputetë na duhet të theksojmë se zhurmat më të shumta vijnë nga krahu i opozitës e më saktë nga mazhoranca e saj, partia socialiste.
Nga krahu tjetër s’ka zhurma, vazhdon ende e pandryshuar komanda “… eja në rresht…”.
Mund të gjënden shumë arësye por, personalisht, këto zhurma do ti klasifikoja në dy drejtime ; nga njëra anë ata që shprehin një shqetësim real e që lidhet me një merak të sinqertë rreth efektit të tyre në elektorat, sikundër jo pak të tjërë që synojnë ta përdorin çështjen e listave si shantazh apo si një mjet për të çoroditur e cënuar sa do pak solidaritetin e socialistëve e mbështetësve të saj në këtë prag fushate.
As nuk ja vlen e as kam ndërmend të harxhoj kohë me shantazhet e shashkat që mazhoranca hedh në treg për listat mbasi disa prej tyre si bie fjala ato që thonë për zvëndësimin e Ruçit në krye të listës së Fierit apo kur i thuhet Braçes se “ të është prerë koka” janë aq të pa themelta sa edhe ata që i artikulojnë as vetë si besojnë. Në analizën time dua vetëm të vlerësoj shqetësimin që kanë plot njerëz të mirë e që presin që këto lista të jenë sa më shumë bashkuese, thithëse,si manjet, e jo të shtyjnë apo ca më tepër të shpërthejnë si lëndë plasëse apo të trondisin si tërmet.
Është koha që Partia socialiste edhe si forca kryesore e opozitës ,ka marrë përsipër një mision sa kombëtar aq edhe historik për të shpëtuar këtë vend nga rrokopuja përmes rotacionit politik të pushtetit e që kjo mund të vijë e të realizohet vetëm përmes votës së lirë në një proces zgjedhor të besueshëm e transparent.
Ka plot arësye për ta minimizuar çështjen e cilësisë së listave sidomos të mendosh derexhenë ku e ka zhytur vendin kjo qeveri. Në këtë kontekst në shumë votues ende gjen mëshirim ajo shprehja e famshme që edhe një “dru” të vendosë partia  votat i ka të sigurta.
Kjo do ishte rruga më e shkurtër dhe më e lehta për ata që kanë përgjegjësinë e hartimit të listave por e vërteta është krejt tjetër. Rëndësia që kanë këto zgjedhje detyron që më shumë ta vësh veshin tek “artopalanti” i skeptikëve se sa tek euforikët apo tek ata që llogaritë i bëjnë me një të rënë të kalemit.
Ca më tepër që kjo është një thikë me dy presa. Mbasi siç mund të gjenden lehtë votues të tillë, që as duan t’ja dinë për cilësinë e listave, janë jo pak ata që presin lista cilësore e sa më shumë motivuese.
Ndoshta kryetari i opozitës Edi Rama synon një transformim të listës zgjedhore, një përmirësim rrënjësor të saj dhe duket se kjo ka nisur.
Prezantimi i herë pas hershëm i disa prej atyre që i shtohen ekipit ballafaques tregon se kjo është një axhendë e mirë menduar e kryetarit socialist e jo me “të dalë , ç’të dalë…”.
 Por duket se prej kësaj praktike kanë nisur edhe komentet e shqetësimet e para të shoqëruara me zhurma e hamendësi jo sikur të ishin prezantuar  katër apo pesë të tillë po sikur të ishin deklaruar në këtë mënyrë  të njëqind e dyzetë kandidatët.
Duket se kjo është një risi për partinë në të madhe të opozitës dhe si e tillë mbart edhe mosbesim, sidomos me ndonjë kandidat të prezantuar të cilit i ka munguar lidhja shpirtërore dhe historike me këtë forcë politike, ndërkohë që nga lidershipi me siguri përfshirja në ekip është parë në një plan më të gjerë.
Nuk do të isha i saktë nëse do të thoshja se nuk  ka vend për ndonjë rezervë për ndonjë  prej tyre por në tërësi duhet thënë se janë emra që nuk vijnë nga humbëtira.
E them këtë mbasi po dëgjojmë këto ditë gjithfarë emrash që u është hapur oreksi për tu futur në lista. Dhe në një vështrim të përgjithshëm duket se ndërsa ca me thonj duan të mbërthehen për të mos u shqitur , ca të tjerë po me thonj duan të ngjiten në lista.
E shikon atë atje- më tha një miku im në një nga ditët e Konventës së Ps , në Tiranë, dhe më tregoi njërin që me këmbë e me duar po fliste me një nga drejtuesit në qendër.
Është filani, kërkon me se s’bën të futet në listë për deputet- më thotë kolegu im delegat.
I thirra kujtesës se mos ishtë ndër themeluesit e Ps, jo. Mos ja kisha dëgjuar emrin si të shquar në profesionin e tij a diku në shoqërinë civile, jo. Diku tjetër , jo edhe jo.
Vërtet s’kishte asgjë nga ato që mendoja por mora vesh se e vetmja “meritë” ishte miku, atje lart.
Sa të tillë ndeshen rëndom këto kohë e këto ditë…
Më vjen mirë që deri sot asnjë si ky tipi nuk po na prezantohet e kam bindje se në partinë socialiste as do të ndodhë..
Më duket normale që ,në përgjithësi, deputetët aktualë të pretendojnë të jenë përsëri pjesë e Parlamentit të ri. Madje më duket edhe njerëzore kur mendoj se katër vite u kaluan sa në përballje , sidomos disa prej tyre, dhëmbë për dhëmbë me mazhorancën e dhunën e kartonit po aq të tjerët në çadrat e bulevardit apo mbi gardhet policore të KQZ…
Por si në çdo legjislaturë ndryshimet dhe freskimet në ekip janë veprime krejt normale e të domosdoshme.
Veçse për lidershipin e partisë socialiste, sidomos, këto prurje duhet të jenë të mirë menduara e të peshuara në “ palancë farmacie”- që thonë.
Ndoshta Edi Ramës, jo thjesht si dëshirës por edhe si domosdoshmëri i duhet që të ketë një ekip sa më të ri e në tërësi teknicien por patjetër duhet të marrë parasysh rrethanat dhe kushtet.
Është e vështirë të eksperimentosh, pale të promovosh, ide apo praktika ,qoftë edhe nga më bashkëkohoret duke patur një njeri si kryeministri ynë  në karriken e kryepushtetit.  Edi Rama të paktën edhe në këtë përballje elektorale është i dënuar të veprojë me shumë kujdes e maturi duke ruajtur ekuilibrat dhe sidomos solidaritetin që gjatë gjithë kësaj kohe të gjatë në opozitë kanë krijuar e ruajtur socialistët e mbështetësit e tyre.
Ndryshimet kushtetuese të lejuara nga lideri i opazitës për tu bërë duke qënë Berisha në pushtet është mësimi më i madh  që duhet të jetë për Edi Ramën në këto kohë.
Jo çdo gjë e të gjitha mund të zgjidhen në një kohë. Tani partia socialiste dhe opozita e bashkuar kanë përpara një mision të madh e historik për të realizuar : pas tetë vitesh qeverisje tejet problematike  duhet të realizojnë patjetër rotacionit politik të pushtetit.
Ndaj listat e kandidatëve për deputetë duhet të bashkojnë e në asnjë rast të mos ndajnë… Manjet, jo tërmet.
Share This Article
5 Comments
  • Pershendetje,z.Sejmen, jame plotesisht ne nje mendje me ty per keto lista duke perkraur edhe ato 2-3 element te rinj qe jane per tu vleresuar, si ai i kukesit,qelibashi apo dhe ajo zonja e elbasanit, me te vertete jane figura qe e ngrein nivelin e perfaqesimit ne parlament te Partise Socialiste.

    • Po te drejte keni, ndryshimi ne ekipin politik parlamentar duhet, por me se duhet te zevendesohet eshte puna? A kane vlere kontributet e njerzve ne vite? Kush duhet te beje prioritet nje intelektual me kontribute partiake apo nje intelektual i vlersuar ne punen e tij e qe se njeh njeri? Aman se me duket se po kthejme partitine ne nje OJQ.OJQ-te kane mision tjeter nga partia.

  • Shkrimi pavaresisht stilit dhe shprehjeve te moderuara eshte kritik ndaj platformes se E.Rames per zgjedhjet e ardhshme. Ne fakt autori , duket jo rastesisht ,nuk e ka permendur asnjehere sloganin e PS – Rilindje ; nga ana tjeter nuk eshte e rastit qe kritiket me te medhenj te E.Rames brenda partise jane te ashtuquajturit “socialiste te vjeter “- ketu nuk ka asgje te vjeter, sepse eshte brenda dialektikes se ndryshimit; po keshtu kritike jane dhe deputete te vjeter qe per opinionin e gjere socialist dhe jo socialist nuk mund te sjellin gje te re ne politike, pavaresisht se sic thote autori ” jane ngrene dhemb per dhemb ” me regjimin e Berishes ; kritike te E.Rames jane edhe klanet e vegjel te PS ne baze , qe kane krijuar domenin e tyre . Cuditerisht jane keto kategori brenda PS qe nuk duan ta pranojne platformen e Rilindjes si nevoje rilindje edhe per vete PS . …Nuk eshte ketu vendi per te shtjelluar gjeresisht ceshtjen , por personalisht si qytetar i zakonshem ose ” socialist online” , shkurt mund te them :
    – eshte jashte konceptit te Rilindjes, idea e autorit se me shume rendesi ka realizimi ne radhe te pare i rotacionit politik
    – problemi me i madh brenda konceptit te Rilindjes do te shfaqet pas zgjedhjeve ; qeverisja per shkak te probleme te trasheguara ,por dhe te frymes qe trashegojne vete partite politike , do te jete shume e veshtire, neqoftese koncepti i Rilindjes nuk percillet edhe si nevoje ndryshimi brenda partive politike, ne qender dhe ne baze.
    E fundit, mbase jo me rendesishmja : ka nje gje ku autori ( qe ne kete rast perfaqeson nje fryme te caktuar ne PS ) eshte koherent ne idene e tij : – konceptin e rilindjes nuk e shtron si nevoje ndryshimi , as per qendren dhe as per bazen e partise !
    Dhe ketu shfaqet ndryshimi ndermjet vizionit te E.Rames , qe per shkak te rrethanave, synon te rinovoj PS nga qendra drejt bazes , dhe vete bazes qe , nuk po them i mungon vizioni, por qe gjithnje eshte me e ploget dhe konservatore.

  • I nderuari zoti Ibro !
    I kam vlerësuar shpesh ndërhyrjet dhe komentet e tua… Puna për disa vite si gazetar, pse jo, ta ka mprehur mendjen dhe lapsin.
    Më ndje që më duhet të replikoj pak lidhur me komentin tënd, jo pa mend por, në rastin konkret, pa vend.
    Partia socialiste Rilindjen tanimë e ka të gjithë pranuar dhe jo thjesht si slogan por si vizion.
    Autori i këtyre radhëve që njëkohësisht është edhe autori i shkrimit, e ka pranuar Rilindjen qysh kur , madje qysh kur Edi Rama do të vihej përballë votës së socialistëve e ndërsa shumë strukeshin për të mos u shfaqur do të shkruante në një të përditshme : Edi Rama, njeriu që i duhet PS…”
    Në shkrim asfare nuk më interesojnë sloganet por vetëm meraku për të arritur objektivin dhe vizionin që shpërfaq Rilindja.
    Personalisht mendoj se realizimi i rotacionit politik të jep mundësinë dhe krijon terrenin për të përmirësuar edhe ndonjë gjë që sarrin të përmbushet gjatë kësaj fushate zgjedhore.
    E meqënse të dy kemi vendlindje Labërinë, më lejo ta mbyll me një qasje nga këto anë.
    Puna është që mos të përgatisim e stolisim një nuse të mirë e të bukur ( Rilindje e thonë ) e pastaj të na mbetet në derë, Sinan vëllai

  • Me respektin ndaj nje miku te vjeter , duke ju kerkuar ndjese komentuesve te tjere, po e vazhdoj debatin, qe fare mire mund ta bejme edhe “neser dei” (sic thone nga Laberia ) kur te pijme ndonje kafe . Sipas meje edhe vete E.Rama apo PS jo rastesisht kane zgjedhur kete slogan. Por faktikisht , ndoshta edhe per shkak te taktikes elektorale, ende nuk po arrijne ta zberthejne si duhet kuptimin e ketij slogani. Dhe perseri sipas meje ” specialistet ” e PS e ndjejne qe rilindja e vertete do te thote qe ata, me e pakta, te leshojne disi terren ne favor te te rinjve, qe ne kete rast jane shumica, elemente te spikatur te shoqerise civile…Ne komentin tim te pare, ndoshta vertet pa vend per rastin tend, une jam kapur tek nocioni i Rilindjes, me shume per te dale tek koncepti qe une kam per Rilindjen ; nga ana tjeter edhe per ta gervishur disi “perden ” social-politike te ketij nocioni. Edhe pas ngacmimit tim, ne reagimin tuaj , nuk ka asnje pergjigje per sa parashtroja une….Frazen tende te fundit ” .Puna eshte qe ….. stolisim ….nuse…. te na mbetet ne dere …” sado qe u mundova t’i nxirrja kuptimin , nuk ia dola dot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *