Para se të vdiste një njeri që i kishte sjellë shumë të këqija fshatit të vet, vendosi që në momentet e fundit të thërriste banorët e fshatit ku jetonte. Me lotë në sy e duke iu kërkuar falje, ai u bëri një amanet: Meqë ju kam shkaktuar shumë të këqija, unë dua nga ju që kur të varrosem, të më vendosni një litar në qafë dhe të ma lini përjashta, me një mbishkrim në gurin e varrit, “kështu do të përfundojnë të gjithë ata njerëz që i sjellin të këqija fshatit të vet”.
Mbas disa kohësh aty pranë varrit të tij kaluan dy xhandarë, lexuan shkrimin dhe panë litarin përjashta, përnjëherë kujtuan se mos kishin të bënin me një vrasje. Mblodhën fshatin për t’i pyetur, dhe fshatarët po u thonin xhandarëve se si ishte e vërteta e litarit. Xhandarët nuk besonin, dhe kur panë që fshatarët këmbëngulnin në të tyren, filluan t’i rrihnin fshatarët me kamzhik e me tortura. Fshatarët me veten e tyre thanë: “Edhe i vdekur po na sjell telashe ky njeri, edhe kështu na shkaktoi zullume dhe të këqija”.
Pra a nuk është identik si ky njeri edhe Sali Berisha, që mbas 23 viteve zullume dhe të këqija që u solli bashkëkombasve, përsëri ka ikur duke na lënë litarin përjashta? Përsëri del dhe çirret, kërcënon dhe shan, akuzon dhe bën thirrje për revolta, për marrje pushteti. A nuk duhet të veprojmë ne si popull, a nuk të veprojnë organet e drejtësisë dhe vete politika shqiptare, që ta këpusim njëherë e mirë këtë litar që po kërkon përsëri të na ngatërrojë këmbët?
Letër e nënshkruar,
Bujar Cani
