Vetëm pak orë pas ofertës marramendëse prej 125 milionë eurosh që skuadra e Barcelonës bëri për mesfushorin brazilian Philippe Coutinho ka ardhur lajmi se Liverpool ka refuzuar këtë shumë.
Drejtuesit e skuadrës së “reds” kanë bërë sërish me dije se nuk kanë ndërmend të shesin lojtarin e tyre dhe se do t’i rezistojnë çdo presioni nga skuadra “blaugrana”. Kjo ishte oferta e tretë brenda pak ditësh që Barcelona ka bërë për Coutinho, ndërkohë që dy ofertat e para ishin prej 70 milionë dhe 100 milionë eurosh. Por në të trija rastet përgjigja ka qenë “JO”.
Skuadra e Barcelonës është në kërkim të dëshpëruar të një lojtari që do të zëvendësojë brazilianin Neymar, që u largua pak ditë më parë drejt PSG
Skuadra e Barcelonës është në kërkim të dëshpëruar të një lojtari që do të zëvendësojë brazilianin Neymar, që u largua pak ditë më parë drejt PSG. Por ai që ka vënë veton dhe ka vendosur të refuzojë çdo ofertë në adresë të Coutinho është trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, që e konsideron të pashitshëm lojtarin.
Barcelona bleu pak ditë më parë për 43 milionë euro brazilianin tjetër Paulinho, por duket se kjo blerje nuk bind, ndërkohë që në finalen e dytë të Superkupës u dëmtua edhe Luis Suarez, që do të mungojë 4-5 javë. Gjithsesi, mediat britanike bëjnë me dije se spanjollët mund të bëjnë një tjetër ofertë për Coutinho.
