Trajneri i Liverpulit, Brendon Rogers, është shumë i kënaqur me fitoren 1-0 ndaj Stoke City-t në javën e parë të kampionatit, por edhe për faktin se zhurma e krijuar në media rreth çështjes “Suarez” nuk ka ndikuar në përgatitjet e skuadrës së tij. Arsenali e kërkoi me ngulm sulmuesin 26-vjeçar, duke e rritur ofertën deri mbi 40 milionë sterlina, por rezistenca e drejtuesve të Liverpulit si dhe reagimi i tifozëve e detyruan uruguaianin të pranonte vijimin e karrierës në “Anfield Road”. “E vetmja gjë që mund të them rreth Luiz Suarezit është që jam shumë i kënaqur më mënyrën sesi janë zgjidhur gjërat. Tashmë duhet të shohim para. Ai është pjesë e kësaj skuadre dhe e këtij klubi. Tifozët tanë janë të veçantë dhe kjo është mënyra klasike sesi Liverpuli i mbështet futbollistët dhe trajnerët e tij”, tha Rogers. Ndërkaq Suarez nuk luajti, pasi ka edhe pesë ndeshje nga pezullimi me dhjetë të tilla, për sjellje josportive ndaj Ivanoviç te Chelsea-t, të cilin e kafshoi në krah gjatë ndeshjes mes dy skuadrave sezonin e kaluar.