Llalla-Hajdari, detajet e një shkarkimi pa shkëlqim

redaktor

Nga Habjon Hasani


Një javë pas një incidenti të përfolur dhe më pas të përgënjeshtruar mes Adriatik Llallës dhe vartësit të tij Shkëlqim Hajdari, skandali sot është shpallur publikisht. Adriatik Llalla ka firmosur shkarkimin e kreut të prokurorisë së Apelit Shkëlqim Hajdari, me motivacionin për “nevoja të riorganizimit të punës”.

Ndërsa sot pasdite Shkëlqim Hajdari, është prononcuar për disa gazetarë dhe citohet në media të jetë shprehur se shkarkimi i kishte ndodhur dy ditë pasi kishte informuar me një letër Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, ku sipas tij, në letër jepeshin të dhëna dhe informacione mbi incidentin dhe përplasjen fizike(ende të pakonfirmuar) mes tij dhe kryeprokurorit Llalla.
Kjo është panorama e asaj që ka ndodhur, por duket se ajo që ofrohet dhe ajo që është bërë e ditur publikisht nga palët mund të jetë vetëm maja e ajsbergut.

Më së pari në këtë histori, bie në sy fakti se urdhri për shkarkimin e Hajdarit erdhi vetëm një javë pas incidentit ende të pasqaruar në Hotel Tirana në mbledhjen e prokurorëve.

Në kushtet kur shkarkimi vjen vetëm një javë më parë është përfolur një konfrontim fizik mes Hajdarit dhe shefit të tij Llalla, është esenciale të dimë zyrtarisht nga organi i akuzës arsyet e këtij shkarkimi.  Biseda në vijim ofron dhe shpjegimet e dhëna nga një zyrtar i autorizuar i prokurorisë për këtë shkarkim.

Pol.al: Është njoftuar shkarkimi i kreut të prokurorisë së Apelit Shkëlqim Hajdari dhe…

Prokuroria: Së pari duhet të bëjmë një korrigjim, në kuptimin e ligjit për prokurorinë ai nuk është shkarkuar, pasi vazhdon të jetë prokuror, por ai është zhvendosur nga detyra.

Pol.al: Cila është arsyeja e kësaj zhvendosje?

Prokuroria: Zyrtarisht është lëvizur me motivacionin për “nevoja të riorganizimit të punës”.

Pol.al: Si lindën  këto nevoja për riorganizimin e punës në prokurorinë e Apelit? I keni dërguar grupe kontrolli, ka performancë të dobët apo çfarë?

Prokuroria: Shikoni, prokuroritë raportojnë në mënyrë periodike  aktivitetin e tyre pranë Prokurorit të Përgjithshëm  dhe ne vlerësuam se në prokurorinë e Apelit duhej punuar më mirë në drejtimin e cilësisë së hetimit, në drejtim të cilësisë së prezantimit në gjykata dhe disa çështje të tjera. Mbi këto arsye është bazuar urdhri për largimin nga ai pozicion.

Pol.al: Ju thoni cilësia e hetimit, por ajo është prokurori e Apelit. Zakonisht hetimet bazike i kryen prokuroria shkallës së parë apo jo? Prokuroria e Apelit kryesisht bën përfaqësim në Gjykjatën e Apelit.  A nuk është kështu?

Prokuroria: Zakonisht ndodh që hetimet pjesën më të madhe e kryen prokuroria në nivelin bazë. Por kjo nuk do të thotë se hetimet nuk mund të thellohen dhe në në prokurorinë e Apelit. Por janë një sërë çështjesh dhe jo vetëm cilësia e hetimeve.

Pol.al:  Ju thatë që prokuroritë raportojnë në mënyrë periodike. Duam të kuptojmë nëse dolën negative vetëm rezultatet e prokurorisë që e drejton z.Hajdari, apo ka dhe raportime nga prokurori të tjera që juve ju kanë lënë të pakënaqur?

Prokuroria: Nuk mund të themi në këtë moment diçka mbi këtë që më pyesni ju, por me siguri që do ketë dhe raportime nga prokuroritë e tjera që lënë për të dëshiruar. Ne do veprojmë edhe në këto drejtime.

Pol.al: Pra do ketë dhe masa të tjera por ju vendosët të veproni një e nga një, duke e nisur me z.Hajdari. Këtë po thoni?

Prokuroria: Është normale që të ketë masa të tjera të ngjashme në kuadër të rritjes së kërkesës për rezultatet e institucionit.

 

‘Top-secret’ dhe policë…


Prokuroria e Përgjithshme thotë se ka të dhëna për rezultate të dobëta të punës nga ana e zotit Hajdari, ndërsa ky i fundit në një prononcim për median sot , ka lënë të kuptohet se historia lidhet me konfliktet e tij me kryeprokurorin Llalla por edhe me incidentin e një jave më parë në Hotel Tirana.

Prokurori Hajdari ka njoftuar se dy ditë më parë ai i ka dërguar një letër Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, ku u ofron detaje mbi incidentin e ndodhur në Hotel Tirana. Nga ana tjetër është njoftuar nga vetë Hajdari se dhe policia e ka marrë në mbrojtje atë.

 “Jam marrë në mbrojtje të posaçme dje. Mendoj se për incidentin. Sepse para dy ditëve kam njoftuar me anë të një materiali top-sekret Presidentin, kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin lidhur me përfshirjen direkte të zotit.Llalla në incidentin e ndodhur me datë 3 në Hotel Tirana”, është shprehur Hajdari.

Në këtë prononcim të z.Hajdari bien në sy dy elementë. Së pari ai quan top-secret letrën dhe materialit që u ka nisur krerëve të shtetit. Por këtu ka një kontradiktë. Nëse në atë letër ka vetëm informacione mbi incidentin apo përplasjen fizike/verbale të ndodhur në Hotel Tirana, atëherë materiali jo vetëm që nuk është sekret, por është thjesht rrëfimi i një incidenti banal dhe vulgar të ndodhur në rangjet e organit të akuzës.

Materiali bëhet “top-secret” dhe merr klasifikim, vetëm nëse në atë letër, z.Hajdari ka dhënë dëshmi apo të dhëna lidhur mbi ndonjë aktivitet antiligjor të z.Llalla apo të Prokurorisë së Përgjithshme. Në këtë rast po do ishte një letër top-secret. Ndaj dhe është ende e paqartë nëse z.Hajdari e ka cilësuar gabimisht “top-secret ” letrën e tij apo nëse ai vërtetë ka dërguar të dhëna denoncuese për ndonjë implikim apo aktivitet të panjohur z.Llalla

Elementi i dytë është njoftimi që vjen nga z.Hajdari, se policia e ka marrë në mbrojtje atë.  Nuk kuptohet nëse kjo mbrojtje ka ardhur si pasojë e një procesi rutinë apo nëse mbrojtja është urdhëruar për shkak të përmbajtjes së letrës denoncuese të z.Hajdari, apo nga ndonjë arsye e panjohur.

 

Një shkarkim pa shkëlqim…

Nga të gjitha zhvillimet e deritanishme mbi këtë çështje bëhet e qartë se në prokurori ka një konflikt të agravuar mes kryeprokurorit Llalla dhe  vartësit të tij Hajdari. Arsyet e këtij konflikti apo dhe nivelin e agravimit të tij ende nuk e dimë, por mund të identifikojmë disa gjëra që nuk shkojnë. Është e pazakontë që prokuroria e Përgjithshme të ndërrmarë një urdhër shkarkimi vetëm një javë pas incidentit dhe si arsye të japë riorganizimin e institucionit që drejtonte Hajdari. Për më tepër që shkarkimi vjen vetëm 48 orë pasi Hajdari kishte dërguar një letër mbi incidentin me Llallën tek zyrtarët më të lartë shtetërorë.

Shkarkimi i sotëm i Hajdarit, është bërë në momentin dhe mënyrën më të gabuar  të mundshme, pasi në çdo rast lë pas hijen e ndëshkimit dhe jo të riorganizimit.

Është pak e vështirë të besosh se kryetarët e prokurorive shkarkohen kaq kollaj për çështje të performancës, pasi prokuroria është institucion simbol i një hierarkie vertikale, të ndikuar politikisht dhe institucion i dalluar për mungesës e meritokracisë dhe kërkesës së llogarisë.

Në këtë 20-vjeçar të stanjacionit të institucionit të akuzës, kanë ditur të bëjnë përpara në karrierë dhe Adriatik Llalla por edhe Shkëlqim Hajdari. Janë që të dy prokurorë që kanë ecur përpara në një mjedis që zakonisht i godet ata që kërkojnë cilësi pune.

Deri më sot asnjë prej të dyve nuk na kanë dhënë shpjegime për konfliktin e tyre, aq më pak na kanë dhënë ndonjë detaj nëse konflikti bën fjalë për ndonjë çështje profesionale që lidhet me punën dhe interesin publik dhe jo me hallet e tyre private.

Duket sikur kryeprokurori ka larë hesapet e tij private me dikë që e bezdiste në institucionin që drejton. Nuk ka asnjë të dhënë se debati dhe konflikti mes tyre është bërë për hir të efiçencës së punës në prokurori apo për hir të  interesit publik. Gjithçka na  kanë ofruar deri më tani, janë disa zënka dhe deklarata vulgare dhe një shkarkim pa shkëlqim…

(Marrë nga Pol.al)

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *