Llalla takon homologun e Belgjikës: Hetime të përbashkëta për grupet kriminale

redaktor

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, zhvilloi dje një takim me Prokurorin Federal të Mbretërisë së Belgjikës, Frédéric Van Leeuë. Fokus i takimit ishte bashkëpunimi për thellimin e mëtejshëm të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar. “Llalla i shprehu homologut të tij nga Belgjika gatishmërinë e plotë të prokurorisë shqiptare për të zhvilluar hetime në territorin e Shqipërisë për çdo qytetar shqiptar që dyshohet ose është i akuzuar nga autoritetet belge për përfshirje në trafiqe të paligjshme dhe kriminalitet të organizuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Duke e pasur të qartë se numri i emigrantëve shqiptarë në Belgjikë është relativisht i madh, Llalla, theksoi se “ekzistojnë mundësitë reale që shtetas të ndryshëm shqiptarë të jenë të përfshirë në krimin e organizuar dhe që mbajnë lidhje me vendin e origjinës, sidomos në tentativat për të pastruar produktet e veprave penale, pra të ardhurat e krijuara nga veprimtaria e paligjshme”. Prokurori Federal i Belgjikës, vlerësoi nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit, duke kërkuar edhe ekipe të përbashkëta hetimore, të ngritura mes dy vendeve për çështje konkrete. Si shembull ai ka sjellë aksionin e para disa javëve, ku u arrit të arrestoheshin 15 persona, 13 prej të cilëve shqiptarë, kryesisht nga zona e Shkodrës, për grabitje të dhunshme.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *