Gjyqi ndaj Kadri Hazbiut. Seanca e 19
“Fiqret Shehu shpif për takime agjenturore. Nuk kam kryer me ndërgjegje asnjë veprim armiqësor në dobi të grupit puçist të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e 19-të të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, një ndër të akuzuarit e ‘Grupit armiqësor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja), Llambi Peçini, mohon akuzat e bëra ndaj tij dhe deponimet e të akuzuarve të tjerë, duke këmbëngulur se ‘deponimet e tij në hetuesi i kundërshton, pasi ato janë marrë nën presion e dhunë’. Po ashtu, përballë fakteve e provave të kryegjyqtarit Aranit Çela e përfaqësuesit të akuzës, Rrapi Minos, ai rithekson se: ‘nuk di për asnjë grup armiqësor të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu e nuk kam qenë pjesëtar në asnjë grup kundër Partisë”…..
Kryetari(Aranit Çela):- I pandehur Llambi Peçini. Sikurse e dëgjove dhe nga aktakuza, akuzohesh se ke bërë pjesë në një organizatë kundër revolucionare që ka pasur për qëllim rrëzimin e pushtetit popullor si dhe ka pasur si objektiv likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror…
Llambi Peçini:- Unë nuk kam bërë pjesë në asnjë organizatë kundër revolucionare dhe nuk di fare për ekzistencën e një organizate kundër revolucionare të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu. Këtu thuhet, në faqen 74 të aktakuzës, se “Llambi Peçini ka pranuar platformën e saj”. Unë nuk di gjë fare për platformën as nuk kam marr pjesë. Këtu në hetuesi e lexova për herë të parë atë platformën, të famshmin program të poliagjentit Mehmet Shehu. Thuhet (në aktakuzë) se : ‘Ka punuar për ruajtjen e anëtarëve dhe të krejt organizatës nga dekonspirimi”. Nuk kam njohur asnjë njeri që të ketë qenë kundër Partisë, nuk kam ditur gjë për veprimtarinë armiqësore të tradhtarit Mehmet Shehu, se do ja kisha thënë Partisë. Nuk kam ditur gjë. Kam menduar se ka qenë në udhëheqjen e Partisë, e i kam shërbyer në funksionin që kam pasur, por jo si armik. Thuhet që kam pasur detyra konkrete për realizimin e puçit ushtarak, për eliminimin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë dhe përmbysjen e shtetit të diktaturës së proletariatit në Shqipëri. Nuk kam pasur asnjë detyrë konkrete dhe nuk di asnjë detyrë të tillë. Nuk di asgjë për këtë punë dhe unë dua të jap shpjegime për këtë, sepse në faqen 77 të aktakuzës thuhet se mua më akuzon Fiqret Shehu. Fiqret Shehu në ballafaqim tha se i kishte thënë Mehmet Shehu, se Llambi Peçinit i ishin propozuar dy variante (për vrasjen e Enverit): Aksident automobilistik dhe armë zjarri. Edhe gjoja i paska telefonuar Feçor Shehut që nga vila nr. 6 që thuaj Llambi Peçinit se rrëzohen ato propozimet e tij…
Gjithashtu, më ka akuzuar Llambi Ziçishti në ballafaqim, i cili tha se unë i paskam thënë në emër të Mehmet Shehut që të ndikonte në grupin e mjekëve për ndryshimin e terapisë që i bëhej Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror. Në faqen 77 të aktakuzës thuhet: ‘Padronët i dhanë Mehmet Shehut tre variante për ta realizuar, domethënë likuidimin fizik të Sekretarit të Parë, dy, atentat me pushkë nga larg në Vlorë gjatë shëtitjeve, tre, me helm me veprim të vonuar. Ju la në dorë Mehmet Shehut të vinte në veprim atë variant që do të gjente më të mundshëm. Tani cilat qëndrojnë nga këto? Padronët ja dhanë Mehmet Shehut këto variante apo unë? Apo mos isha unë padroni i Mehmet Shehut. Si do t’i thoshte Fiqretit ai që i propozova unë kur atij ia paskan dhënë padronët tre variante, përfshi këtë edhe aksidentin automobilistik, edhe armën e zjarrit? A nuk është gënjeshtër kjo në adresën time?
Kurse, përsa i përket deponimeve të Llambit, ju lutem të shikohet në faqen 78 të aktakuzës, ku vetë Llambi Ziçishti e rrëzon atë. Në hetuesi a në ballafaqim ai ka thënë, sikur unë i paskam thënë që të ndikonte tek grupi i mjekëve për ndryshimin e terapisë që i bëhej Sekretarit të Parë të Partisë! Një herë, unë e dija që Llambi nuk mund të ndikonte tek mjekët e udhëheqësit të Partisë, e para kjo. E dyta, në faqen 78 të aktakuzës, edhe më poshtë, Llambi Ziçishti pranon që këto ja ka thënë Mehmet Shehu. Atëherë, i rrëzon vetë këto që paskam thënë unë. Si do ti thosha unë në emër të Mehmet Shehut kur Mehmet Shehu e kishte në Tiranë Llambi Ziçishtin. E paska pasur dhe anëtar të organizatës, ashtu siç e pranoi vetë Llambi Ziçishti. Kështu që nuk janë të vërteta. Unë, përveç dashurisë së pakufishme për Partinë dhe Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror, nuk kam pasur asnjë të keqe në zemër dhe në mendje gjatë gjithë jetës sime, qoftë në fjalë, qoftë në punë. 20 vjet Partia më ka caktuar me detyra të tjera që unë kam marrë të gjitha masat për sigurimin fizik të Sekretarit të Parë edhe jashtë shtetit, edhe brenda shtetit… Sigurisht, atë e siguronte gjithë populli shqiptar, gjithë komunistët, gjithë patriotët. Po mua më kishte caktuar Partia në një vend të tillë që kisha direkt detyrë të tillë për të siguruar fizikisht udhëheqjen e Partisë dhe në radhë të parë, Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë(Enver Hoxhën)…
Kryetari:- Ke ndonjë gjë?
Llambi:- Nuk kam.
Kryetari:- Kam këtu procesverbalin. Dosja është nr. 6, faqe 9. Ja ç’thua ti këtu:’Unë pranoj që kam kryer veprimtari armiqësore kundër Partisë së Punës të Shqipërisë. Pozicioni im armiqësor është i hershëm dhe i zhvilluar prej vitesh si lidhje direkt e Mehmet Shehut dhe në bashkëpunim me pjesëtarët e tjerë të grupit tonë. Për shkak të hershmërisë time në pozicionin armiqësor kundër Partisë e pushtetit popullor dhe për arsye të qenies sime si bashkëpunëtor i grupit të kryesuar nga Mehmet Shehu, unë e kam të vështirë të vendosja për të pranuar veprimtarinë armiqësore që kam kryer’. Kjo është thënia jote. Këtë, ti e pranon?
Llambi:- Unë nuk e pranoj. Unë thashë edhe në seancën e parë, në seancën kur u gjykua pika e parë, që mua më janë marrë ato me detyrim…
Kryetari:- Lidhur me qëndrimin e organizatës, po përsëri në këtë dosje me nr. 6, faqe 26, që është procesverbali yt i 20 nëntorit 1982. Ja çfarë thuhet:’Siç kam mësuar nga Mehmet Shehu, kam mësuar se bashkëpunëtor kryesor i hershëm në komplotin që kryesonte ai, ishte dhe Kadri Hazbiu. Ata donin të përmbysnin Partinë e Punës së Shqipërisë dhe shtetin e diktaturës së proletariatit në Shqipëri. Siç më ka thënë Mehmet Shehu, Kadri Hazbiut i është ngarkuar detyra e rëndësishme, që në momentin e përshtatshëm, me urdhër të tij(të Mehmetit), të përdorte forcën goditëse të organeve të punëve të brendshme, Gardën, Policinë e Sigurimin për të eliminuar pengesat, siç i quante ai, udhëheqësit e shtetit e të Partisë. Kadriu do të shfrytëzonte autoritetin e tij si anëtar i Byrosë Politike e ministër i Punëve të Brendshme dhe do të fliste në emër të partisë për të kryer këtë detyrë’. E pranon këtë ti?
Llambi Peçini:- Jo, unë thashë nuk e pranoj se i kam bërë këto nën ndikim.
Kryetari:- Mirë. Fiqret Shehu të implikon pikërisht si anëtar të organizatës edhe si njeri që ka pasur dijeni për çështjen e puçit e të likuidimit fizik. Gjithashtu, edhe Llambi Ziçishti të implikon në këtë veprimtari, si anëtar i organizatës…
Llambi:- Jo, nuk e pranoj. Edhe Llambi Ziçishti më implikon, edhe Gani Kodra më implikon! Nuk i pranoj…
Kryetari:- Keni ndonjë pyetje?
Ndihmës gjyqtari:- Kisha një pyetje. Si shpjegohet që në të gjitha takimet, në të gjitha shkuarjet jashtë të Mehmet Shehut e familjes së tij, ti ke qenë njeriu që je caktuar gjithmonë për sigurimin e tyre? Nuk mund të gjendej një kuadër tjetër, e përse pikërisht ti dhe kur ke qenë drejtor? Edhe kur ka shkuar Fiqret Shehu, ke vajtur kur ka qenë me atë vaporin në OKB, edhe kur ka qenë në vitin 1972 dhe në 73-shin… Si shpjegohet gjithë kjo afërsi e madhe? Vetëm tek ti kishte besim Mehmet Shehu, si e shpjegon? Pyetja, parë nga hetimet dhe nga dëshmitarët, provat që administrohen në seanca gjyqësore dhe në hetuesi, del që ke qenë njeriu i afërt dhe ke qenë për darka e dreka dhe e ke çuar disa herë jashtë si shoqërues… Si e shpjegon?
Llambi:- Unë nuk kam shkuar vetëm me shërbim as jashtë shtetit as brenda shtetit. Prandaj, bile, bile prandaj kam afruar edhe Gani Kodrën atëherë që i thashë: Ti të afrohesh me grupin e Sigurimit të tradhtarit Mehmet Shehu se më kërkon mua…
Gjyqtari:- Pse?
Llambi:- Po se ishte i kënaqur nga shërbimi im si njeri i sigurimit. Unë kështu e mendoja, se ishte i kënaqur për eksperiencën time në sigurim dhe mua më caktonte Partia edhe për jashtë shtetit…
Ndihmësgjyqtari:- Tani, si e shpjegon ti i pandehur që deponimet e tuaja të datës 2, që lexoi kryetari, e të datës 20 nëntor, puqen me deponimet këtu për këtë problem, pra të të pandehurës Fiqret Shehu, Gani Kodra, etj? Si e shpjegon këtë?
Llambi Peçini:- E shpjegova këtë unë, i nderuar ndihmësgjyqtar. Unë, katër muaj e gjysëm u ngjira duke thënë se jam i pafajshëm. Ish-drejtori i hetuesisë Pirro Dauti me gjithë hetuesin Mark Nikaj më incizuan. Ja çfarë thotë Fiqret Shehu për ty, ja çfarë thotë Gani Kodra, ja çfarë thotë Skënder Shehu, ja çfarë thotë Llambi Ziçishti. Unë në atë kohë nuk kuptoja pse Gani Kodra, pse Llambi Ziçishti thonin kështu! Se njëherë thoshin nuk ka qenë fare Gani Kodra, bile dhe Fiqreti kështu deponoi para gjykatës… Dhe nuk e përmendi fare, fare, Gani Kodrën…
Kryetari:- Ndonjë pyetje tjetër ka?
Prokurori(Rrapi Mino):- Kemi shoku kryetar. Kur të është komunikuar në përgjithësi, pastaj të gjitha akuzat, të kam ardhur unë në hetuesi ty?
Llambi:- Më ke ardhur.
Prokurori:– U zhvillua atë ditë hetuesia deri në fund?
Llambi:- S’e mbaj mend.
Prokurori:- Ja, ta kujtoj unë. Pasi t’u komunikuan akuzat të gjitha, edhe për terror, edhe për të gjitha, ti na the sikur të vazhdonim ndonjë ditë tjetër me hetuesinë sepse nuk kam qenë dhe mirë… Të pyeta çfarë ke?
Llambi:- Kam një dobësi të përgjithshme, të thashë…
Prokurori(Rrapi Mino):- Shoku kryetar! Ne nuk habitemi dhe as çuditemi fare që spiunë të tillë si i pandehuri Llambi Peçini, e përsëris edhe një herë shoku kryetar, që nga spiunë dhe agjentë të tillë për shpifje të kësaj natyre ndaj organeve të hetuesisë ne kemi dëgjuar edhe nga të tjerë. Edhe kjo nuk na habit aspak. Vetëm një gjë duhet të sqaroj në këtë proces gjyqësor.
Në gjykimin e kësaj organizate kundër revolucionare marrin pjesë 11 vetë. Shtatë vetë, e katër të tjerë, bëjnë njëmbëdhjetë. Këto shpifje monstruoze kundër organit të hetuesisë ne i dëgjojmë, shokë gjyqtarë, nga tre: Nga i pandehuri Llambi Peçini, nga i pandehuri Kadri Hazbiu dhe nga i pandehuri Feçor Shehu. Nuk i dëgjon nga të tjerët e këtij grupi. E theksoj këtë se këta të pandehur, ose këta tradhtarë, më mirë të them, siç kanë bërë në kohën e tyre kur kishin funksione të rëndësishme në organet e punëve të brendshme, dikush ministër, dikush zëvendësministër dhe i pandehuri Llambi Peçini kryetar dege e funksione të tjera të rëndësishme, kanë bërë veprime të tilla të paligjshme ndaj të cilëve zhvilloheshin hetime.
Kjo është arsyeja shoku kryetar dhe shokë gjyqtarë, se siç e shikoni, këta tre të pandehur, të tre këta shpifësa janë fare mirë me shëndet. Si i pandehuri Llambi Peçini, i pandehuri Feçor Shehu dhe i pandehuri Kadri Kazbiu që na pretendoi këtu pa pikë turpi se i ishin thyer brinjët. Këta janë shpifësa të paturpshëm. Prandaj e thashë që në fillim shoku kryetar, ne nuk i vëmë rëndësi kësaj, se njerëz të tillë janë dhe nga të tillë njerëz do të dëgjosh edhe fëlliqësira të tilla. Por sidoqoftë, unë e vura në dukje këtë se më tej do të vazhdoj një çikë me akuzën për të cilën i ngarkohet të pandehurit Llambi Peçini…
Gjithashtu, i pandehuri Llambi Peçini, duke qenë shoqërues, që shoqëronte në udhëtime poliagjentin Mehmet Shehu, në vitin 1960 ka qenë ndërmjetësi i tij ose shoqëruesi i tij për të marrë takim me agjenturën jugosllave, me kryeagjentin, me Titon vetë dhe me djalin e Çurçillit, ish-kryeministrit anglez dhe me Fulcin. Gjithë kjo veprimtari agjenturore, gjithë kjo ndërlidhje, gjithë këto shërbime që i ka sjellë i pandehuri organizatës, tregojnë se i pandehuri Llambi Peçini ka qenë një nga anëtarët më aktivë të saj. Por nuk vazhdon vetëm kaq. I pandehuri Llambi Peçini është pjesëmarrës edhe në organizimin e terrorit dhe të puçit ushtarak, që do të ishte një nga detyrat e organizatës për përmbysjen e socializmit në Shqipëri dhe marrjen e pushtetit nga armiku Mehmet Shehu… Natyrisht, këtu doli mirë roli i gjithë secilit nga anëtarët e këtij grupi…
Del pyetja, pse e mohon një gjë të tillë? E mohon se do ta largojë veten nga krye agjenti, nga krye tradhtari dhe nga kryetari i organizatës kundër revolucionare që ishte Mehmet Shehu. Se e ka pasur njeriun e tij më të afërt, çdo gjë me këtë e bënte… Prandaj them, shokë gjyqtarë, si përfundim, si konkluzion, se Llambi Peçini është pjesëtar aktiv i organizatës kundër revolucionare për kryerjen e detyrave të rrezikshme, më të rëndësishme, me një cinizëm ndaj pushtetit tonë popullor, ndaj Udhëheqësit të Partisë, atë të puçit ushtarak dhe veprës së terrorit… Por këta agjentë, këta pjesëtarë të kësaj organizate kundër revolucionare, komplotiste, puçiste dhe terroriste, Partia ua preu dorën, i ndali në mes të rrugës, i mbërtheu, i solli në bankën e të akuzuarve që të jepnin llogari para drejtësisë së popullit….
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Llambi Peçini shoqëronte në udhëtime brenda e jashtë vendit poliagjentin Mehmet Shehu. Në vitin 1960 ka qenë ndërmjetësi i tij për të marrë takim me agjenturën jugosllave, me kryeagjentin, me Titon vetë, dhe me djalin e Çurçillit, ish-kryeministrit anglez dhe me Fulcin. Kjo veprimtari agjenturore, tregon se i pandehuri Llambi Peçini ka qenë një nga anëtarët më aktivë të organizatës. I pandehuri Peçini është pjesëmarrës edhe në organizimin e terrorit dhe të puçit ushtarak, vrasjes së Udhëheqësit Enver Hoxha që do të ishte një nga detyrat e organizatës për përmbysjen e socializmit në Shqipëri dhe marrjen e pushtetit nga armiku Mehmet Shehu…
SOM 2
“E shpjegova këtë unë, i nderuar ndihmësgjyqtar. Unë, Llambi Peçini, katër muaj e gjysmë u ngjira duke thënë se jam i pafajshëm. Ish-drejtori i hetuesisë Pirro Lutaj me gjithë hetuesin Mark Nikaj më incizuan në hetuesi. Më thoshin, ja çfarë thotë Fiqret Shehu për ty, ja çfarë thotë Gani Kodra, ja çfarë thotë Skënder Shehu, ja çfarë thotë Llambi Ziçishti. Unë në atë kohë nuk kuptoja pse Gani Kodra, pse Llambi Ziçishti thonin kështu! Se njëherë thoshin nuk ka qenë fare Gani Kodra, bile dhe Fiqreti kështu deponoi para gjykatës… Dhe nuk e përmendi fare, fare, Gani Kodrën… I mohoj ato të hetuesisë se janë marrë me dhunë”.
NESËR DO TË LEXONI:
-Debati mes Aranit Çelës e Kadri Hazbiut. Çela: Përgatite vrasjen e Enver Hoxhës me urdhër të Mehmet Shehut. Hazbiu: Fiqreti mashtron, nuk kam marr asnjë urdhër!
-Përballja e Kadri Hazbiut me akuzat e Nesti Nases, Mihallaq Ziçishtit e Fiqret Shehut për ‘Tradhëti’ dhe mbrojtja e Kadriut para trupit gjykues.
-Deponimet e Kadri Hazbiut, akuzuar dhe për vepra terroriste: Si dhe pse i dogjëm krejtësisht fshatrat Sinë dhe Fushë-Aliaj në Dibër gjatë luftës.
” Komunizmi ha bijt e vete “