Lodrat e fatit

Ornela

Dy shokë në këtë jetë,
Se ç’u ngritë në pushtet,
Njëri në katin e parë,
Tjetri në katin e dhjetë.

Kati i dhjetë tallte të parin:
“Tërë jetën poshtë mbete,
Çudi si s’ta zënë frymën,
Nëntë kate përmbi vete!…”

Kati i parë me ngadalë,
I përgjigjej me dy fjalë:
“Sado që të shesësh mend,
S’e kam zili katin tënd…

Ti po re nga kati i dhjetë,
Do të bëhesh fije-fije,
Unë që jam në kat të parë,
Jam në tokë s’kam ku bie.

Rrallë kush në këtë jetë,
Ndenji gjatë në kat’ të dhjetë.
Ndaj mos ju gëzo shumë katit,
Se s’dihen lodrat e fatit.

Ndaj ti duhesh mëshiruar,
Sado që të kapardisesh,
Në këtë botë të trazuar,
Gdhihesh, po s’e di në ngrysesh.

Unë mendjen e kam ndarë,
S’ka gjëkund si kati i parë…”

Më mirë syri se nami

Miti i vogël dy vjeçar,
Në lodrat e fëminisë,
Një ditë të bukur vjeshte,
S’dalloi dot delen prej dhisë.

I thoshin babai dhe nëna,
Kur i bënin përkëdhele:
“More, Miti budallai,
S’dallon dhinë nga një dele!…”

Këtë punë pas disa kohësh,
E mori vesh gjithë mëhalla:
“S’dallon dot delen nga dhia,
O, Miti t’u bëftë halla!…”

Më pas e ngacmonin Mitin,
Ku mësonte në çdo shkollë:
“S’dallon dot delen nga dhia,
More Miti mendjehollë!…”

Shkuan vitet pa kuptuar,
Vajti Miti në ushtri,
Po dhe këtu prapë i thanë:
“S’di ç’është dele, s’di ç’është dhi!…”

Dhe kur u martua Miti,
Sapo pak u ndez rakia,
U ngritën e thanë për dhëndrrin:
“S’dallon dot delen nga dhia!…”

Shkuan dhe vite të tjerë,
Shtatë fëmijë bëri plot,
Porse praë i thanë:
“Dhinë nga delja s’dallon dot!…”

U thinj Miti, u plak Miti,
Dhe një ditë jetë ndërroi,
E një bejtexhi nga fshati,
Epitaf mbi varrin shkroi:

“Këtu prehet xhaxha Miti,
Jetën s’e pat karamele,
Që i vogël e goditi,
E mori dhinë për dele!…”

1980

Share This Article
1 Comment
  • Eh i shkreti bejtexhi qe kercen nga Krishti tek lojtaret e fatit. Ama vetem per kumandarin ishte gati te jepte jeten e te hante bar por cka eshte me keq se ai akoma sot sheh endra me kumandarin e na shqyen gazit me bejtet e tij bajate politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *