Lojërat e tepërta në celular, qëndrimi me orë të tëra para televizorit e internetit, si dhe çanta e mbushur me libra, po bëhen shkak për shfaqjen e deformimeve të shtyllës kurrizore që në moshë të vogël. Ndonëse nuk ka një studim të mirëfilltë që të tregojë të dhëna konkrete rreth këtij fenomeni, ekspertët e shëndetit tregojnë se realisht jemi përballë një situate shqetësuese.
Kjo pasi një numër gjithnjë e më i madh fëmijësh në arsimin parauniversitar janë duke zhvilluar deformime të pakthyeshme të shpinës, për shkak të mbajtjes në kurriz të çantave që kanë një peshë më të rëndë se sa aftësia e tyre trupore për t’i mbajtur. Gjithashtu edhe moderniteti i tepruar i përdorimit të celularëve dhe internetit, po e ekspozon edhe më shumë shëndetin e të vegjëlve drejt këtyre deformimeve. E në rast se nuk ndërhyhet, fëmijët rrezikojnë dëmtim afatgjatë dhe të përhershëm nëse ata rregullisht bartin më shumë se 15 për qind të peshës trupore mbi supet e tyre.
Nuk janë të pakta raste kur fëmijët ankohen për dhimbje të shpinës, të cilat fatkeqësisht neglizhohen dhe nuk marrin vëmendjen e duhur nga prindërit.
“Fëmijëve po u deformohet shtylla kurrizore si rrjedhojë e rëndesës së çantave dhe lojërave në celular. Kirurgët pohojnë se numri i fëmijëve midis moshës 8 – 18 vjeç, të cilët ankohen për dhimbje të mesit, pasojë e deformimeve të shtyllës kurrizore, po rritet. Zhvillimi i problemeve spinale, siç është dëmtimi i disqeve të shtyllës kurrizore, si rrjedhojë e qëndrimit (posturës) jo të drejtë po ashtu është në rritje. Ndaj është shumë e rëndësishme depistimi i fëmijëve për qëndrimet e shëndetshme në parandalimin e deformimit të shtyllës kurrizore”, pohon për gazetën “Dita”, Enida Xhumari, specialiste e Higjienës dhe Promocionit pranë Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila është njëkohësisht edhe hartuesja e udhëzuesit që u është dërguar tashmë mjekëve të shkollave mbi parandalimin e deformimeve të shtyllës kurrizore tek fëmijët. Sipas saj, vëzhgimet tregojnë se dhimbja e kurrizit jospecifike bëhet më dukshme, teksa shtohet me rritjen e moshës dhe është më e shpeshtë, tek vajzat se sa tek djemtë. Gjithsesi, dhimbja e mesit është shumë më e shpeshtë tek më të rriturit, se sa në fëmijë. Më pak se 30 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve ankohen për dhimbje mesi dhe fare pak shkojnë te mjeku për këtë dhimbje.
Për t’i paraprirë kësaj situate shqetësuese, Ministria e Shëndetësisë ka udhëzuar mjekët e shkollave që të ndihmojnë në depistimin dhe parandalimin në kohë të këtyre deformimeve.
“Aktualisht mjekët nëpër shkolla janë duke punuar në këtë drejtim, dhe pritet që të dhënat e para rreth situatës reale të këtyre problemeve tek fëmijët të bëhen publike rreth muajve mars-prill, kohë në të cilën parashikohet edhe përfundimi i depistimit. Nuk mund të flasim për statistika konkrete, pasi në këtë drejtim deri më sot nuk ka pasur një studim të mirëfilltë apo një depistim në rang kombëtar. Jemi duke pritur të dhënat konkrete të këtij vëzhgimi që po kryhet si në arsimin e detyruar 9-vjeçar, ashtu edhe nga mjekët e shkollave të mesme. Në varësi të këtyre rezultateve do të detajohen edhe masat konkrete të ndërhyrjes që do të ndërmerren në këtë drejtim”.
Udhëzuesi për mjekët e shkollave
Adoleshentët të cilët rrinë të ulur për orë të tëra përmbi ekranin me kokën e përkulur, e detyrojnë shtyllën kurrizore të krijojë hark. Ata mund ta ndryshojnë këtë duke qëndruar drejt e mbështetur mbi bërryla. Sipas Xhumarit, një rol thelbësor luajnë dhe mjekët e shkollave si dhe mësuesit e aktivitetit fizik në shkolla, të cilët duhet t’i drejtojnë më shumë rreth aktiviteteve fizike, si : “futboll, karate, hedhje, etj”. Këto do shënonin një diferencë të madhe në jetën e tyre të përditshme. Në ditët e sotme fëmijët janë më shumë të stresuar se 20 vjet më parë, dhe aktiviteti fizik realisht do i ndihmonte. Pyetjes se çfarë duhet të kenë parasysh mjekët e shkollave gjatë depistimit (kontrollit), Xhumari i përgjigjet duke shpjeguar se ata do të bëjnë një vlerësim të mirë klinik, ku do të diagnostikojnë shumicën e shkaqeve të dhimbjes, si dhe sa më i vogël të jetë fëmija dhe sa më e gjatë të jetë historia e ankesave, aq më e mundshme është që sëmundja përgjegjëse me këto simptoma, të jetë serioze.
Zbulimi i ndërlikimeve që shfaqen tek fëmijët
Në udhëzim specifikohet se është thelbësore të merret një histori e kujdesshme. Për këtë mjekët e shkollave në evidentimin e këtyre problemeve duhet të përfshijnë :“karakteristikat e dhimbjes, përfshirë kohëzgjatjen e dhimbjes, rëndesën, përhapjen e dhimbjes, shqetësime të gjumit dhe ndaj aktiviteteve të tjera të ditës, ashtu si dhe faktorët shoqërues apo rëndues”. Mjekët, gjithashtu duhet të ndalen edhe tek simptomat shoqëruese, si temperaturë, humbje peshe, simptoma neurologjike (dobësi muskulare apo paraliza, mpirje, ç’rregullime të ecjes, disfunksion të vezikës urinare apo zorrës). Njëkohësisht do të ndalen në histori të kaluara mjekësore, si për shembull episode të mëparshme të dhimbjes së qafës apo shtyllës kurrizore, artrit, traumë. Edhe historia familjare luan një rol të rëndësishëm pasi njohja e fakteve të tilla si artrit, skoliozë, e tjerë ndihmojnë në parandalimin e tyre tek fëmijët. Gjithashtu mjekët do ndalen edhe tek historia psikologjike, nëse është depresion që e keqëson dhimbjen e mesit apo dhimbje e mesit që shkakton depresion. Historia sociale, mbajtja e çantës së shkollës, aktivitetet e shkollës, aktivitetet sportive (sidomos sportet e kontaktit, atletikë, zhytje, etj). Pas verifikimit të gjitha këtyre situatave mjekët do të ndalen në menaxhimin dhe referimin e rastit, e cila përfshin : “Konfirmim të diagnozës në rast të patologjive serioze. Dhënie të medikamenteve analgjezikë. Marrjen e masave në parandalim që kanë të bëjnë kryesisht me këshillim dhe edukim, fizioterapi ushtrime, aktivitet fizik. Për fëmijët që paraqesin problem serioze, ndiqet sistemi i referimit, ku u jepet informacion prindërve dhe këshillim për format se si të parandalojnë këto deformime”, sqarohet më tej në udhëzim.
Detaj…
Adoleshentë po shfaqin gjithmonë e më shumë deformime të shtyllës kurrizore, rrjedhojë kjo e modernizimit të shoqërisë civile. Ky fenomen modern, siç thonë ekspertët, i cili shkakton deformim të shtyllës kurrizore dhe në disa raste hernie diskale, skoliozë, vjen si rezultat i mbajtjes së çantave të rënda, apo luajtjes për orë të tëra me celular apo lojëra elektronike. Madje, ekspertët thonë që nuk ka asnjë diferencë, si një person që punon me orë të tëra në fabrikë ashtu edhe një fëmijë që kalon mbi 8 orë, duke lozur me lojëra elektronike. Ndaj, dhe një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar qëndrimit korrekt (posturës) gjatë gjithë aktiviteteve ditore.
7 rregulla të rëndësishme për t’u ndjekur nga prindërit:
1. Tërhiqni herë pas here vëmendje fëmijëve, të mbajnë pozicionin drejt të trupit si gjatë ngrënies së vakteve, ashtu edhe gjatë ushtrimit të detyrave të shkollës. Mos i lejoni që të ushqehen në divan, por duke mbajtur pozicionin drejt vetëm në tavolinë, pa mbështetur parakrahët.
2. Regjistrojini minimalisht dy here në javë në aktivitete fizike jashtëshkollore, si : sporte të ndryshme sipas grupmoshës, not, futboll, basketboll, karate, balet, tenis.
3. Mos lejoni që fëmija juaj, të shtrihet në divan apo krevat gjatë kohës që shikon TV apo loz me lojëra elektronike.
4. Ai apo ajo të përdorë çantë me rrota me dorezë të gjatë (minivalixhe), për të evituar mbajtjen e ngarkesës në shpinë. Në të kundërt, përdorini të dy krahët e çantës në mënyrë që ngarkesa të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë trupin. Vendosja vetëm e njërit krahë të çantës, çon në devijim e trupit nga njëra anë e ngarkesës.
5. Sigurohu që fëmija të mos shohë TV, të lozë kompjuter apo të rrijë ulur, pa bërë një pushim, jo më shumë se 20 minuta.
6. Mundohuni që fëmijët të mos i shoqëroni me makinë për në shkollë, pasi e ecura është një pjesë e rëndësishme e regjimit ditor të aktivitetit fizik.
7. Ndonjëherë herë, çantat e shkollës i shkaktojnë fëmijëve dhimbje në qafë, si dhe në shpatull. Për t’i shmangur këto, ndiqni këto rregulla:
– Qëndroni drejt. Nëse çanta ju shtyn në përkuljen e trupit apo animin nga njëra anë e trupit, do të thotë që fëmija po mban një ngarkesë më shumë seç duhet.
– Kufizoni peshën. Mundohuni të mbani sa më pak libra që të jetë e mundur. Mjekët rekomandojnë, që fëmijët duhet të mbajnë jo më shumë se 10 për qind deri në 15 për qind të peshës së trupit. Për shembull, nëse fëmija peshon 30 kg, çanta duhet të ketë një peshë jo më të madhe se 3 deri 4.5 kg.
– Jepini mundësi kurrizit të pushojë. Kur mundeni, lëreni çantën në dollap dhe merrni vetëm çfarë ju duhet.
Një mjek i njohur gjerman, e ka krahasuar këtë deformim të shtyllës kurrizore tek fëmijët, në një artikull të botuar në revistën hollandeze “Medisch Contact”, me rritjen e pemës Bonsai. Ai shprehet, se: “Kockat sillen në të njëjtën mënyrë si druri. Nëse e detyron në një drejtim të caktuar, për një periudhë të gjatë kohe, ajo do të përfundojë që të rritet në atë drejtim.”
J afut kot ai ne lidhje me cantat –Cantat i bejne mire femijeve ne kuriq ,sepse i zhvillojne shpatullat dhe rezitencen e eprgjitheshme ne trup dhe tek kembet
Por ,per shkak se femijet qendrojne shume para lojerave me kompiuter, atehere duhet qe ne shkolla te behet 1 ore gjimnastike, ku femiejt te vrapojne, te lozin me top , te bejne ushtrime gjimnastikore ….
Po ashtu te krijohen aktivitete sportive midis klasave dhe pastaj midis shkollave , ku femijet ndeshen ne lojera futbolli, basketbolli, volejbolli , mundje , terheqje litari
Tu behen femijeve eskursione 1 here ne muaj , duke i cuar ne ndonje periferi ne fshatra …et etj aktivitete te tilla ku femija mer pjese fizikisht …
Sic behej ne kohe te Enverit , Te bejne keto lloj aktivitete sportive dhe femijet do jene gjithmone te gjalle e te shendeteshem …. ,
Te isha une drejtor i ndonje shkolle fillore do krijoja grafikun e aktiviteteve sportive , ku klasat e ndryshme do ndesheshin ne futboll, basketboll, terheqje litari, gara vrapi ne 100 m, dhe ne gara te gjata –Por garat e gjata do i benim me ndalesa qe femiejt ecnin nja 300 metra me vrap, pastaj ecin me hap ..dhe pastaj prape me vrap……Do u fusja sportin ne gjak…