Deputetët e komisionit parlamentar të Ekonomisë kanë miratuar me votat e tyre ndryshimet për lojrat e fatit. Kjo pas debateve të ashpra mes deputetëve të të dy kampeve politike. Deputetët e opozitës kanë kërkuar sqarime nga përfaqësuesi i Ministrisë së Financave se sa është evazioni fiskal për lojërat e fatit, një përgjigje që nuk ka ardhur nga përfaqësuesit e ministrisë. Kjo më pas ka shkaktuar debate në komision, pasi sipas përfaqësuesit të ministrisë, si e vetmja përgjigje e ardhur prej tij ishte se “rritja e të ardhurave tatimore tregon rënie të evazionit fiskal”, duke e kthyer më pas debatin në politik të deputetëve të të dy kahjeve.
Po cfarë parashikojnë ndryshimet ligjore për lojrat e fatit?
Gjatë një periudhe kohe 2-vjeçare, që nga ndryshimet e fundit ligjore, tregu i lojërave të fatit ka ndryshuar ndjeshëm. “Teknologjia e këtij tregu ndryshon çdo ditë, duke bërë një kërkesë të domosdoshme ndryshimin e bazës ligjore dhe rregullimin më të mirë të marrëdhënieve juridike të vendosura në mbrojtje të lojtarit dhe të qytetarit në përgjithësi” është shprehur në argumentin e saj ligjor Ministria e Financave për ndryshimet që ka sjellë lidhur me ligjin. Në kuadër të këtyre ndryshimeve ky institucion ka gjykuar të fusë në kuadrin ligjor dhe shërbimin e “kazinosë elektronike në distancë”, pra të zhvillimit të lojës online nga kompjuteri, kudo qoftë lojtari. Ministria e pranon faktin që lojrat elektronike online janë përdorur, por që kanë qenë të pakontrolluara. Për këtë shkak në projektligjin “Për lojërat e fatit”, (nenet 2,3,5, 6, 9 dhe 10) është shtuar si kategori loje fati “kazinoja elektronike në distancë”, duke parashikuar dhe mënyrën e licensimit, kontrollin dhe tatimin mbi këtë kategori. Sipas kërkimeve të ekspertëve të huaj, rreth 10% e vëllimit të lojës së kazinosë elektronike në botë qarkullon on-line e për këtë shkak as Ministria jonë e Financave, nuk kërkon të bëjë përjashtim. Për këto arsye u shtua kjo kategori e re duke pasur gjithnjë parasysh që mbrojtja e qytetarit nga mashtrimet dhe aktivitetet e paligjshme, si dhe mbrojtja e vetë lojtarit, duke i ofruar këtij të fundit një shërbim të rregulluar dhe të kontrolluar, janë shtyllat kryesore në të cilat mbështeten dispozitat që rregullojnë këtë aktivitet. E në këtë kontekst në projektligj është arritur të kihen parasysh disa tregues sigurie, si p.sh dokumentimin e lojtarit nëse është efektivisht mbi 18 vjeç (Neni 10/2, i projektligjit), në asnjë rast të mos ketë pagesa në “cash”, por gjithnjë nga llogaritë bankare, duke i bërë transferimet e pagesave lehtësisht të kontrollueshme, mbikëqyrjen e vazhdueshme të çdo transaksioni me anë të serverave, të cilët duhet të kenë karakteristika të larta teknike, etj. Po kështu ndryshimet ligjore përfshijnë të tjerë elementë të rëndësishëm, në kuadër të ndikimeve dhe problemeve sociale që mund të shkaktojë vesi i bixhozit. Me ndryshimet ligjore të propozuara, saktësohet kushti dhe penaliteti në rast se konstatohen prania e lojërave të fatit në subjektet e arsimit. Kjo vlen edhe për institucionet bankare, që sipas propozimit, aktivitetet e bixhozit duhet të qëndrojnë sa më larg tyre. “Projektligji synon rregullimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale me qëllim goditjen e informalitetit në tregun e lojërave të fatit dhe mbrojtjen e qytetarit, si dhe të lojtarit nga ky fenomen. Ai rregullon edhe marrëdhëniet me subjektet që duhet të pajisen me autorizim për organizimin e lojërave promocionale të fatit”, thuhet në relacionin e Ministrisë së Financave për këto ndryshime ligjore të parashikuara, por që dje në komisionin e ekonomisë janë kthyer në debate për evazionin fiskal.
Si do jetë niveli i taksimit të lojrave të fatit
– 0.5% të të ardhurave nga arkëtimet për Njësisë Mbikqyrëse të Lojrave të Fatit
– 2% të të ardhurave nga arkëtimet si tatim loje
– 0.2% të të ardhurave nga arkëtimet për bashkitë dhe komunat ku zhvillohet aktiviteti
– 90% e shumave të luajtura u kthehet lojtarëve