Lojtarët e Dinamos së Zagrebit kanë bërë një hap të madh drejt kalimit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, duke fituar të mërkurën në “Elbasan Arena” ndaj Skënderbeut 2-1.
Kampionët shqiptarë kaluan në epërsi në minutën e 37-të, pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar mjeshtërisht nga Shkëmbi, ndërsa barazoi shifrat pas 66 minutash lojë Soudani.
Festa e kroatëve mori përmasa të plota në kohën e gjyqtari po kronometronte minutat shtesë, kur Joseph Pivaric shënoi një gol të bukur dhe u dha fitoren të tijve. Njëri prej futbollistëve të Dinamos së Zagrebit, Marko Pjaca, për sfidën e “Elbasan Arenës” deklaroi: “Ndeshja ishte e vështirë, por fitorja e merituar. Ne ishim ekipi më i mirë.
Kemi treguar më shumë se kundërshtari dhe e meritonim ndoshta më herët dhe në shifra më të mëdha fitoren. Megjithatë, Skënderbeu tregoi se është ekip i cilësisë. Ata janë shumë të fortë dhe ne kemi për të luajtur edhe 90 minuta të vështira në “Maksimir”.
Asgjë nuk është e mbaruar. I ftoj të gjithë tifozët për të ardhur në “Maksimir” dhe të na ndihmojnë për të shkuar së bashku në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve”.
Ndërsa Josip Pivaric, autori i golit të dytë për Dinamon e Zagrebit në “Elbasan Arena” theksoi: “Zhvilluam një lojë shumë të mirë, ndaj mund të jemi të kënaqur. Kishim udhëtuar në Shqipëri për fitoren dhe kjo është ajo që kemi bërë.
Kemi arritur një rezultat të madh për kthimin në Zagreb. Goli im? Jam shumë i lumtur. Në fakt të gjithë jemi të lumtur, sepse kemi luajtur një lojë të mirë dhe kemi krijuar shumë shanse. Asgjë nuk është e mbaruar, sepse duam të fitojmë edhe në kthim, në “Maksimir”.
Skënderbeu ishte një skuadër cilësore dhe do ta vlerësojmë si duhet ndeshjen në fushën tonë”.
