Ekipet e kërkimit në Detin Mesdhe kanë lokalizuar kutitë e zeza të avionit Airbus A320, të rrëzuar të enjten. Lajmi bëhet i ditur nga rrjeti amerikan i lajmeve CBS, i cili citon burime qeveritare në Egjipt. Sigurimi i tyre do të hidhte dritë mbi shkaqet e tragjedisë. Ndërkohë ushtria egjiptiane publikoi fotot e para të sendeve personale të udhëtarëve dhe të disa nga mbetjeve të gjetura në det.
Dy ditë pas rrëzimit të avionit Airbus A320 të kompanisë Egypt Air, me 66 persona në bord, hetuesit francezë thanë se në avion ka pasur tym pak çaste para se ai të zhdukej nga radarët. Zyra franceze e hetimit dhe e analizave, BEA, njoftoi se ishin ndezur sinjalizuesit e tymit në tualetin e avionit.
Të dhënat u transmetuan nga 3 kanale dhe tregojnë aktivizimin e 7 sinjaleve të ndryshme, vetëm pak minuta pas zhdukjes së avionit në orën 2:33 të së enjtes, me orën lokale. Ndërkohë kjo foto nga Agjencia Hapsinore Europiane tregon një shenjë rreth 2km në vendin ku humbi gjurmët avioni. Mediat e huaja shkruajnë se me gjasë shenja është një rrjedhje karburanti.
Më herët autoritetet egjiptiane thanë se pista e një sulmi terrorist është më e mundshme se ajo e një defekti teknik. Avioni i kompanisë Egypt Air u nis të mërkurën nga Paris me destinacion Kajron. Në bord gjendeshin 56 pasagjerë dhe 10 pjesëtarë të stafit.
