Turizmi i vëzhgimit të zogjve, që në fillim të këtij viti filloi të lakohet së tepërmi, sidomos me ardhjen e turistëve në masë, të tërhequr kryesisht nga pelikani i famshëm i lagunës së Karavastasë.
Në një artikull të posaçëm, Lonely Planet shkruan se Bregu i Adriatikut në Shqipëri është shndërruar në një zonë vëzhgimi të zogjve, e që ka fituar atraktivitetin e shumë turistëve.
Me rregullimin nga qeveria të ligjit të gjuetisë, shkruan prestigjiozja amerikane, jeta e “egër” ka filluar të përmirësohet në këtë vend dhe shumë operatorë turistikë kanë ofruar guida me itinerare interesante në fushën e “birdwatching”.
Një nga zonat më të njohura është ajo e Divjakës, në Karavasta, shkruan Lonely Planet, rreth 90 km larg nga kryeqyteti, Tirana. Ka lagunën më të madhe në Shqipëri, që është gjithashtu e njohur për pelikanin dalmat, specie e rrezikuar.
Sipas Shoqatës ornitologjike shqiptare, e cila gjithashtu është pjesë e turneve, Karavastaja ofron strehim për më shumë se 245 lloje zogjsh. Ndërsa Laguna e Nartës, që ndodhet pranë qytetit jugor bregdetar të Vlorës, konsiderohet si vendi I dytë më i rëndësishëm për shpendët e ujit në Shqipëri.
Një tjetër vend popullor për këtë turizëm të ri është Liqeni i Shkodrës, i përbashkët me Malin e Zi dhe ndodhet ngjitur me qytetin e Shkodrës, shkruan Lonely Planet. Ky është liqeni më i madh në Ballkan dhe konsiderohet si një nga vendet më të rëndësishme për shpendët shtegtarë në Evropë.
Vende të tjera të mundshme për shikime kafshësh të egra përfshijnë Parkun Kombëtar të Thethit dhe Luginën e Valbonës në Alpet Shqiptare, ku ngjitja deri më tani ka qenë aktiviteti kryesor për turistët./MONITOR
