Lopët politike të Shijakut

anazapta

Nuk ka asnjë keqkuptim dhe as paragjykim, për titullin. Fjala është drejtpërdrejt për lopët reale të Shijakut, me të cilat jane marrë, ne dy raste dhe në kohe të ndryshme, dy drejtues politike te shtetit shqiptar, Enveri në vitin 1968 dhe Saliu, në vitin 2013. Nga ky këndvështrim dhe, nga sa do të sqarojmë në këtë shkrim, nuk ka as një arsye pse mos të quhen politike lopët e Shijakut, këto kafshë të bekuara. Në vitin 1968 , në ish kooperativën bujqësore të Shijakut u organizua një  takim mbarështetëror, për zhvillimin e  blegtorisë socialiste dhe mori emrin zyrtar “Konferenca e lopës”. Në këtë eveniment morën pjesë shkencëtarët : Vasfi Samimi , Dr. Myslym Selenica, Teki Tartari, Ahmet Çelo, Sotir Pasko  etj. Merrnin pjesë mbi 1000 pjesëmarrës nga i gjithë vendi, por dhe shumica e anëtarve të ish Byrosë Politike. Anëtari i Byrosë, Haki Toska, qëndroi në të tëra seancat, që vazhduan 3 ditë . Në disa  seanca  mori pjesë dhe Enver Hoxha, i cili mbajti një fjalim, nëpërmjet të  cilit, falënderoi shkencëtarët dhe  zhvillimin e lopës e shpallte prioritet qeveritar, me rëndësi të posaçme politike.

Nuk është vendi të vijojmë me hollësira për këte ngjarje, por do të ndalem në dy detaje. Enveri vlerësoi shumë ndihmesën e shkencëtarëve, për zhvillimin e mëtejshëm të lopës dhe vendimet e kësaj konference gjetën zbatim të pjesëshëm, në blegtorinë e viteve që pasuan. Politika bujqësore enveriste e bëri drithin apoteozë. Nuk mund të mbetej  gjë për lopën dhe mirëqenien e shqiptarëve. Konferenca e lopës u mbështoll me guaskën e harresës dhe të nënvlerësimit.

Siç është bërë e njohur nga shtypi, ditët e fundit Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, kreu një vizitë “pune”  në Komunën Shijak, atje ku u mbajt Konferenca e lopës. Objekti i takimit ishte zhvillimi i lopës shqiptare, në periudhën e pritshme, postzgjedhore. Kryeministri vizitoi mjediset  blegtorale dhe bisedoi me fermerët blegtoralë të Shijakut, që në rastin konkret, janë më të përparuar në shkallë vendi. Të moshuarve dhe të mësuarve, takimet e kryeministrit në Shijak, iu kujtuan Konferencën e lopës, që u zhvillua në të njëjtin vënd dhe me të njëjtin motiv, por zhvendosur 45 vite më vonë.

Ç’i lidh këto dy data dhe pas një kohe kaq të gjatë midis tyre? Në të dy rastet bëhet fjalë për politika bujqësore, formuluar  nga dy shtetarë primatë, në qeverisje. Aty, në Shijak, dy primatë të të njëjtit popull kanë promovuar politikat e tyre, të supozuara në shërbim të popullit të tyre dhe të dyja politikat kanë dështuar. Nuk kemi pse ndalemi në dështimin  e Enverit, sepse do të binim në përsëritje të pa dobishme .

Cila është politika e dështuar e qeverisë aktuale, të kryesuar nga Sali Berisha, thjesht për lopën, pa e ngatërruar problemin me degët e tjera të bujqësisë? Me vizitën në fermën e përparuar të Shijakut, Kryeministri deshi të demonstronte se politika e tij bujqësore ka sjellë rezultatet e kësaj ferme lopësh bashkëkohore. Nuk është e tepërt të nënvizojmë që Kryeministrin nuk e shoqëronte asnjë shkencëtar.

Shpesh dëgjojmë të thuhet se bujqësia e sotme shqiptare ka rënë në shtratin e saj natyral, që është prioriteti  blegtoral. Ky objektiv është arritur, duke pasur parasysh që blegtoria kap 52 % të prodhimit të përgjithshëm, sipas “Vjetarit statistikor të 2011”. Kjo është vetëm ana statistikore dhe e jashtme e problemit. Në këto 23 vite të tranzicionit blegtoria është zhvilluar krejt spontanisht, pa as një studim dhe ajo që është më keq, është  fakti se blegtoria, është  zhvilluar në kurriz të bujqësisë. Pse? Nga blegtoria e sotme shfrytëzohen 78 %  të resurseve natyrale, duke lënë zbuluar  26 % të mundësive , që ka vendi (78-52). Kushdo e kupton se është zhvilluar një blegtori me humbje, blegtori parazitare. Zhvillimi i lopës është në të njëjtën linjë. Po pse zhvillohet, kur është me humbje? E zhvillon fshatari, për të siguruar mbijetesën  e tij ekonomike dhe nuk llogarit as një shpenzim të kryer nga vetë pronari, përballë një tregu agresiv.

Zhvillimi i lopës sot dhe në gjithë kohërat, është konsideruar disiplina më e leverdishme e të gjithë kulturave bujqësore. Kjo jo thjesht për të ardhurat që siguron nëpërmjet artikujve të tregut, por nxit zhvillimin e  degëve të tjera të bujqësisë, nëpërmjet pasurimit të tokës. Mjafton të përmendim se racat e lopëve kanë lindur në shtetet aristokrate: Në Angli, Zvicër, Gjermani, Francë, Amerikë. Nuk ka ndonjë racë lopësh që është krijuar në Turqi, as në Rusi, ose në Somali. Shkencëtari Vasfi Samimi, në një nga ligjëratat e tij të shumta, ka nënvizuar: “Do të njohësh kulturën dhe nivelin ekonomik të një kombi, shiko si i mbarështon lopët”.

Po qe se blegtoria shqiptare e këtyre viteve do të ishte e ngjashme me fermën e Shijakut, të cilën e vizitoi Kryeministri, politikat bujqësore të Qeverisë do të  shprehnin një progres të pa parë, por faktet janë krejt ndryshe. Në nivelin e fermës së Shijakut, që vizitoi Kryeministri , ndodhen jo më shumë se 0.5 % e fermave, që mbarështrojnë lopë. Niveli i kërkesave të kohës është që gjithë lopët e Shqipërisë të jenë sot, sikurse lopët e fermës që vizitoi Kryeministri. Llogaria bëhet lehtë. Për 23 vite arritën standardin e kohës 0.5 % e tufës, prej 354 mijë krerë. Për sa kohë tufa e madhe e shtetit, do të homogjenizohet me lopët e Shijakut  historik? Shifra është astronomike, duhen 1150  vjet! Natyrisht kjo është shifër e nxjerrë nga llogaritja e thjeshtë aritmetike, por na bind se politika bujqësore përgjithësisht dhe ajo e zhvillimit të lopës veçanërisht,  në këto 23 vite tranzicioni, është jashtë logjikës tekniko –ekonomike të shfrytëzimit të resurseve natyrore.

Kam parë një fermë të ngjashme me atë të Shijakut në Tërbuf të Lushnjës. Ishte e mirë, por lopët i kishte blerë në Austri, koncetratin e blente jasht fermës dhe jonxha i kushtonte shumë, sepse e ujiste me ngritje. Me këtë dua të sqaroj lexuesin se dhe ato që sot quhen ferma moderne, i mbajnë sytë nga importi.

Si do ta konceptoj një fermë moderne si e Shijakut? Epara: T’i prodhonte vetë lopët e rendimentit që pretendon. Të kishte një fushë ku të zbatonte teknologji të kohës, me njësi të mekanizuara, për prodhimin e të tërë ushqimeve në fushën e vet dhe të përdorte minimumin e koncentratit për kg të qumështit të prodhuar. Ferma që vizitoi Kryeministri nuk ishte e tillë dhe nuk besoj se ka aktualisht një të tillë në Shqipëri.

Qeveritarët që promovuan demokracinë në Shqipëri këto 23 vite, patën një trashëgimi të lavdërueshme shkencore në zhvillimin e lopës. Kishte një tufë lopësh bazë, prej 37 mijë krerësh, që i dispononin ish-fermat shtetërore. Kjo tufë shkonte deri në më shumë se 50 mijë krerë, po të përfshiheshin disa individë të ish-kooperativave. Kjo popullatë rezultonte me rendiment 4 mijë litra për krerë, në atë kohë. Sot, në kushte të zhvillimit normal, nuk kishte arsye mos të shkonte tek 5500 litra / krerë  dhe do të ishte tufa mëmë, për rigjenerimin e gjithë tufës shtetërore, prej 354 mijë krerë, që është tufa e lopëve sot.

Baza e zhvillimit intensiv të gjedhit në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, u bë studimi i thelluar ekonomik i hartuar nga zootekniku Sotir Pasko, në bashkëpunim me ekonomistin e shquar, Pasko Milo. Sipas këtij studimi, intesifikimi i drithit kalon nëpërmjet intensifikimit të prodhimit të qumështit.

Për tranzicionin demokratik,  një çerek shekulli është i mjaftueshëm që  tufa të ishte absorbuar nga tufa mëmë. Faktikisht gjendja racore është ajo që u trashëgua, pa futur blerjet e privatëve, siç është rasti i fermerit të Shijakut etj. Këta sipërmarrës patriotë  meritojnë falënderime, sepse kanë investuar kapitale të konsiderueshme në një degë shumë delikate të ekonomisë.

Zhvillimi i gjedhit nuk mund të jetë proces i izoluar. Sikurse gjithë disiplinat bujqësore, edhe zhvillimi i gjedhit fillon te toka bujqësore. Me toka fushore djerrë nuk mund të përfytyrohet një intensifikim i prodhimit të qumështit, që konsiderohet  niveli siç është sot rasti i izoluar i fermës së Shijakut.

Fillimisht duhet synuar të vihet fusha bregdetare nën kulturë. Kjo fushë të organizohet në njësi punimi të mekanizuara, me nga 100 ha. Këto njësi qindëshe kanë  aftësi të prodhojnë jo më pak se 120 /kv misër kokërr ose mbi 1000 kv/masë e njomë për ha. Në blloqe 100 hektarëshe do të kultivohet soja, që do të prodhojë 40 kv/ha  dhe në  blloqet e  jonxhës do të prodhohen  mbi 700kv/ha. Kostot do të jenë minimale, si rezultat i mekanizimit kompleks dhe ujitjes, në formë shiu.

Mbështetur nga një prodhim i tillë fushor, sipërmarrjes private do t’i hapet perspektivë të ngrejë ferma lopësh, si rasti i Shijakut, që do të shtrihen në aksin Velipojë –Vurg. Gjithsej, në këtë fushë,  mund të mbarështrohen mbi 130 mijë lopë me rendimentin mesatar 5-6 mijë litra/krerë, nga 2600 litra, që është rendimenti i sotëm, në shkallë republike. Blloqet e bujqësore 100 hektarëshe i krijojnë sipërmarrësit, duke i marrë tokat me qera ose  mbi bazë ortakërie.

Është koha t’i largohemi spontanitetit në investimet bujqësore. Ka një kufi numri  i serave dhe pularive, qofshin ato dhe supermoderne. Investimet me profil të njëanshëm krijojnë përplasje dhe anomali në treg. Përpara investitorëve, sytë nga fusha duhet t’i kthejë shteti, duke siguruar bonifikim perfekt. Nuk do të jetë e largët dita, kur fusha bregdetare do të mbushet me njësi prodhimi të mekanizuara dhe me ferma lopësh tip Shijak. Vendi do të oshëtijë  nga traktorët e rëndë me goma,  nga 5-6 tipe kombajnash, me agregatë modernë të fushës dhe me impiante të vaditjes në formë shiu. Impiantet modernë të mjeljes së lopëve dhe punishtet e përpunimit të bulmetit, do të mbyllin zinxhirin e mekanizimit bujqësor, që do ta kthejnë fushën në industri të vërtetë prodhimi dhe punësimi. Fusha jonë bregdetare do të jetë një Hollandë e vogël, por plotësisht e ngjashme me Hollandën, që fushën ia ka marrë detit, ndërsa ne,  fushën na i ka falur Zoti.

Krijimi i situatës industriale fushore, që sipër përmenda, nuk ka as një gjurmë fantazie. Kemi vonesë të pa justifikuar. Kjo bujqësi duhej të kishte përfunduar së ndërtuari sot, pas 23 vite lirie. Ajo është plotësisht e realizueshme, sepse flas për nivele që janë arritur nga shkencëtarët tanë në gjysmën e dytë të shekullit 20.

Shkencëtari  Ahmet Osja, në Institutin e Misrit dhe Orizit në Shkodër ka realizuar rendimente më të larta se ato që unë sipër citova. Blloqet 100 hektarëshe, ky  Institut i pat emërtuar “Njësi të mekanizuara” dhe i përhapi në mbarë vendin.

Trashëgimija e zhvillimit shkencor të lopëve të qumështit, ka qenë në nivelet e kultivimit shkencor të misrit. Specialisti i talentuar i Zooteknisë,  Rexhep Shima, ideoi dhe formoi një tufë lopësh prej 1600 krerësh me rendiment mbi 4000 litra / krerë, në ish fermën bujqësore të Lushnjës. Brenda kësaj tufe masive mëmë, pati grupe të qëndrueshme me  5 dhe 7 mijë litra/krerë, si  dhe individë lopësh me 9000 litra/krerë.

Trashëgimija e rendimenteve të marra nga kulturat bujqësore të Institutit të Misrit dhe Orizit dhe nga lopët në Lushnjë, krijojnë bindjen se fusha jonë ruan në vetvete potenciale, që mund të vihen në lëvizje me punë të organizuar  dhe shkencore, ku investimet e shtetit dhe të donatorëve kanë rol parësor.

Bashkëbisedimin e kryeministrit me fermerët e gjedhit në Shijak e konsideroj megalomani të pastër. Siç e sqaruam në këtë shkrim, kjo fermë mbetet një rast i shkëputur, kur ekzistonin mundësitë, që gjithë fusha bregdetare të ishte një Shijak blegtoral kohor. Përparësitë  e kësaj ferme dhe rasteve të tjera sporadike, nuk kanë vlera përgjithësuese. Modeli “Shijak 2013”, është i vonuar,  më shumë se gjysëm shekulli.

Perspektiva dhe mundësitë e transformimit të fushës bregdetare, janë reale, si vetë drita e diellit, por politikanët e tipit Berisha, Ruli  e co.  nuk janë të prerë për punë të tilla, që kërkojnë shumë djersë dhe pak fjalë. Kur politikanët e vjetër do ta lënë skenën politike, shkenca dhe prodhimi bujqësor, do të futen në hullinë e zhvillimit të pandërprerë . Vendi ynë  është i privilegjuar  nga natyra, për të krijuar një bujqësi shumëdegëshe dhe të mekanizuar.

Share This Article
8 Comments
  • I dashur Illo,
    Analiza juaj eshte shume e sakte. Me kryeministrin folen vetem lopet dhe ato dhane nje sugjerim :te ngreje shkolla profesionale se i duhen vendit . Dhe ai pasi degjoi kete nga goja e lopeve dhe e nje mjelese qe ishte aty afer vendosi qe ta zbatoje sugjerimin ne te ardhmen ! sa per shkencetaret ai nuk ka nevoje se i di vete ai dhe ruli te gjitha . Por nderkohe Partia Socialiste , ne te kunderten e asaj qe ka bere Berisha ka ndertuar nje plan nga shkencetare te mirefillte per te ardhmen e blegtorise . Ky program u shpalos se fundmi ne Lushnje nga PS dhe kryetari saj.

  • Faleminderit Z. Ilio dhe gazeta Dita qe i keni kushtuar pak vend analizave te tilla me fakte shkencore qe kane kohe qe i mungojne mediave tona

  • O zoti Illo, po me militantantizmin tend dhe zonjes tuaj komuniste hengret buke ne Lushnje. Ju ishit flamurmbajtesit e komunizmit. Tani po ngre edhe komunistin tjeter spiun i sigurimit Rexhep Shima qe per militantizmin e tij komunist e bene edhe drejtor ferme. Tani eshte katandisur ne nje pijanec te rendomte qe kundrmon era alkool rrugeve te Tiranes. A do me se ju njohim mire.

    • Po kete Rexhep Shimen e njeh gjithe Lushnja qe megjithese vinte nga nje familje kulake nga Cerma, ishte spiun i rekrutuar nga policia dhe ja fuste shokeve te vet ne ferme. I ka dale deshmimtar ne gjyq kolegeve te tij te punes. Ka qene super intrigant. Ne vitet e fundit u be komunist dhe drejtor ferme, gje qe nuk i takonte sepse aty ishin specialiste shume me te vjeter dhe qe kishin mbaruar jashte shtetit por nuk ishin komuniste dhe bene kete inrigantin e spiunin.
      Edhe Ilo Foton e njohim, gruaja e tij zonja Milika ushtronte terror komunist tek shkolla Foto Puka, kjo te punonte qindin per pak floke te gjata apo pantallona te gjera, disa nxenes i ka perjashtuar edhe nga shkolla.Mesueset e reja e kishin frike shume se i telendiste ne keshillin pedagogjik per hic gje,
      Illo dhe Milika u bene komuniste ne oret e fundit kur socializmit po i binin breket, por per karriere keta njerez benin cdo gje. Ah, dhe femijet i kane cuar ne Ameriken Imperialiste qe e shanin neper mbledhje partie. Djalin Kristaqin e shoqeronin me djemte e sigurimsit dhe spiunit Llaqi Jano.

  • Sqarim , për” ben” ,
    Familja ime dhe unë e kemi pasë mbështetur jetën në punë të jashzakonshme . Shkrimi , që ju lexuat dhe librat , që keni në bibliotekë janë problemorë dhe produkt i një pune të gjithanshme . Ato nuk shkruhen duke vërshëllyer rrugës. Të sqaroj një fakt . Në një ditë time të punës , ish Ferma arkëtonte 30 mijë dollarë , me vlerën e sotme dhe unë paguesha 25 cent, po me vlerën e sotme . Me siguri dhe ti ke përfituar nga puna ime , pa bërë fjalë për miqtë e tu , që ishin beniaminë të Bllokut .
    Njerzit , per të cilët shkruaj , i vlerësoj nga puna , që njifet në publik .Nuk është e thënë , që një zanatçi të mos pijë dhe raki . Amerikën e kam Atdheun e dytë , të familjes , qysh nga viti 1928. Të tëra energjitë fizike dhe mendore ja falëm Atdheut të origjinës . Illo Foto

    • I dashur Illo; kot mërzitesh dhe sikletosesh për t’iu dhënë përgjigje ca ben-ërve talebanë e injorantë.
      Për këto të vërteta shkencore që shkruan ti o i nderuar Illo, nuk e kanë haberin as ben-ërat e as Saliu i Viçidolit i cili është marrë, si bari, vetëm me rritjen ekstensive të dhisë së Tropojës.
      Ti o i nderuar Illo, për ne që të kemi njojtur e kemi punuar sëbashku, mbetesh një njeri i ndershëm, një puntor i palodhur, një specialist i talentuar që për 40 vjet me radhë ke kontribuar për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë duke shkelur me këmbë çdo fshat, çdo bjeshkë e çdo cep të Shqipërisë.

  • I nderuar Illo,ke nje jete te tere qe merresh me blegtorine.Ne sajin tend e zooveterinereve te tjere si dhe atyre mjeleseve te mrekullueshme qe perkujdeseshin per lopet thuajse po aq sa dhe per femijet e tyre (dhe kete ua them me pergjegjesi te plote,se pse i kam njohur nga afer si ne sektorin e Cermes,ashtu edhe ne ate te Plugut ) prodhimi i qumeshtit arriti rezultate rekord qe zor se mund te arrihen ne ditet e sotme,sepse atehere ishte azhornimi juaj me teknologjine me te perparuar bashkekohore dhe njeherazi aplikimi i saj ne fermen blegtorale.
    Nuk eshte hera e pare qe lexoj shkrime te tua ne gazeta te ndryshme ku trajton probleme per blegtorine.Gjithmone me kujtohesh me ate perkushtim te admirueshem rrugeve te pashtruara te Terbufit hipur mbi nje motor “Jawa”, llangosur me djerse e pluhur,per te dhene porosite e rastit qe femijet te kishin mundesi te pinin nje luge me shume qumesht,nese mundej.Ne gjithe ate hapesire te paane edhe mund te neglizhoje,sepse zhegu te pervelonte çaçken e kokes,por ndergjegjja profesionale dhe qytetare nuk te lejonte,çka sot dikush mund te te quante “komunist” me konotacion perbuzes ty dhe mua bashke qe po shkruaj keto radhe,megjithese me sa mbaj mend dhe besoj te jete e vertete as ti dhe as une nuk kemi qene as edhe nje dite te tille.Kete e them jo me mburrje,sepse nuk eshte ndonje turp te kesh qene komunist.Turp eshte te kesh bere turpe e krime si i tille.Po t’i sherbesh komunitetit ku punon e jeton me perkushtim. eshte veç nder e krenari.
    Te pershendes e te uroj jete te gjate ty dhe Milikes!
    Me respekt
    Flamuri dhe Luli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *