Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana ka dhënë një intervistë përpara sfidës me helvetët për Rts.ch, duke folur rreth ndihmës që i ka dhëne Zvicra në karrierën e tij dhe për sfidën mes dy vendeve që zhvillohet sot në Tiranë. “Karriera ime? Ishte një ëndërr dhe një synim. Pata shansin që të kisha struktura të mira. Ishte Zvicra që më ofroi çdo gjë që kisha nevojë për t’u bërë një lojtar i mirë. Udhëtimi im si njeri dhe lojtar nisi këtu. S’do ta harroj kurrë Lozanën. E vizitoj çdo vit. Lojtarët me origjinë shqiptare? Ata patën mundësinë dhe e shfrytëzuan. Por, nuk duam të flasim për ta veçanërisht. Sigurisht jemi xhelozë, sepse janë lojtarë shumë të mirë dhe që kanë ecur përpara në futbollin ndërkombëtar, dhe do të donim të luanin me ne. Megjithatë, jam i bindur që në Shqipëri ka lojtarë si Behrami, Xhaka, Shaqiri apo Mehmedi, por që u mungon infrastuktura për të ecur përpara. Unë pata fatin që u rrita në Zvicër” – tha kapiteni. Për ndeshjen Cana tha se: “Do të japim maksimumin në dy ndeshjet e fundit. Kjo fushatë na shërbeu si tranzicion me ardhjen e trajnerit dhe shumë lojtarëve të rinj. Rezultatet e mira na kanë hapur oreksin, dhe do kërkojmë të thyejmë rekordin e vendosur me Hans-Peter Brigel (13 pikë). Deri tani kemi arritur dicka të madhe, bukurinë e së cilës e prishën vetëm dy humbjet e fundit. Do kërkojmë të pozicionohemi sa më mirë në renditjen e FIFA-s. Ndeshja me Zvicrën? Do luajmë për fitore. Ne i vendosim të gjitha skuadrat në veshtirësi. Do japim gjithcka dhe për publikun që na mbështet gjithmonë. Kjo do të jetë ndeshja e fundit në shtëpi për këtë edicion, dhe duam t’u japim atyre kënaqësi. Do të jetë një ndeshje mes dy vendeve mike. Është e paçmueshme ajo që Zvicra ka bërë për popullin tonë. Në fushë do të ketë rivalitet, por kjo është normale. Zvicra është skuadra më e mirë e grupit”.
