Teksti që botojmë më poshtë është marë nga dorëshkrimi i librit AFRIMI I MADH, një vëllim me kujtime nga periudha e shërbimit të tij si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, që Prof. Fatos Tarifa pritet ta botojë së shpejti. Veprimtaria e tij diplomatike në Uashington dhe, veçanërisht, marrëdhëniet dhe korespondenca e kryeministrit shqiptar të asaj kohe Fatos Nano me administratën amerikane, në kontekstin e ngjarjeve për të cilat flitet, përbëjnë një kontrast të thellë me figurën dhe sjelljen e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha, të cilin Uashingtoni e ka shpallur persona non grata.
Fatos Tarifa
Para se Kryeministri Fatos Nano të vizitonte Uashingtonin, në mars të vitit 2004, Presidenti George W. Bush kishte marë katër letra prej tij, ishte informuar mbi dy deklarata publike të kryeministrit shqiptar dhe kishte lexuar një letër shumë të inspiruar për kryeredaktorin e gazetës The Boston Globe, e cila u botua në atë gazetë dhe në The Wall Street Journal, në shkurt të vitit 2003, nën titullin “A Salute to the Brave American Spirit”. Edhe pse u botua me emrin e Fatos Nanos, dëshiroj t’i them lexuesit se, kjo letër e fundit u shkrua, nga kreu në fund, nga Peter Lucas, miku im i çmuar me origjinë shqiptare, gazetar në Boston.
Për hir të së vërtetës—dhe me shpresë se lexuesi nuk do i marë këto fjalë si mungesë modestie, pasi unë thjesht kam bërë detyrën—më duhet të pohoj se, në çdo rast, sugjerimi për t’i shkruar Presidentit Bush, ose personaliteteve të tjerë të lartë në administratën dhe në Kongresin amerikan, kryeministrit Nano i është bërë ose nga unë, ose nga Peter Lucas, ose nga Paige Reffe, në atë kohë konsulenti strategjik i qeverisë shqiptare në Uashington. Asnjëri prej këshilltarëve të tij nuk ia sugjeroi ndonjëherë Kryeministrit Nano një gjë të tillë, edhe pse kjo duhej të kish qenë një detyrë e tyre. Po kështu, asnjë nga letrat që Kryeministri Nano i dërgoi në atë kohë kreut të Shtëpisë së Bardhë nuk u shkrua prej tij, çfarë është e kuptueshme dhe një praktikë e njohur edhe për drejtues të shteteve apo të qeverive të tjera, por ato letra—asnjëra prej tyre—nuk u shkrua as prej ndonjërit prej këshilltarëve ose ndihmësve të tij. Ishin kryesisht Peter Lucas, një mjeshtër i gazetarisë, Paige Reffe dhe, në ndonjë rast, unë, që jo vetëm ia sugjeronim, por edhe i shkruanim ato. Poshtë tekstit të tyre, kryeministri vetëm hidhte firmën, pa e vënë asnjëherë në dyshim përmbajtjen dhe pa ndryshuar asgjë në tekstin e tyre.
Letra e parë
Letra e parë e Kryeministrit Nano për Presidentin Bush iu dërgua Shtëpisë së Bardhë më 12 nëntor 2002, më pak se katër muaj nga dita kur Nano mori në dorë drejtimin e qeverisë në Tiranë. Përmes asaj letre, kryeministri shqiptar e uronte Presidentin e Shteteve të Bashkuara për “rezultatin historik” të partisë së tij (republikane) në zgjedhjet që quhen mid-term elections, të zhvilluara në mes të mandatit të tij vetëm një javë më parë, më 5 nëntor.
Ato zgjedhje për Kongresin e Shteteve të Bashkuara, për guvernatorët e 36 shteteve dhe të dy territoreve amerikane mbaheshin në më pak se 14 muaj pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2001. Për rrjedhojë, harta mendore e amerikanëve dhe sjellja e tyre në ato zgjedhje u determinuan nga lufta kundër terrorizmit, eventualiteti i një lufte në Irak dhe recesioni ekonomik i fillimit të viteve 2000.
Me ato agjedhje, republikanët u bënë mazhorancë në të dyja dhomat e Kongresit. Në Dhomën e Përfaqësuesve ata u shtuan edhe më shumë si mazhorancë, duke krijuar një raport të ri 229-204 me demokratët. Kjo ishte hera e tretë qysh nga Lufta Civile në Amerikë—pas zgjedhjeve të vitit 1934 dhe atyre të vitit 1998—që partia e Presidentit fitonte vende në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhje që zhvilloheshin në mes të mandatit presidencial dhe e para herë në historinë e Shteteve të Bashkuara që partia e Presidentit merrte nën kontroll njërën prej dhomave të Kongresit.
Balanca e forcave në Senat, gjithashtu, ndryshoi në favor të republikanëve, nga 49-51, në 51-49. Me një shumicë republikane në të dyja dhomat e Kongresit, Presidenti Bush dhe administrata e tij do e kishte më të lehtë të qeverisnin në dy vitet e ardhshëm. Në zgjedhjet e atij viti për 36 guvernatorë shtetesh, republikanët mundën gjithashtu të ruajnë shumicën, duke pasur nën kontrollin e tyre ekzekutivin në 26 shtete, ndërsa demokratët në 24 shtete.
Në letrën e datës 12 nëntor 2002, Kryeministri Nano e siguronte Presindentin Bush se qeveria e Shqipërisë ndante “plotësisht të njëjtën pikëpamje” me të sa i përket “rrezikut që kërcënon paqen nga armët e shkatërrimit në masë në duart e një vrasësi”. “Ju mund të mbështeteni te Shqipëria dhe populli i saj”, thuhej në atë letër, “si një aleat në çfarëdo koalicioni forcash ushtarake që mund të nevojitet për t’iu përgjigjur kërcënimit që vjen nga Saddam Hussein”. Letra përfundonte me këto fjalë: “Për një demokraci të re si Shqipëria, Shtetet e Bashkuara janë një shembull se si vepron në politikën e jashtme një demokraci që mbështetet në parime”.
Mbështetje e plotë për Amerikën
Vetëm dhjetë javë pas asaj letre, më 29 janar 2003, George W. Bush mori një tjetër letër nga Kryeministri Fatos Nano. Këtë herë, përmbajtja e saj lidhej me mesazhin e Presidentit amerikan në fjalën e tij një natë më parë, para dy dhomave të Kongresit, çka njihet si “State of the Union address”. Fjala e Presidentit Bush cilësohej në atë letër si “një mesazh i fortë dhe shumë i qartë”. Nano e siguronte Presidentin amerikan se vendosmëria e qeverisë së tij “për të mbështetur Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit është e plotë dhe e pakushtëzuar. “Vendi im”, thuhej në atë letër, “është i ri për demokracinë dhe i çmon marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara dhe me parimet e lirisë e të demokracisë, që Amerika i përfaqëson dhe i mbron me kaq guxim”. Në përfundim, në letër theksohej se: “Ne duam t’i ndihmojmë Shtetet e Bashkuara në çdo mënyrë që është e mundur dhe jemi të gatshëm t’i bashkohemi Koalicionit të Vullnetit (Coalition of the Willing) si një vend mik dhe aleat i juaji”.
Shqiptarët nuk harrojnë
Pa kaluar dy javë nga ajo letër, më 9 shkurt 2003 u botua në Boston Globe “A Salute to the Brave American Spirit”, një letër që, nënshkruar nga Fatos Nano, i dërgohej kryeredaktorit të asaj gazete. Ajo letër, siç vura në dukje edhe më sipër, u shkrua mjeshtërisht nga Peter Lucas. Në të, ndër të tjera, thuhej: “Sot ndoshta është koha që liderët europianë të vizitojnë Plazhet e Normandisë për të parë me sytë e tyre se çfarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të vendosura të bëjnë në emër të lirisë”.
Letra vijonte: “Atje, lart mbi det, në Plazhin Omaha, ndodhet një varrezë, në të cilën prehen eshtrat e afro 10,000 ushtarëve amerikanë. Atje ata prehen, radhë pas radhe, djem të rinj, të cilët dhanë jetën e tyre për të çliruar Europën nga shtypja naziste dhe për t’i dhënë lirinë kontinentit tonë. Është në saje të kurajës dhe xhenerozitetit amerikan që vende si Franca dhe Gjermania, ashtu si dhe shtete të tjerë europianë, janë sot vende të lirë dhe demokraci vibrante. Sepse, po të mos ishin Shtetet e Bashkuara, Britania a Madhe dhe aleatët e tyre në Luftën e Dytë Botërore, Europa do të kish mbetur nën çizmen diktatoriale të Hitlerit dhe të nazistëve për breza të tërë. Dhe Lufta e Dytë Botërore nuk ishte e para herë që Shtetet e Bashkuara treguan vullnetin e tyre për të derdhur gjak në Europë për lirinë e të tjerëve. Para saj ishte Lufta e Parë Botërore. Dhe, për pesëdhjetë vite pas Luftës së Dytë Botërore, Europa ishte në gjendje të zhvillohej nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara, kur ky vend i bëri ballë komunizmit dhe e mposhti rrezikun prej tij.
Dhe më tej: “Njerëzit mund të harrojnë. Disa vende në Europë, gjithashtu, mund të harrojnë. Por ka vende të tjerë në Europë, të cilët janë më të vjetër, kanë një kujtesë historike më të fortë dhe memorja me e freskët e të cilëve është ajo e koalicionit të udhëhequr nga SHBA, që i dha fund tiranisë së Sllobodan Millosheviçit. Ne, shqiptarët, nuk harrojmë. Kjo është arsyeja përse ne i mbështesim Shtetet e Bashkuara në përpjekjen e tyre për të çliruar Irakun nga Saddam Hussein dhe nga armët e tij të shkatërrimit në masë. Ashtu sikurse amerikanët kontribuan në çlirimin e Francës, të Gjermanisë dhe të vendeve të tjerë të Europës gjatë Luftës së Dytë Botërore, po kështu Shtetet e Bashkuara dhe Koalicioni i Vullnetit duhet të çlirojnë sot popullin irakian”.
Letra përfundonte me këto fjalë: ”Ne të gjithë lipset ta vizitojmë Normandinë. Ne duhet t’u bëjmë homazh atyre amerikanëve të guximshëm që zbarkuan stuhishëm në Plazhin Omaha dhe dhanë jetën e tyre për lirinë e të tjerëve. Ajo që të habit është se amerikanët janë përsëri të gatshëm të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe këtë herë, përsëri, ata nuk janë vetëm”.
Përshtypja që bëri ajo letër në qarqet politike e diplomatike, si dhe në publikun amerikan dhe atë europian ishte kaq e madhe sa, si rrallë ndonjëherë, katër ditë më vonë, më 13 shkurt 2002, ajo u ribotua thuajse e plotë në gazetën më të madhe që del në Shtetet e Bashkuara, The Wall Street Journal, me rreth 2.5 milion kopje, në dy edicionet e saj—për Europën dhe Azinë—këtë herë nën titullin e redaksisë “The Silent Witnesses of Normady Beach”. Ribotimi i saj në WSJ u shoqërua me këtë shënim: “Në reagim të editorialit të datës 10 shkurt ‘The End of NATO’” (Fundi i NATO-s).
Në shoqërinë e popujve të lirë
Jehona e asaj letre u ndie për disa javë me radhë. Hekuri ishte, pra, ende i nxehtë dhe s’duhej lënë të ftohej. Më 18 mars 2003, ditën që Shtetet e Bashkuara, së bashku me një pjesë të forcave të Koalicionit të Vullnetit, kryesisht nga Britania e Madhe, nisën sulmin ndaj Irakut, i sugjerova Kryeministrit Nano të shprehej publikisht pa humbur kohë me një deklaratë të fortë në mbështetje të qëndrimit amerikan.
“Është një moment që s’duhet humbur”, i thashë në telefon. “We are watching history in the making”.
“Shkruaje”, më tha kryeministri dhe ma dërgo.
Të hartoje një deklaratë për një ngjarje kaq të rëndësihme, që do të mbante emrin e kryeministrit të vendit, ishte një detyrë jo thjesht e vështirë, por thuajse e pamundur në ato pak orë që i kishin mbetur asaj mbrëmjeje e, megjithatë, të nesërmen paradite, më 20 mars, kryeministri mori nga unë tekstin e asaj deklarate, e cila u bë publike menjëherë. Në atë deklaratë, të cilën, për shkak se ajo bëri botërisht të njohur në atë kohë qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj pushtimit amerikan të Irakut, e citoj këtu të plotë në shqip, thuhej:
“Si një demokraci e re, Shqipëria është krenare që qëndron me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatë të tjerë në Koalicionin e Vullnetit për ta çliruar Irakun nga armët e shkatërrimit në masë dhe për t’i sjellë liri popullit të shumëvuajtur irakian. Ne, shqiptarët, jemi një komb luftëtarësh për liri, që e dimë se çdo të thotë të jetosh i shtypur. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim përpjekjen e udhëhequr nga amerikanët për të çliruar popullin e Irakut. Dhe, megjithëse jemi një vend i vogël, me një ushtri të vogël, jemi krenarë të qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë në luftën për t’i dhënë fund sundimit të terrorit në Bagdad. Tani që luftimet kanë filluar, ne presim që trupat komando shqiptare që kemi dërguar për të ndihmuar operacionin do të veprojnë siç duhet. Ne, gjithashtu, jemi krenarë që kemi premtuar mbështetjen tonë të pakushtëzuar sa u përket trupave shtesë, porteve dhe bazave tona ajrore”.
Deklarata vijonte si më poshtë: “Historia është e vjetër. E vetmja gjë e re në histori janë Shtetet e Bashkuara. Amerika është i vetmi vend në botë që eksporton liri. Kur momenti historik i ka thirrur në skenë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të gatshme të paguajnë çmimin e duhur për t’i çliruar të shtypurit, madje edhe në shtete që i kanë dashur të keqen Amerikës. Amerika u solli liri dhe demokraci Japonisë dhe Gjermanisë pasi i mundi të dyja këto fuqi në Luftën e Dytë Botërore. Ajo i rindërtoi ata vende dhe u mësoi shoqërive të tyre se ç’është liria. Ajo ndihmoi në rrënimin e Murit të Berlinit, duke e përshpejtuar procesin e lirisë në Europën Qendrore dhe Lindore. Dhe rrallëherë ka kërkuar diçka në këmbim. Tani, Shtetet e Bashkuara dhe Koalicioni i Vullnetit duan të sjellin lirinë në Irak.
Deklarata mbyllej me këto fjalë: “Kur Koalicioni i Vullnetit të përfundojë misionin e vet, atëherë do të jetë koha që Koalicioni i Ndërtuesve të riparojë, të restaurojë dhe të rindërtojë Irakun në emër të lirisë. Ne jemi krenarë që jemi në shoqërinë e popujve të lirë”.
Mirënjohës Amerikës dhe…
Një tjetër deklaratë e Kryeministrit Nano pasoi të parën tri javë më pas, më 9 prill 2003. Në të ritheksohej se Presidenti George W. Bush do të mbahet mend për vendosmërinë me të cilën ai e udhëhoqi Koalicionin e Vullnetit drejt triumfit historik mbi forcat e shtypjes në Irak. “Ashtu si Amerika dhe aleatët e saj, nën udhëheqjen e Presidentit Franklin D. Roosevelt dhe të Kryeministrit britanik Winston Churchill sulmuan plazhet e Normandisë”, thuhej në atë deklaratë, “po kështu George W. Bush dhe Tony Blair i sollën liri popullit të vuajtur të Irakut”. Më tej, në deklaratë theksohej: “Zemrat dhe mendjet tona janë me njerëzit e dashur të atyre që dhanë jetën e vet për t’u sjellë lirinë të tjerëve. Ne e dimë shumë mirë se me çfarë çmimi fitohet liria, sepse kemi paguar vetë për të. Ne u jemi gjithmonë mirënjohës atyre ushtarëve heroikë amerikanë dhe britanikë, marinarë, marinsa dhe aviatorë, grave si dhe burrave, të cilët dhanë jetën duke luftuar për liri. Ne u detyrohemi atyre një borxh që s’mund t’ua shlyejmë kurrë”.
…krah për krah me të
Në fillim të shtatorit, po atë vit, i sugjerova Kryeministrit Nano t’i dërgonte një letër Presidentit Bush në dy-vjetorin e tragjedisë së 11 shtatorit 2001. Në atë letër, e cila u dorëzua në Shtëpinë e Bardhë më 11 shtator, ndër të tjera thuhej:
“Ne e kujtojmë sulmin famëkeq ndaj popullit të Shteteve të Bashkuara për të shprehur në emrin tim dhe në emër të popullit shqiptar angazhimin tonë të vazhdueshëm ndaj kauzës së lirisë…Me këtë rast, rikonfirmojmë vendosmërinë tonë, si shqiptarë, se do të qëndrojmë përkrah Shteteve të Bashkuara dhe njerëzëve të lirë kudo që luftojnë terrorizmin dhe duan një shoqëri të drejt e të fortë për këdo”.
Me Amerikën deri në fund
Disa muaj më vonë, kur, në mars të vitit 2004, menjëherë pasi fitoi zgjedhjet parlamentare të atij viti, qeveria socialite spanjolle, e drejtuar nga José Luis Rodríguez Zapatero, deklaroi se do t’i tërhiqte trupat e saj nga Iraku, i sugjerova Kryeministrit Nano t’i shkruante Presidentit Bush për t’i konfirmuar edhe një herë qëndrimin e vendosur të qeverisë shqiptare për të qëndruar në Irak në krah të Shteteve të Bashkuara. Pas deklaratës së qeverisë spanjolle, e cila, natyrisht, ngjalli mjaft shqetësim në administratën amerikane, i argumentova kryeministrit se një deklaratë publike e tij, ose një letër për Presidentin Bush, do të bënte përshtypje shumë pozitive në Uashington. Kryeministri më kërkoi t’i dërgoja brenda ditës një draft të letrës.
Të nesërmen, më 16 mars 2004, pa i bërë asnjë ndryshim variantit që i propozova, kabineti i kryeministrit më dërgoi letrën e formosur prej tij për Presidentin Bush. Letra theksonte, ndër të tjera, se Shqipëria mbështeste fuqimisht lidershipin amerikan në luftën kundër terrorizmit dhe përpjekjet e Koalicionit të Vullnetit për t’i sjellë liri dhe demokraci popullit të Irakut. “Shqipëria”, thuhej në letër, “do të jetë pjesë e kësaj përpjekjeje deri në fund”.
Në atë letër theksohej se qeveria shqiptare do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara për të dërguar më shumë trupa në Mosul. Letra mbyllej me këto fjalë: “Terrorizmi ndërkombëtar do të mposhtet; për këtë unë nuk kam asnjë dyshim. Një ditë, historianët do ta kthejnë vështrimin pas në këtë periudhë kritike dhe do të habiten me qëndrimin kurajoz të Shteteve të Bashkuara në udhëheqje të popujve të lirë të botës për të përballuar e mposhtur forcat e terrorizmit dhe të errësirës. Nën udhëheqjen dhe me përkushtimin Tuaj ndaj demokracisë, liria, paqja dhe siguria nuk mund veçse të triumfojnë”.
Në Shtëpinë e Bardhë
Letra e Kryeministrit Nano iu dorëzua presidentit Bush po atë ditë. Dy ditë më vonë, Presidenti Bush ftoi në Shtëpinë e Bardhë ambasadorët e vendeve aleatë, që kishin trupa në Irak, për t’u shprehur mirënjohjen e administratës së tij. Kjo ishte një tjetër pritje, në të cilën, çdonjëri nga ne mund të shkëmbente një bisedë të shkurtër me presidentin amerikan.
Këtë herë, sidoqoftë, unë nuk e ndieva të nevojshme të flisja. Kreu i Shtëpisë së Bardhë foli edhe për mua. Sapo ambasadori Ensenat njoftoi praninë ambasadorit të Shqipërisë, Presidenti Bush m’u drejtua me këto fjalë:
“Ç’letër të ngrohtë më dergoi këto ditë kryeministri tuaj! Unë e çmoj shumë këtë gjest. Falenderoje atë në emrin tim dhe dërgoi përshëndetjet e mia”.
Fjalët e Presidentit Bush i dëgjuan të gjithë sa ishin në atë dhomë. Ai më shtrëngoi dorën fort dhe, bashkë me Zonjën e Parë, e cila qëndronte atë mbrëmje në krah të tij, pozuam për fotografin e Shtëpisë së Bardhë.
Nikola Dimitrov, kolegu im maqedonas, i cili u përshëndet me Presidentin Bush fill pas meje, nxitoi të më takonte në sallën e banketeve.
“Urime Fatos. Ato ishin fjalë shumë të bukura. Duhet t’ia thuash Nanos”.
“Atë po bëj”, i thashë dhe u tërhoqa në fund të sallës, pranë dritares që shihte nga Kopshti i Trëndafilave (Rose Garden), për të pasur sinjal më të fortë në telefonin tim celular.
Edhe pse në Europë ishte mesnatë dhe unë e dija që kryeministri ndodhej në Bratislavë, kisha dëshirë t’ia bëja të njohura fjalët e Presidentit Bush atë mbrëmje, jo të nesërmen.
“Tarifa, jam në një takim, bjeri shkurt!” tha ai sapo njohu numrin e celularit tim.
Takim në mesnatë! CASINO. Vesi i tij më i keq.
“Presidenti Bush j’u bën të fala. Ndodhem në Shtëpinë e Bardhë”, i thashë unë.
Toni i zërit të Fatos Nanos ndryshoi në çast.
“U takove me të? Ç’farë të tha?”.
“Sapo u ndava prej tij”, i thashë. “Në sy të të gjithëve, Bush më tha: “Ç’letër të ngrohtë më dergoi këto ditë kryeministri tuaj! Unë e çmoj shumë këtë gjest. Falenderoje atë në emrin tim dhe dërgoi përshëndetjet e mia”.
“Vërtet?”, pyeti Nano, dukshëm i ekzaltuar. Pastaj shtoi:
“Ia vlen ta bëjmë publike?
“Sigurisht”, i thashë dhe, aty për aty, pa e kuptuar as vetë, formulova pak a shumë lajmin që u dha të nesërmen në mediat shqiptare:
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara falenderon Kryeministrin e Shqipërisë për mesazhin e ngrohtë që ka marë prej tij në mbështetje të qëndrimit të vendosur të qeverisë amerikane në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar. Presidenti Bush i shpreh mirënjohje kryeministrit Fatos Nano dhe i dërgon përshëndetjet e tij”.
Nano ra dakord me këtë formulim.
“Pas pak do të të marrë Isaku në telefon”, më tha. “Jepja atij formulimin për mediat”.
Agim Isaku, në atë kohë drejtor i kabinetit të Kryeministrit Nano, më telefonoi dy minuta më vonë ndërsa unë vazhdoja të qëndroja pranë dritares që shihte nga Kopshti i Trëndafilëve.
“Ç’kemi Tosi? Më tha Nano se ka një mesazh nga Bushi”.
“Po”, i thashë. “Një mesazh shumë të ngrohtë. Është mirë të dalë nesër”.
“Një minutë sa të gjej diçka që të mbaj shënim”, tha ai dhe, pas pak, vazhdoi: “Po, më thuaj”.
I përsërita Agim Isakut të njëjtin formulim që kisha bërë pak më parë për kryeministrin por, siç duket, kjo iu duk pak, prandaj më tha:
“A mund të shtojmë se Presidenti Bush u shpreh se ai e çmon shumë progresin që ka bërë qeveria shqiptare kohët e fundit në drejtim të luftës kundër korrupsionit…”
E ndërpreva shefin e kabinetit të kryeministrit duke i thënë:
“Jo. Bushi nuk tha as më pak dhe as më shumë nga sa të thashë unë”.
“Po kush e di se çfarë tha tamam Bushi?”, vazhdoi të insistojë Agim Isaku.
“E di unë”, i thashë. “Mirë është që lajmi të jepet siç ta formulova unë. Edhe me aq pak fjalë, ai mesazh thotë shumë. Por, nëse dëshiron”, i sugjerova, “mund të shtosh se këtë mesazh Presidenti Bush ia dërgon Kryeministrit Nano përmes ambasadorit shqiptar (pa qenë nevoja të përmendet emri im) në Uashington, i cili ishte i ftuar dje në Shtëpinë e Bardhë”.
“Mirë, mirë”, tha Isaku me një ton të pakënaqur. “E rregulloj vetë”.
“Nuk ke ç’të rregullosh ti”, i thashë. “Bushi tha vetëm këto fjalë që të përsërita unë dhe asgjë më shumë. Nëse lajmi thotë më shumë se kaq, unë do ta përgënjeshtroj atë publikisht”.
Një libër që s’u shkrua kurrë
Në prill të vitit 2004, dy javë pas vizitës së tij në Uashington, i sugjerova Kryeministrit Nano që letrat e tij për Presidentin Bush, letrën e botuar në Boston Globe, deklarat e tij publike dhe disa letra që u kishte dërguar Sekretarit të Shtetit Colin Powell, Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në atë kohë Tom DeLay, Prokurorit të Përgjithshëm John Ashcroft, anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve Doug Bereuter, Sue Kelly, Gil Gutknecht, Walter Jones—18 të tilla në 18 muaj—t’i botonte si një vëllim më vete, titulluar Love Letters to America. Një botim i tillë, isha i sigurt, do të bënte përshtypje në Uashington. Peter Lucas, me të cilin e ndava këtë mendim, e pëlqeu dhe premtoi të shkruante parathënien e tij, nëse Fatos Nano do të binte dakord.
Pa u menduar dy herë, Nano ra dakord dhe Peter Lucas, pa humbur kohë, formuloi për kryeministrin një sërë pyetjesh, përgjigjet e të cilave do e ndihmonin të shkruante parathënien e atij vëllimi. Pyetjet për Kryeministrin Nano ishin këto:
Si do e përshkruanit ju periudhën kur u rritët në Tiranë? Cilët ishin prindërit tuaj dhe prindërit e tyre? Ku jetonte familja juaj para se të vendosej në Tiranë? Cilët ishin, ose janë heronjtë tuaj? Ç’mendonit për Enver Hoxhën kur ishit një djalë i ri? Cili ka qenë në atë kohë mendimi juaj për Amerikën? Në cilën shkollë keni studiuar? Kur dhe ku i keni mësuar gjuhët e huaja që flisni? Si ju lindi interesimi për politikën? Cila është filozofia juaj e qeverisjes?
Pyetjet që vijonin më tej ishin: Në 50 vitet e fundit Shqipëria ka krijuar aleanca të pazakonta; si e shpjegoni ju kalimin e Shqipërisë nga miqësia me Jugosllavinë, në miqësinë me Bashkimin Sovjetik, më pas me Republikën Popullore të Kinës dhe sot me Shtetet e Bashkuara? Cili është roli i besimeve fetare në Shqipëri? Kur e kuptuat për herë të parë që Shtetet e Bashkuara ishin të destinuara të luanin një rol të tillë për të ardhmen e Shqipërisë? Pse j’u burgosi Sali Berisha dhe sa kohë keni qëndruar në burg? Ç’mendonit ju për të ardhmen e Shqipërisë dhe rolin e Amerikës gjatë kohës që ishit në burg? Ne rast se do t’i kishit shkruar një letër Shteteve të Bashkuara kur ishit në burg, ç’farë do i kishit thënë? Cila është përshtypja juaj për Presidentin Bush pas takimit me të?
Dhe, më së fundmi, një varg pyetjesh, përgjigjet e të cilave do të përbënin esencën e parathënies që Lucas do shkruante për atë vëllim: Si do të jetë Shqipëria në vitin 2025? Si do të dukej Ballkani në vitin 2025? Po Europa? Si do te jenë marrëdhëniet mes Shqipërise dhe Shteteve të Bashkuara në vitin 2025? Nëse do të uleshit t’i shkruanit sot një letër popullit shqiptar, e cila do të lexohej në vitin 2025, çfarë do i thonit? Po nëse do t’i shkruanit sot një letër popullit amerikan, për t’u lexuar në vitin 2025, ç’farë do i thonit? Dhe, nëse do i shkruanit një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara, për t’u lexuar në vitin 2025, ç’farë do i thonit?
Fatos Nano nuk gjeti asnjëherë kohë që tu përgjigjej qoftë edhe disa prej pyetjeve të mësipërme. Në një rast, ai thjesh tha: “Bejeni ti dhe Peter siç mendoni ju”. Kur këtë gjë ia thashë Peter-it, ai u habit me përgjigjen e Nanos dhe unë kuptova se ajo përgjigje nuk i pëlqeu aspak. As mua. Ndihmësit e tij duhej të paktën të angazhoheshin disi në atë projekt.
Ai vëllim nuk u botua asnjëherë. Sidoqoftë, ideja e një vëllimi të tillë, me fjalën “Love” në titullin e tij, më ngacmoi dhe më motivoi që, tre vite më vonë, kur jetoja në Michigan dhe jepja mësim në Eastern Michigan University, të botoja të përmbledhura në një vëllim, me rreth 250 faqe, të cilin e titullova To Albania, with Love (University Press of America, 2007), pjesën më të madhe të veprimtarisë sime si ambasador i Shqipërisë në Hagë dhe në Uashington. Kjo veprimtari dokumentohej në disa leksione publikë, në dëshmi të dhëna para Kongresit amerikan, në artikuj të botuar në gazetat kryesore të Uashingtonit, në intervista televizive dhe në më shumë se 50 letra, dërguar gjatë katër viteve që shërbeva në Uashington, Presidentit Bush, Sekretarit të Shtetit, Këshilltares së Presidentit për Sigurinë Kombëtare, si dhe një numri anëtarësh të Senatit, të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të administratës amerikane. Peter Lucas shkroi parathënien e atij vëllimi, ndërsa kolegu dhe miku im i ngushtë sociolog, Jay Weinstein, i cili pak vite më parë u nda nga jeta, shkroi një pasthënie për të.




Noi gjo per ato hajdutlliqet dhe abuzimet financiare qi boni ky çuni i Sevos kur ishte ambasador ne Amerike a ka shkrujt apo jo? Kshu mo sa per kuriozitet.
Lere Tos Tafen me down sindrom po shif Tos Nano kurven qe pozon si virgjereshe.
Ky shkrim s’ka asgje historike, pervec ngritjesse kultit te nje individi..
Po pse kur kane pase ndonje here qe te kete sot. Nuk eshte i moshes per ndryshim profja
Ja,Nano ka zene vendin qe i takon.Rama dhe Berisha do te ishin shtyre per te zene vendin perkrah presidentit Bush.Keta dy karagjoze,,hajdute,te korruptuar,,pamvaresisht se vijne nga Lagje te ndryshme,thelbin e kane te njejte.
O Fatos!Me i afti nga te gjithe kryeministrat e ketyre 30 vjeteve mbetet Fatos Nano.Kishte ycklat e veta,,ishte ca hajdut,ishte edhe dembel,,por qeverine e beri me personalitete,,jo me garden e sexit te kolonelit Gedafi.
Doren nuk e kishte shume te rende,.Cdo fundviti na jepte dhe rrogen e trembedhjete..Po rrogtare jemi ne,,Ate qar kishim.Po ky Bojaxhiu gjate paska qene Lubi,kuceder,,!S`paska te ngopur malukati!Mire ato qindra miljona euro qe i perpin si fije makaronash,por edhe tek rroga fukarejve do vere dore?
Po si nuk e kuptuam zullapin kur perpinte nje govate me makarona?
Doni me per Belulne??
Titulli i gazetes duhet te behet “Tarifa Dita”
Kur me ze ne goje emrin e ish presidentit Bush, me duket sikur bota rrotullohet pa njerez. Te gjitha veprimet e tij, qofte dhe ajo makabre qe beri ne Irak me pretendimin e egzistences se armeve te shkaterrimit ne mase qe shume vite me von pohoi se e kishin genjyer organizmat inteligjente amerikane, me kujtojne veprimet e Sali Berishes ne miniature qe ka bere qe prej 1991 ne Shqiperi e deri me sot. Pasi vrau, preu, dogji shkaterroi dhe futi flaken nje vendi te tere dhe s’ka per te perfunduar, del pa te keq dhe thote se e kishin genjyer sherbimet inteligjente! Domethene krimet qe beri ky, nuk i takojne ketij ! Kete ben dhe Sali Berisha dhe hajde beso tek drejtesia qofte ne Amerike e qofte dhe ne Shqiperi. Drejtesi nuk egziston fare, eshte propagande demokratike ashtu si liria nuk egziston por eshte kthyer ne çthurje totale per te sunduar. Egzistojne sot te drejtat dhe lirite e njeriut? Absurde, njerezit s’kane me se ku te fshihen sot; Ata larte te marrin frymen dhe dalim te proletariati qe perveç prangave, s’ka se çfare te humbasi, por ai i ka bere kabull te gjitha sot: te hesht dhe te shikoje punen e tij nga vendimi: perça e sundo. Po une pse e bera kete koment? Kot.
Berisha si Spartaku i Romes ,udhehoqi nje popull që nuk gati per asgje.
Kjo tregon sa bythlepires ishte dhe eshte komunisti Fatos,per kapitalistin Bush.Qesharake!
Nje kryeminister kumarxhi, nje ambasador servil, dhe nje drejtor kabineti dallaveraxhi! Me keta tre personazhe kaq interesante te nje vendi te vogel te perzier ne hullite e politikave te medha, mund te dale nje novele e mrekullueshme!