Gjermania ishte e pamposhtur për 22 ndeshje radhazi.
Humbja e parë, që nga Kampionati Europian, erdhi të martën dhe ishte e merituar.
Pavarësisht shumë ndryshimeve në formacion, Joachim Low është i bindur se të martën ka qenë një nga performancat më të varfra të të tijve në “sundimin” 12-vjeçar të “Bundestainer”, duke humbur 1-0 kundër një ekipi të zgjuar, nëse jo të spikatur, të Brazilit.
58-vjeçari rrallë u largua nga zona e tij e pankinës, duke tundur krahët në një përpjekje për të mbyllur boshllëqet e mëdha në mesfushë dhe duke u përpjekur të nxiste një ekip, që nuk kishte personalitet, kohezion taktik dhe cilësi.
“Nuk ishte dita jonë, – pranoi Low pas humbjes. – Nuk ishte loja që kishim parashikuar. Skemat nuk funksiononin, na mungonte rrjedhshmëria”.
Trajneri i Gjermanisë ishte veçanërisht kritik për 20 minutat e fillimit, kur ndjeu se “gabimet e lehta” kishin ndërtuar besimin e kundërshtarit, që mund të kishte pasur disa shqetësime nga disfata 7-1 në gjysmëfinale në “Botërorit 2014”.
“Gjuha jonë e trupit nuk ishte e mirë, loja jonë e pozicionit, po ashtu. Nuk kishim mjaft presion ndaj tyre në mbrojtje, na mungonte ritmi”, – shtoi ai.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë gjë pozitive për t’u marrë nga kjo miqësore, Low mundi të kujtojë vetëm reagimin që Gjermania kishte treguar pas pushimit mes dy pjesëve. “Nationalmannschaft”, me të vërtetë kishte luajtur me pak më shumë urgjencë, në përpjekje për të shmangur humbjen, por trajneri pranoi se gjuajtja e Julian Draxler ishte përpjekja e vetme kuptimplotë për një mbrëmje pa ide dhe pa saktësi.
“Ne e dinim se do të kishim probleme, sepse lojtarët e rinj, si Leroy Sane (Manchester City), apo Leon Goretzka (Schalke 04) kanë ende nevojë për të luajtur kundër kundërshtarëve të tillë të nivelit të lartë, që të jenë gati për kombëtaren”.
Trajneri i Gjermanisë shpjegoi se e gjithë skuadra e tij kishte nevojë për më shumë kohë për t’u stërvitur së bashku. “Ju mund të jeni të sigurt se do të përmirësohemi. Unë nuk jam i shqetësuar nga një humbje 1-0 me një nga favoritët për të fituar Botërorin e Rusisë. Nuk jam i shqetësuar për asgjë në këtë fazë, e di se jemi të aftë për shumë më tepër”, tha ai.
a.s/dita
